Driton ZENKU
Gostivar, 20 prill – Përballja e dështuar me prerjen ilegale të druve në hapësirat pyjore si dhe keqpërdorimet nga ana koncesionerëve, kanë bërë që pyjet në rajonin e gjerë të Gostivarit të zhveshën nga drunjtë nga viti në vit, por viteve të fundit ajo që bie në sy, është degradimi total i këtij fenomeni, shkruan gazeta KOHA. Nëpërmjet Ndërmarrjes publike “Pyjet e Maqedonisë”, mesatarisht brenda një viti në rajonin e Gostivarit priten rreth 10 deri 15 mijë metra kub dru djegëse. Por, krahas rrugës zyrtare, në rajonin e Gostivarit është i përhapur edhe fenomeni i prerjes ilegale të druve dhe supozohet që brenda 1 vitit, në mënyrë ilegale, priten nga 4 deri 8 mijë metra kub dru. Një fenomen tjetër llogaritet edhe keqpërdorimi i firmave që fitojnë tenderët për menaxhimin e pjesshëm të sipërfaqeve malore. Pasi institucionet kompetente dështuan të mbrojnë pyjet, kanë qenë banorët lokalë që përmes protestave disa herë kanë tentuar të ndërpresin dukurinë e shkurtimit dhe shkatërrimit të pyjeve.
PRITEN MË SHUMË SESA E KANË NË TENDER
Në shumicën e rasteve, përveç sasisë së paraparë në kontratë subjektet e tilla po keqpërdorin dhe presin shumëfishë me tepër sasi të druve. Rast eklatant ndodhi në fshatin Koritë, ku banorët lokal ngritën zërin që firma tenderuese ka marr leje për prerje të druve në parcelën malore numër 29, ndërsa firma tenderuese kishte hyrë edhe në njësinë 32, diku 2.5 km largësi nga fshati Koritë. Aq më tepër, banorët u ankuan se ajo pjesë e malit ishte pronë e fshatit të tyre dhe prej dekadash e kishin mbrojtur nga dukuria e prerjes së druve. Zërin e protestës e ngritën edhe banorët e vendbanimeve të tjera, siç ishte rasti me banorët e fshatit Xhenovicë, të cilën u ankuan që prerja e pakontrolluar dhe pa ndonjë kriter e druve, rrezikon të sjell vërshime në fshat. Këtyre keqpërdorimeve nuk u erdhi fundi edhe me ndryshimet e fundit ligjore të Ligjin për pyjet. Me ligjin e ri, në ndihmë të policisë pyjore për të parandaluar prerjen e jashtëligjshme dhe vjedhjen e druve, u vunë edhe pjesëtarët e organeve të rendit. Në disa raste, ato kanë ndaluar transportuesit e paligjshëm, duke ua konfiskuar automjetet dhe drunjtë dhe duke i sanksionuar me gjoba, por kjo dukuri nuk arriti që të zbutet as për së afërmi. Për të parandaluar gjendjen e krijuar, nga ky nivel njoftojnë se në mjetet e transportit ku do të gjenden dru dhe në ndërkohë transportuesi nuk do të posedojë leje adekuate, të njëjtat dot ju merren menjëherë dhe do ti dorëzohen policisë malore për procedurë të mëtutjeshme. etohet se bëhet fjalë për sasi më të madhe të druve të prera pa leje të posaçme, do të ndiqet kallëzim penal për prerje të pyjeve për çka parashihet burg prej 3 deri 5 vite. Me ligj, parashihet burgim nëse prerja ilegale e druve bëhet në male të mbrojtura siç janë Parqet nacionale dhe malet me dedikime speciale”, thotë për KOHA zëdhënësi policor, Marjan Josifoski. Ai shton se në qoftë se bëhet fjalë për vjedhje të përmasave më të mëdha kundër të involvuarve do të inicohet procedurë penale me akuzë për shkatërrim të pyjeve ,që është vepër penale për të cilën është paraparë dënim me mete financiare ose burgim prej 3- 5 vite nëse keqpërdorimi është bërë në hapësirë të mbrojtur malore, park nacional ose mal për qëllime speciale. Por, raportet nga aksionet e tilla policore flasin për ndalesa të individëve që bartin sasi të vogla të druve të ngarkuara në bagazhe veturash. Banorët ngrenë dyshimet se peshqit lihen në rehati të veprojnë, sepse ekziston interes i ndërsjellë mes tyre dhe drejtuesve të institucioneve kompetente.
ME QËLLIM U VIHET FLAKA HAPËSIRAVE MALORE
Viteve të kaluara, persona të panjohur por që merren me ekonomizimin e druve në disa raste u vinin flakën pjesëve të caktuara të malit. Për zjarret e viteve të kaluara, banorët lokal që kufizohen me hapësirat malore, hedhin dyshimin te prerësit ilegal të druve të cilët për të arritur tek trungjet ndezin shkurret rreth tyre dhe për shkak të erës që fuqizohet gjatë orëve të mbrëmjes dhe thatësisë së shkurreve, flakët arrijnë të bëhen të pakontrollueshme, duke përhapur zjarrin në territor të konsiderueshëm. “Sivjet, realisht nuk kanë se çka të ndezin më tregtarët që punojnë në të zezë prandaj edhe nuk ka zjarre. Nuk ngeli më gjë për tu djegur, mali na u bë shkretinë”, thotë Farih Bexheti, banor i fshatit Strajan. Nga shërbimi zjarrfikës potencojnë se gjatë periudhës në vazhdim, temperaturat e larta janë një arsye më shumë që të kihet kujdes që të mos vijë deri në paraqitjen e zjarreve me përmasa të mëdha, mu për këtë apelojnë deri te qytetarët që të mos hedhin cigare të pashuara ose sende tjera të ndezshme, ndërsa ata që dalin në piknik të përmbahen nga ndezja e zjarreve dhe të mos lënë pas vetes shishe të pahapura ose mjete tjera të cilat mund të shkaktojnë zjarr nën ndikimin e diellit për një kohë më të gjatë. Edhe nga Policia e Gostivarit thonë se për shkak të rreziqeve nga zjarret eventuale, ekipe të policisë do të shtojnë patrullimet në zonat potenciale për shpërthim të zjarreve, kjo me qëllim të parandalimit në kohë të kësaj dukurie. Nga atje thonë se të gjithë ata që do të kapen duke shkaktuar zjarre dhe duke shpërfillur këtë apel policorë, do të dënohen dhe sanksione në mënyrën më rigoroze dhe në pajtim me atë që parashikon ligji.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara