Shkup, 10 korrik – Skuadra e Shkëndijës do të jetë skuadra e parë nga Maqedonia e cila do të startojë me ndeshjet e kompeticionit evropian. Në kuadër të ndeshjes kualifikuese të Ligës së kampionëve, kuqezinjtë sonte me fillim në ora 20.15, në stadiumin “Filipi i dytë” do të përballet me skuadrën nga Uellsi “The New Saints”.
Trajneri Qatip Osmani për këtë ndeshje tha se punës i janë qasur seriozisht dhe se dëshiron fitore pa pranuar gol. “Kemi realizuar një fazë të suksesshme përgatitore dhe kjo më jep mua dhe lojtarëve shpresë se jemi të përgatitur për sfidën me TNS-në. E dimë se për këtë sfidë nuk do ta kemi në dispozicion Ferhan Hasanin, lojtarin vendimtar. Por, edhe në të ardhmen kanë ndodhur këto gjëra. Mendoj se në ndeshjet kontrolluese që i kemi zhvilluar, mendoj se atë pozitë e kemi mbuluar mirë. Andaj mund të them se në vend të tij do të luajë Izair Emini. Kemi analizuar mirë kundërshtarin, i cili luan me një sistem 4-3-3, por kur mbrohen, formacioni i tyre transformohet në 5-4-1. Kështu kanë luajtur vitin e kaluar kundër Rjekës, por tani nuk e kanë sulmuesin i cili ka qenë lojtari kryesor. Gjithashtu bëhet fjalë për një ekip serioz me një bagazh të madh të ndeshjeve të Ligës së kampionëve dhe Liga Evropës si dhe janë shtatë herë kampion të Uellsit. Do të isha i kënaqur me fitore pa pranuar gol”, deklaroi para gazetarëve trajneri i Shkëndijës.
Ndryshe, fitore pa pranuar gol dëshiron edhe Armend Alimi, i cili njëherit do të jetë edhe kapiteni i ri i Shkëndijës. “Na pret një ndeshje e vështirë, por ne kemi zhvilluar përgatitje të mira dhe besojmë në sukses. Dëshiroj fitore pa pranuar gol, kjo do të ishte më ideale. Sa i përket shiritit të kapitenit, për mua kjo është një përgjegjësi dhe njëkohësisht nder i madh”, deklaroi Alimi.
Ndërkohë, trajneri Osmani zbuloi edhe formacionin me të cilin do ti kundërvihet uellsianëve, derisa në stërvitjen e djeshme zyrtare, stafi është dashur të vendos se a do të luajë apo jo futbollisti dhe golashënuesi më i mirë i ekipit, Besart Ibraimi, i cili është i lënduar. Në rast se nuk do të jetë në dispozicion të luajë Ibraimi, në vend të tij do të jetë Shefiti.
Formacioni: Zahov, Bejtullai, Musliu, Adili, Murati, Alimi, Taipi, Radeski, Emini, Zhunior, Ibraimi (Shefiti)