Nuk ka ndodhur një herë që vendi ynë të cilësohet si një prej territoreve burim droge për vendet e BE-së. Së fundmi janë grekët ata që kanë ngritur alarmin për situatën alarmante të trafikut të drogës nga Shqipëria. Në një artikull të saj, gazeta Ethnos shkruan se baronët shqiptarë po “bombardojnë” Greqinë dhe Italinë me drogë. Duke e quajtur Shqipërinë “Kanabistan”, gazeta thekson se viti 2016 kishte prodhimin rekord më të madh të 20 viteve të fundit të hashashit, dhe rrjetet e ndryshme të trafikimit “bombardojnë” nga ajri, toka e deti Greqinë dhe Italinë me sasi të mëdha droge. Për atë që shkruan, gazeta i referohet kritikave të opozitës shqiptare ndaj qeverisë, që e akuzon për kthim të vendit në Republikë të prodhimit të kanabisit, ndërsa përfiton shuma të mëdha nga paratë e trafikimit për t’i përdorur në fushatën elektorale para zgjedhjeve të qershorit. Përpos kësaj, gazeta shkruan edhe për faktin se policia ka shkatërruar mbi 2.5 milion rrënjë kanabis vitin që lamë pas. Shkrimi në fjalë i referohet kapjes së mbi 300 kg droge në Prespë në kufi me Maqedoninë dhe Greqinë.