Shkup, 26 prill – Mbi 200.000 qytetarë jobullgarë kanë kërkuar, ndërsa 132.020 kanë arritur të marrin shtetësinë bullgare në 15 vitet e fundit, shkruan gazeta KOHA. Të dhënat zyrtare të Komitetit bullgar për shtetësi tregojnë se pas miratimit të Dekretit për ndarje të pasaportave për qytetarët jobullgarë, por që kanë pasur ose kanë lidhje me Bullgarinë, më shumë se gjysma e atyre që kanë fituar shtetësi janë maqedonas, ose 67.483 gjithsej. “Pas miratimit të Dekretit për shtetësi, Komiteti bullgar për shtetësi ka ndarë 67.483 pasaporta bullgare për qytetarët maqedonas, ndërsa 20.000 kërkesa janë refuzuar”, thuhet në Raportin e Komitetit bullgar, përcjell revista bullgare Kapital. Pas maqedonasve, pasaportë bullgare kanë marrë 31.000 shtetas moldavë, të cilët janë bërë bullgarë në të njëjtën mënyrë sikurse maqedonasit, të ndjekur nga qytetarët e Ukrainës, Serbisë, Rusisë dhe Shqipërisë. Pasaporta bullgare është bërë joshëse edhe për shtetasit rus. Një raport i Ministrisë së Drejtësisë i vitit të kaluar tregon se është naive të besohet se të gjithë këta njerëz që aplikojnë për pasaportë bullgare vijnë për shkak të faktit se Bullgaria është një vend i mrekullueshëm për të jetuar, apo se papritmas fillojnë të brengosen për atdheun e tyre të ri. Një shumicë e madhe e tyre duan pasaporta bullgare për shkak të përfitimeve që mund të kenë nga udhëtimi dhe puna në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Në ndërkohë, mediat bullgare shkruajnë se rritja e interesit për shtetësinë bullgare nga Maqedonia ndodhi rreth një vit para anëtarësimit të Bullgarisë në BE, ndërsa po vazhdon edhe sot e kësaj dite. Megjithatë, sipas mediave bullgare, interesimi për shtetësinë bullgare nuk mund ta kompensojë plotësisht numrin e bullgarëve që po braktisin Bullgarinë. Në 25 vitet e fundit, statistika shtetërore bullgare tregon se Bullgarinë e kanë braktisur rreth 2 milionë bullgarë, ndërsa rritja e popullsisë është në rënie e sipër. Ndryshe, sipas Dekretit bullgar për shtetësinë – ka dy mënyra për të përvetësuar pasaportën bullgare – në bazë të origjinës së provuar bullgare, ose natyralizim krejtësisht të ri.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara