Mbrëmja e djeshme ka qenë një nga ato më emocionueset për aktoren shqiptare Ornela Kapetani, e cila si rezultat i lojës së mrekullueshme aktoriale ka fituar çmimin e aktores më të mirë në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Ky çmim i ka ardhur Ornelës pas filmit “Drita zë fill” të regjisorit Gentian Koçi. Çmimi i aktores më të mirë që është ndarë natën e djeshme, ka një vlerë prej 2500 eurosh. Në kuptimin e plotë të fjalës, ky konsiderohet sukses i madh jo vetëm për Kapetanin, por për të gjithë ne. Është një shqiptare ajo që ka marrë çmimin për aktoren më të mirë në një festival si ky i Sarajevës, i cili mendohet se është një nga më të mëdhenjtë që ndodhin jo vetëm në Ballkan, po edhe më gjerë. Ornela është aktore shqiptare e dëshmuar tanimë, me role në “Hostage”, “Correction” dhe me rolin e Letës në filmin me të cilin fitoi çmim në Sarajevë. Trofetë që janë ndarë në Festivalit të Filmit në Sarajevë qenë të dedikuar për ata që kanë bërë një punë kolosale në realizimin e produktit final. Ja cilat janë çmimet kryesore të natës: Filmi më i mirë u shpall “SCARY MOTHER / SASHISHI DEDA” me regji nga Ana Urushadze. Şerban Pavlu morri çmimin për aktorin më të mirë, ndërsa EMANUEL PÂRVU u shpall regjisori më i mirë.