Prioritet e një shoqërie mund të jenë të shumta, mirëpo ato nuk mund të zëvendësohen me improvizime dhe amatorizma. Kultura shqiptare në Maqedoni duhet të ketë festivalet e veta, duhet të ketë revistat e veta, duhet të ketë godinat e veta. Tani si qëndrojnë punët, të gjitha aktivitetet kulturore të shqiptarëve kanë statusin e nënkontraktuesit dhe qiraxhiut. Prandaj duhet ndryshuar rrënjësisht praktikat e deritanishme të organizimit kulturor, në mënyrë që Maqedonia si shtet të mos prezantohet para botës si një shoqëri e vetme, pa specifikat dhe diversitetin e saj kulturor
Nga Emin AZEMI
“Vera e Ohrit”, “Mbrëmjet Poetike të Strugës”, “Vera e Shkupi”, “Vojdan Çernodrinski”, “Skopje Jazz Festival”, “Film Festival “Manaki”, janë disa nga manifestimet kulturore që i financon shteti dhe disa prej tyre madje me dekada janë identifikuar si simbole të shtetësisë, siç është rasti me “Mbrëmjet Poetike të Strugës” apo “Vera e Ohrit”. Është shumë normale që koncepti për kulturën të mos përjashtojë filozofinë e shtendërtimit, por përkundrazi, të jenë komplementare me njëra tjetrën. Franca, bie fjala, njihet për shumë vlera e specifika, por janë Festival i Kanës, Luvri, që i japn këtij shteti kuptimin esencial të identitetit shtetëror. Ngjashëm si Franca, janë edhe shumë shtete të tjera në botë që përmes brendeve kulturore kanë arritur të imponohen si trashëgues të vlerave që kultivohen me xhelozi dhe fanatizëm nga brezi në brez.
Edhe Maqedonia nuk bën përjashtim në përpjekjet e saja për të afirmuar ato vlera që konisederohen si simbolikë e shtetësisë. Diplomacia kulturore bën punë plotësuese që nuk arrin ti bëjë politika e jashtme. Të gjitha manifestimet kulturore me karakter shtetëror janë edhe guida për të huajt dhe gjithë ata që vizitojnë Maqedoninë do ta njohin më mire Ohrin, bie fjala, nga festivali që mbahet në këtë qytet, ose Strugën përmes festivalit të poezisë.
Por, në Maqedoni ka edhe kultura të tjera. Ditë më pare përfundoi festivali tradicional “Këngë Jeho” që mbahet në Strugë dhe organizatorët u ankuan se këtë festival nuk e mbështet shteti. Është edhe një festival teatri në Dibër, për të cilin shteti nuk shpreh ndonjë interesim të posaçëm. Gjendja nuk është krejt zi, sepse ka ngjarje e krijime që financohen nga arka e shtetit, por gjithë mbështetja institucionale e kulturës së shqiptarëve nuk ndjek ndonjë strategji të mirëfilltë.
Kultura e festivaleve duhet dalluar nga kultura që prodhohet në vazhdimësi prej institucioneve. Në Shkup ka vite që funksionon një Qendër Teatrore për Fëmijë, mirëpo status i këtij institucioni ende është as në tokë as në qiell. Në komunat e banuara me shqiptarë ka qendra kulturore, por nuk ka teatro në gjuhën shqipe. Edhe ato pak asociacione të shkapërderdhura krijuesish jo vetëm që nuk botojnë revista dhe botime të tjera, por nuk kanë të afishuar një plan-program vjetor, me të cilin do të identifikoheshin aktivitetet më të veçanta.
Kultura shqiptare , me disa përjashtime, assesi të ketë trajtim profesional. Koncentrimi i krejt vëmendjes në dy, tre institucione dhe anashkalimi i prodhimit që vjen nga terreni, nga qytetet e vendbanimet jometropolitane, edhe përforcon konstatimin se qasja amatore në kulturë e pamundëson atë të bëhet profesionale. Shpesh diskutohen këto tema në media, mirëpo drejtuesit institucional të kulturës nuk kanë treguar sens të mjaftueshëm që vërejtjet të evidentohen dhe të përpilohet një ministrategji për kulturën shqiptare. Ideja e dikurshme për një departament a drejtori për kulturën shqiptare në kuadër të Ministrisë së Kulturës, duhet aktivizuar sërish. Objektivat e këtij dikasteri do të ishin në radhë të parë inventarizimi i nevojave dhe resurseve, pastaj operacionalizimi strategjisë kulturore përmes projekteve konkrete.
Një kulturë kombëtare nuk mund të zhvillohet normalisht nëse nuk i ka fondet dhe resurset humane që do ta bënin atë të dinjitetshme në çdo aspekt. Por të gjitha këto nuk mund të arrihen nëse nuk hiqet dorë nga qasja e ngushtë partiake në mënyrë që me problematikat e ndjeshme kulturore të mos merren me çdo kusht aktivistët partiak. Njerëzit kompetent dhe profesional nga fusha të ndryshme mund të ofrojnë njohuritë e tyre teorike e praktike dhe për rrjedhojë Shkupi si kryeqytet të duhet të paktën të ketë një festival dinjitoz të muzikës, një festival të letërsisë dhe një të teatrit. Këto tre festivale duhet të kenë drejtoritë e tyre, buxhetet e tyre dhe kuadrot adekuatë që do të menaxhonin si linjat buxhetore, ashtu edhe aspektet organizative. Muzika, letërsia e teatri kanë një impakt të fuqishëm në publik, në kohën kur po ndodhin tendenca të çuditshme të akulturimit dhe zbehjes së vlerave fundamentale shpirtërore.
Prioritet e një shoqërie mund të jenë të shumta, mirëpo ato nuk mund të zëvendësohen me improvizime dhe amatorizma. Kultura shqiptare në Maqedoni duhet të ketë festivalet e veta, duhet të ketë revistat e veta, duhet të ketë godinat e veta. Tani si qëndrojnë punët, të gjitha aktivitetet kulturore të shqiptarëve kanë statusin e nënkontraktuesit dhe qiraxhiut. Prandaj duhet ndryshuar rrënjësisht praktikat e deritanishme të organizimit kulturor, në mënyrë që Maqedonia si shtet të mos prezantohet para botës si një shoqëri e vetme, pa specifikat dhe diversitetin e saj kulturor. Në këtë drejtim një kontribut kolosal mund të japin edhe artistët e Shqipërisë e Kosovës të cilët mund t”i bartin përvojat e tyre në manifestimet që ende nuk po mbahen në Maqedoni.
Një strategji kulturore është e paplotë nëse nuk përfshin brenda vetës edhe dimensionet që e bëjnë më specifike atë, kurse diversiteti kulturor nuk duhet kuptuar vetëm si parullë, por edhe si platformë institucionale. (koha.mk)