Studimi i binjakëve ka zbuluar disa nga misteret më të mëdha; se si mjedisi, ushqimet dhe gjenet ndikojnë në shëndetin tonë. “Binjakët na lejojnë të studiojmë në mënyrë të përkryer një nga variablat kryesore të gjenetikës sonë shëndetësore. “, thotë John Hopper, drejtor i Twins Research Australia në Universitetin e Melburnit.
Ai thotë se edhe studimi i parë për duhanin u bë me dy binjakë. Njëri pinte duhan dhe tjetri jo dhe në pas u zbulua se duhani shkaktonte osteoporozë e shumë sëmundje të tjera. Nisur që nga viti 1982, janë studiuar më shumë se 35 mijë binjakë, çka bën të jetë dhe numri më i madh i binjakëve vullnetarë në botë.
“Ne kemi parë një hap të madh teknologjik duke studiuar ADN-në që nga fillimi i viteve ’80, veçanërisht gjenomin njerëzor dhe fushën e re të epigjenetikës”, thotë Hopper i cili tregon zbulimet më të mëdha ku në fokus të studimit ishin binjakët, me rreth 230 studime.
RREZIKU I KANCERIT TË GJIRIT. Nëpërmjet studimit të dy palëve binjakë, identifikuam gjenin e parë që ndikon në dendësinë mamografike dhe rrezikun e kancerit të gjirit, i quajtur LSP1. Studiuesit zbuluan se binjakët identikë (monozigotë) janë shumë të ngjashëm në lidhje me densitetin mamografik, gjë që parashikon rrezikun e ardhshëm të kancerit të gjirit. Hopper thotë se nëse nuk do ekzistonin binjakët, nuk do mund të zbulohej kjo gjë.
EPILEPSIA NË GJENE. 20 vjet më parë, ekspertët mendonin se epilepsia ishte një sëmundje e shkaktuar gjatë jetës, nga lëndime në kokë ose nga një lindje e vështirë. Por shkencëtarët gjetën një bazë gjenetike për forma të veçanta të epilepsisë, duke ndryshuar mënyrën e përcaktimit dhe trajtimit. “Studimi me binjakë ishte themelori në këto zbulime,” thotë Hopper. U zbulua se nga shumë lloje të epilepsisë ekzistonte një bazë gjenetike. Studiuesit gjithashtu studiuan raste në të cilat njëri binjak kishte epilepsi dhe tjetri jo, duke vëzhguar të dhënat nëse nëna ka pasur komplikime gjatë lindjes. Në fund u zbulua se komplikimet obstetrike nuk kishin lidhje me epilepsinë, një lajm që lumturoi shumë e shumë prindër.
JETA NË BARKUN E NËNËS. Fusha relativisht e re e epigjenetikës studion efektin e mjedisit mbi atë se si funksionojnë gjenet tona. Një krahasim i ndryshimeve epigjenetike tek binjakët tregoi se që në mitër bëhet përcaktimi i profilit epigjenetik, gjë që shpjegon pse binjakët identikë, megjithëse ndajnë të njëjtën ADN, përjetojnë shpesh kushte të ndryshme shëndetësore. Kështu, me ndihmën e binjakëve u zbulua se shëndeti ynë formohet që në mitër bazuar tek mjedisi dhe mënyra e ushqimit të nënës.