Zejnulla VESELI
Shkup, 5 janar – Sigurimi Shëndetësor në Maqedoni është gjithëpërfshirës dhe rreth 95 për qind e qytetarëve shfrytëzojnë të drejtën e shërbimeve shëndetësore, megjithatë ka dallime të mëdha midis kontributeve shëndetësore që i paguajnë shtetit dhe atyre që falas marrin po këto shërbime shëndetësore. Studimi i fundit i titulluar temë “Shëndetësia midis presioneve fiskale për investime më të mëdha dhe nevoja për shëndet më të mirë të qytetarëve”, përgatitur në kuadër të projektit për transparencë fiskale dhe përgjegjësi për përmirësimin e politikave në fushat siç janë përmirësimin e cilësisë së jetës, arsimit dhe shëndetësisë – FISCAT, tregon se megjithatë, Maqedonia tashmë ka arritur të stabilizojë sigurimin universal shëndetësor. Sipas Maja Parnarxhieva Zmejkova ish drejtore e Fondin për Sigurim Shëndetësor njëherit autore e këtij studimi Analizat që dalin nga studimi sipas Parnarxhieva përfshin të dhëna për atë sa qytetarët kanë sigurim shëndetësor, çfarë shërbime marrin për sigurim, si të avancohet sistemi i sigurimit shëndetësor dhe të minimizohen dobësitë. “Rezultatet tregojnë se Maqedonia ka krijuar një sigurim universal shëndetësor, duke u mundësuar të drejtën të gjithë popullsisë për t’u siguruar, dhe tani për tani – këtë të drejtë e shfrytëzojnë më shumë se 95 për qind popullatës. Duke analizuar Rregulloren dhe të dhënat që kishim në dispozicion, u identifikuan katër grupe personash që nuk mbulohen nga sigurimi shëndetësor. Sfidë për shtetin në të ardhmen më tej mbeten 500 persona që nuk kanë dokumente personale, dhe për këto njerëz shteti duhet të gjejë një mënyrë për t’ju mundësuar atyre sigurim shëndetësor”, thotë Maja Parnarxhieva-Zmejkova, ish-drejtore e Fondit për Sigurim Shëndetësor në Maqedoni, ndërsa shprehet se ka dallim të madh në numrat e personave të paraqitur si të varfër me qëllim që shteti t’ua paguajë sigurimin dhe numrit statistikor të personave të varfër. “Kjo do të thotë se në vitin 2015, paraqitet një dallim prej 19.062 personave që janë të siguruar si të varfër dhe personat që jetojnë nën pragun e varfërisë, apo më shumë persona janë të siguruar si të varfër dhe për këta – shteti financon sigurimin shëndetësor se sa për personat që jetojnë në Maqedoni nën pragun e varfërisë. Kontributet për personat e varfër të përfshirë në sigurim shëndetësor universal paguhen 5.4 për qind nga paga mesatare. Këto kontribute sigurohen nga Buxheti i shtetit dhe paguhen çdo muaj në emër të më shumë se 250.000 qytetarëve”,thotë Parnarxhieva Zmejkova. Ajo më tej zbulon se ky studim mund të jetë një udhërrëfyes për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Financave se si të avancojnë sigurimin universal shëndetësor në Maqedoni, gjegjësisht tejkalimin e dobësive të identifikuara, duke arritur financimin më të drejtë të sistemit të kujdesit shëndetësor. “Analizat në këtë studim kanë për qëllim që në mënyrë transparente, ato pjesë të cilat janë probleme qenësore në sistemin shëndetësor – të propozojë zgjidhje të cilat do të ndihmojnë që në të ardhmen sistemi shëndetësor në Maqedoni të jetë më i mirë. Participimi si mekanizëm kontrollues për shërbimet në sistemin shëndetësor në Maqedoni është i përcaktuar në 20 për qind nga vlera e përgjithshme e shërbimit shëndetësor dhe analizat në këtë pjesë tregojnë se mesatarisht 5.6 për qind nga çmimi i shërbimeve shëndetësore apo mbi 300 mijë sigurues në vit i shfrytëzojnë këto benefite. Studimi njehërësh nxjerr në pah se një pjesë e madhe e këtyre kontributeve, sidomos kontributet që ua paguan shteti dhe kontributet që paguajnë personat e punësuar, 49 për qind harxhohen për blerje të ilaçeve të ndryshme nga personat e siguruar”, thotë Parnarxhieva-Zmejkova.
Edhe analisti ekonomik Ivan Vëçkov nga Finance Think thotë se, edhe pse për 10 vite përqindja mujore e kontributeve për sigurim shëndetësor është rritur për 38 për qind, analiza e studimit “Shëndetësia midis presioneve fiskale për investime më të mëdha dhe nevoja për shëndet më të mirë të qytetarëve” tregon se pjesa më e madhe e parave të parapara me Buxhet, Ministria e Shëndetësisë i harxhon për financimin e dy programeve kryesore, investime kapitale: mbrojtje shëndetësore preventive dhe mbrojtje shëndetësore kurative. “Një bujk mesatarisht për kontribute shëndetësorë në muaj paguan më pak, ndërsa shfrytëzon më shumë shërbime shëndetësore. Në anën tjetër, një i punësuar paguan më shumë kontribute për sigurim shëndetësor ndërsa shfrytëzon më pak shërbime shëndetësore. Një bujk brenda një muaji paguan kontribute për sigurim shëndetësor në vlerë prej 447 denarë, ndërsa shërbimet që i shfrytëzon brenda një muaji kapin vlerën prej 1953 denarë. Për një të papunësuar – shteti paguan 881, ndërsa shfrytëzohen 1492 denarë. Një pensionist paguan 1788 denarë, ndërsa shfrytëzon shërbime mjekësore në vlerë prej 1993 denarë. Në anën tjetër, një i punësuar kontribute për sigurim shëndetësor paguan 2383 denarë, ndërsa shfrytëzon më pak shërbime mjekësore në vlerë prej 1349 denarë”, thotë analisti ekonomik Ivan Vëçkov nga “Finance Think”. Ndryshe, studimi në fjalë është mbështetur edhe nga Instituti për hulumtime politike dhe ekonomike “Finance Think”. (koha.mk)