Tifozë të Arsenal-it, qëndroni të qetë! Mesut Ozil nuk ka ndërmend të largohet nga Londra. Ka disa muaj që spekulohet se mesfushori mund të mos e rinovojë kontratën e tij me “Topçinjtë”, ashtu si sulmuesi Alexis Sanchez. Të dy është shkruar se kanë kërkuar paga të larta, por të paktën për gjermanin asgjë e tillë nuk është e vërtetë. Lojtari i preferuar i trajnerit Arsene Wenger ka plane të qarta për të ardhmen e tij. Ai do të vijojë të luajë tek Arsenal. “Me kampionatin jam përshtatur përfundimisht që nga sezoni i kaluar. Kam shmangur dëmtimet në pjesën më të madhe të vitit dhe tani ndihem shumë rehat në Londër”, – tha Ozil për sajtin zyrtar të Federatës Gjermane të Futbollit. “Kam ndryshuar disa gjëra në jetë, si për shembull dieta dhe mënyra e stërvitjes. Kjo më ndihmon të rikthej më shpejt energjinë pas ndeshjeve dhe të ul mundësinë për t’u dëmtuar”, – shtoi 27-vjeçari. Epo, ashtu qoftë – për të mirën e të gjithëve!