Hyrje | Opinion | Një doracak i shkurtër i urrejtjes

Një doracak i shkurtër i urrejtjes

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Fatos BAXHAKU

Filozofët, shumë herë, thonë gjëra që nuk i kemi ditur aspak. Herë të tjera thonë gjëra që ne kujtojmë se i dimë, porse të shkruara prej tyre sikur na zënë vend më mirë në sirtarët e shumtë të truve tanë. Një prej këtyre gjërave që të gjithë ne kujtojmë se e dimë është dashuria. Jo vetëm ajo e telenovelave, e takimeve të fshehta, e psherëtimave dhe e betimeve për përjetësi, por dashuria vetë, të dashurit si veti thelbësore njerëzore, si cilësi që i lejon njeriut të jetë ndryshe nga gjallesat e tjera me të cilat është i detyruar të jetojë. Me këtë koncept u mor gjatë një prej filozofëve më të shquar të shekullit XX, gjermani hebre Erich Fromm (1900-1980). Në 1956-n u botua në Nju Jork libri i tij "Art of Loving". Titulli mund të përkthehet po njësoj si "Arti i Dashurisë", ashtu edhe "Arti i të Dashurit". Shumë shpejt libri u shndërrua në një "bestseller" të vërtetë. Në njëfarë mënyre, njerëzimi, a më mirë me thënë njerëzit e tij të ditur, e kuptuan se ishin marrë më shumë me urrejtjen se sa me dashurinë. Shumë vetë mbase do të pyesin veten se ku Fromm-i e ku hallet tona të një shteti të vogël të porsadalë nga shumë trauma të forta. Autori i këtyre radhëve mendon se ka një lidhje shumë të fortë mes atyre që shkruante Fromm-i këtu e 56 vjet më parë dhe atyre që na shohin sytë e na dëgjojnë veshët përditë e përditë më fort a më egër. Lidhja e parë është se sikurse të gjitha gjallesat njerëzore edhe neve na duhet të këndojmë, të flasim e të diskutojmë mbi dashurinë, lidhja e dytë mund të jetë mbase më interesante. Le të nisemi nga e kundërta e Fromm-it, pra nga urrejtja dhe jo nga dashuria. Urrejtja është bërë tashmë sunduesi i vërtetë i yni. Atëherë përse të mos mundohemi të bëjmë një përpjekje për të kategorizuar urrejtjen, duke u nisur sigurisht nga e kundërta e saj, dashuria.

Dashuri-urrejtja vëllazërore
Fromm-i thotë se dashuria vëllazërore është një nga format më thelbësore të dashurisë. Kur e ka shkruar këtë, me siguri nuk ka ditur se do të kishte edhe vende ku vëllai me vëllanë vritet për një pëllëmbë tokë, për një gardh të shtrembër, për një fjali idiote, për një zili të fshehtë, sikurse kjo ndodh rëndom te ne. Mjafton të ndiqni kronikën e zezë fort të pasur të shtypit tonë të shkruar dhe do ta kuptoni se dashuria vëllazërore te ne është bërë një gjë fort e rrallë, njësoj si një antikuar. Me togfjalëshin "dashuri vëllazërore" këtu kemi parasysh vetëm dashurinë që normalisht duhet të ekzistojë mes vëllezërve të një familjeje. Pa imagjinoni pak sikur me këtë koncept të kishim parasysh vëllazërimin mes njerëzve të feve, bindjeve, krahinave të ndryshme, partive të ndryshme. Sigurisht që dashuria vëllazërore në këtë rast do të ishte urrejtje vëllazërore, as më pak e as më shumë.

Dashuria prindërore e gërryer nga urrejtja
"Sikur një foshnje e porsalindur - shkruan Fromm - të mos e ndjente instinktivisht që në momentet e para që del në dritë dashurinë e nënës, atëherë ajo nuk do të mund të mbijetonte". Kjo shprehje nuk është gjë tjetër veçse një e vërtetë e rithënë bukur. Për fat të mirë dashuria prindër-fëmijë është aq e fortë, aq e rrënjosur thellë në subkoshiencën tonë sa në gjithë këtë valle të urrejtjes ajo mbase është e vetmja që mbahet ende në këmbë, veçse është lëkundur fort. Të duash është çështje instinkti, por edhe çështje kulture dhe shumë herë më shumë edhe çështje e barkut bosh. Hidhni sytë rreth e rrotull dhe shini se sa fëmijë të braktisur kemi rrugëve të qyteteve tona që kanë nisur të modernizohen nën peshën e betonit. Ku është dashuria prindërore e babait që masakron nënën në sytë e fëmijëve? Ku është dashuria prindërore te prindërit që i detyrojnë vajzat e tyre të lypin, të vjedhin, të kurvërojnë rrugëve të Tiranës, Durrësit, Shkodrës? Nëse e vrisni mendjen, do të kuptoni se dashuria më thellë në botë ka nisur të gërryhet gjithnjë e më fort nga mëria e kudondodhur.

