Nga Lihtenshtajni, Bujar KURTAJ
Vaduz, 23 mars – Kapiteni i përfaqësueses së Maqedonisë Goran Pandev dhe seleksionuesi Igor Angellovski për ndeshjen e nesërme ndaj Lihtenshtajnin pas arritjes në Vaduz kanë realizuar edhe stërvitjen e fundit, derisa kanë folur edhe për pritjet e tyre për këtë përballje mjaftë të rëndësishme, duke marr parasysh se në katër ndeshjet e deritanishme nuk kanë arritur të grumbullojnë asnjë pikë, ndërkohë nuk kanë arritur fitore si mysafir prej vitit 2010. “Realizuam përgatitje të mira, maksimalisht do të hym në këtë ndeshje vetëm e vetëm për të arritur fitore. Nuk ka kundërshtar të lehtë dhe nëse duam të fitojmë, duhet të jemi në nivelin tonë maksimal. Shpresojmë të luajmë si në ndeshjet e kaluara, por kësaj radhe ajo loj të kurorëzohet me fitore. E respektojmë Lihtenshtajnin, pa marr parasysh se as ata nuk kanë fituar asnjë pikë, mirëpo sa të fillojë ndeshja do të tentojmë ti mundim”, deklaroi Angellovski në konferencën për shtyp. “Kemi luajtur katër ndeshje të mira, mirëpo nuk kemi arritur fitore. E njëjta gjë vlen edhe për Lihtenshtajnin. Nëse nesër arrijmë fitore, mund të shpresojmë për pozitën e katërt. Nuk ka favorit, por mendoj se kualiteti është në anën tonë dhe nëse luajmë sikurse jemi marr vesh, nuk do të kemi problem. Kam shumë përvojë në ndeshje të tilla, pasi gjithmonë kur kemi qen favorit kemi dështuar. Për këtë arsye them se nuk ka favorit. Do të jetë një ndeshje luftarake, kualiteti është në anën tonë dhe besoj se do të arrijmë fitore”, tha Pandev.
Sipas asaj që arritëm të kuptojmë, Besart Ibraimi pritet të luajë nga fillimi i ndeshjes, ndërsa Muzafer Ejupi, rastin e tij do ta pret nga banka rezerve.
Ndeshja Lihtenshtajn – Maqedoni, luhet nesër me fillim në ora 20.45.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.