Nga Barbara WESEL
Angela Merkel e ka luajtur me mençuri rolin e saj në këtë samit të rëndësishëm. Sepse fjalët e qarta që Evropa kërcënohet prej pushtetit të Donald Trump-it, siç parashtroi në fillim të samitit Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk, bartin në vetvete një farë mase mungesë uniteti. Ndonëse nuk pati rezistencë të Barbara WESEL hapur kundër kësaj linje të përbashkët, tek disa evropiano-lindorë duket të jetë e zbehtë tendenca për të dalë në ofensivë të hapur kundër Shtëpisë së Bardhë. Ndaj kancelarja bëri ç’ishte e mundur për ta ulur temperaturën emocionale.
Evropa përcakton fatin e vet
Lidhur me presidentin amerikan dhe paqëndrueshmërinë e tij, shpërthimet e tij dhe mungesën e njohurive për politikën botërore, Merkel nuk tha asgjë. Ajo e pati kritikuar qartazi vendimin e tij për ndalimin e udhëtimit në SHBA dhe e la me kaq. Sipas saj, Evropa duhet të kërkojë bashkëpunimin me SHBA bazuar në vlerat e veta, aty ku ka interesa të përbashkëta dhe përndryshe duhet të varet tek forcat e veta. Këtë këshillë u dha kolegëve të saj kryeministrja më me përvojë në radhët e tyre. Kjo është mënyra tipike e Merkelit, të presësh, të shohësh dhe pastaj të veprosh. Në sfondin e gjendjes aktuale të pasigurt kjo duket më e mençur. Por ndoshta kancelarja gabon me këtë qendrim, në një kohë që marrëzia po përfshin në masë Uashingtonin. Kur këshilltarja e presidentit Conway shpik një masakër prej migrantëve, që nuk ka ndodhur kurrë, kemi të bëjmë me një shkëputje prej përgjegjshmërisë politike. Diҁka e tillë e ka prejardhjen direkt nga kuzhina propagandistike e shtrigave të fashizmit të shekullit të 20-të. Kjo nuk ka të bëjë më me “fake” – kur është vetëm gënjeshtër dhe falsifikim. Duket e dyshimtë, se deri në ç’masë mund të bihet dakord për ndonjë gjë me këtë qeveri.
Kancelarja e ka të qartë se sa e rrezikshme është gjendja. Por ajo nuk mund t’i imponojë vendeve të tjera evropiane më shumë unitet. Ndaj dhe në fund ajo përmendi mundësinë, që mund të shkohet në Evropën e dy shpejtësive. Pas zgjedhjeve në Holandë, në Francë, në Gjermani e ndoshta edhe në Itali në BE do të merret një vendim. Nëse dëshirohet një e ardhme e përbashkët apo do t’u lihet Trump-it dhe ekstremistëve të djathtë të na bindin, se shpërbërja e BE-së dhe ringjallja e nacionalizmit janë një ide e mirë – kjo do të vendoset në 2017. Ndoshta në fund mbeten një grup i vogël vendesh, që do të duan të vazhdojnë të qëndrojnë bashkë. Ndoshta as kjo nuk do të jetë e mundur. Atëherë Evropa do të merrte fund, do të copëtohej në 28 vende të vogla dhe të mesme, shanset globale të të cilëve janë të mjerueshme. Fati i tyre kësisoj në mënyrë selektive do të përcaktohet prej Kinës, Rusisë dhe SHBA-së, pikërisht ashtu si e ka përshkruar në një letër të tij drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive Donald Tusk.
Vetëm bashkë ne mund të jemi të fortë …
Apelet për unanimitet janë ndërkohë emëruesi më i vogël i përbashkët. Ndoshta duhet të ndodhë edhe më shumë në SHBA, për t’ua bërë të qartë qeverive evropiane seriozitetin e gjendjes. Nëse vendet si Polonia apo Italia besojnë, se ato mund të gatuajnë në këtë mes çorbën e tyre, ato gabohen rëndë. Ne si evropianë do të mbijetojmë bashkë politikisht, ose do të dështojmë bashkë. Ende nuk është e qartë, se ku do të çon kjo rrugë. (DW)