Urrejtja si mungesë pranimi

Nuk është e thënë gjithnjë që të dashurit të shprehet në format e njohura romantike të tipit "Casablanca". Jo vetëm Fromm-i, por edhe shumë të tjerë e pranojnë se dashuria në kuptimin më të gjerë shprehet edhe në pranimin e tjetrit që është ndryshe, ka tjetër ngjyrë, vishet ndryshe, flet një gjuhë tjetër, ka bindje të tjera politike, e kështu me radhë. Në fakt, kjo është një mënyrë shumë e vlefshme të dashuri. Pa këtë, çdonjëri prej nesh do të rrezikonte të mbetej vetëm, në një botë të shurdhët, të zhveshur nga ngjyrat dhe të rrëmonte në vetminë e tij njësoj si një urith që mezi gjen dy krimba në ditë. Për fatin tonë të keq dhe shembullin më të qartë e japin deri më tani aktet e urrejtjes së pafre mes politikanëve, a më mirë me thanë mes krerëve të tyre, vendi që në krye të herës drejtohet nga njerëz, të cilëve u buron urrejtja edhe nëse nuk flasin as një fjalë të vetme. Pak nga pak urrejtja dhe jo të dashurit, të pranuarit, të bashkëjetuarit në një vend të përbashkët, po bëhet mbretëresha e vërtetë e këtij vendi. Nëse do të na kishte njohur, kush e di se sa gjatë e gjerë do të kishte shkruar Fromm-i për ne.

Dashuri-urrejtja për natyrën
Të duash natyrën nuk është vetëm një çështje mode. Nuk është vetëm një çështje e zëvendësimit të politikës së dështuar me lëvizje ambientaliste, me njerëz të veshur me jeshile dhe me shall në qafë. Është edhe kjo, por më shumë se kjo është çështje mbijetese. Dashuria e njeriut për natyrën është në njëfarë kuptimi krejt e ngjashme me dashurinë fëmijë-prind, ose të paktën kështu duhej të ishte. Çfarë ka ndodhur te ne para dhe pas diktaturës. Sa kohë qe diktatura në fuqi natyra u përdhunua keq fare. Tarracat, kombinatet e mëdha kimiko-siderurgjike, shfrytëzimi pa asnjë arsye i kullotave, pyjeve, ujërave çuan në një natyrë shqiptare të shfytyruar. Nga një komb blegtorësh e bujqish, të cilët dashurinë për natyrën e kanë të ngulitur thellë në mendje e zemër, u shndërruam befas në një komb vandalësh antinatyrë. Pas 1990-s, kohët ndryshuan dhe idealet, qofshin këto edhe të marra, u zëvendësuan thjesht me paranë. Paraja nuk pyet për "dashuriçka" të tipit romantik, sikurse janë ato për natyrën. Ajo gërryen gjithçka. Dhe kështu kemi përfunduar me lumenjtë tanë që janë shndërruar në ekspozita të trishta plehrash shumëngjyrëshe dhe jemi ende duke diskutuar nëse duhet të marrim apo jo plehra nga të tjerët. Se si t'ia vëmë emrin marrëdhënies që kemi sot me natyrën vendoseni vetë, por ka shumë gjasë që të jetë urrejtje dhe vetëm rrallë e tek dashuri. Rastet kur urrejtja ka mposhtur dashurinë te ne janë të shumta, e andaj kemi frikë se nëse i shtojmë sythe të tjera këtij doracaku, ca do të bëhemi të bezdisur e ca më shumë s'do t'u lëmë vend kolegëve të tjerë që të shkruajnë edhe lajme mbi urrejtjen që ka nisur të na përfshijë të tërëve. Gjithsesi, ky doracak i shkurtër nuk kishte si qëllim që t'ju mësonte se si të urreni, porse pikërisht të kundërtën.

Vlerëso tekstin
2.14
  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Tjera ngaOpinion
Previous
image
Britmat tona histerike?
Fadil LUSHI...
image
Profili psikologjik i shqiptarëve të sotëm
Në periudhën e sistemit komunist, shqiptarët kanë qenë konformistë të zellshëm dhe me natyrë të heshtur (gojëkyçur) në përgjithësi. Sot, në sistemin demokratik e të ekonomisë së tregut, elementë të tillë janë bërë latentë ose nuk kanë shfaqjen e dikurshme...
image
Danke Deutchland
Festim POLLOZHANI...
image
Islamizmi dhe Perëndimi
Bernard LEWIS...
image
Të rrezikuar nga vetvetja
Valbona MEHMETI...
image
Rebelimi i “Doku Fest”-it
Blerina Rogova - GAXHA...
image
A është krimbi kafshë?
Fatos BAXHAKU...
image
Muslims & Qafirs
Agim MEHMETI ...
image
PD ka humbur kredon morale
Andrea STEFANI...
image
Ra kjo vdekje e u pamë
H. Sulejman Rexhepi...
image
Pamje e zymtë e Kosovës
Mehmet KRAJA...
image
Shumica janë myslimanë, por kjo nuk e bën Shqipërinë myslimane
Lajmi që kish të bënte me atë djalin 24-vjeçar nga Librazhdi që mbeti i vrarë në Siri, kaloi pa shumë zhurmë. U publikua thjesht një ...
Next
Arkivi
first first Shtator, 2014 first first
Di Ma Me En Pr Sh
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30
Arkivi sipas gazetareve
Tags
Ska tags per kete artikull