Hyrje | Opinion | Ura e përgjakur e quajtur tranzicion

Ura e përgjakur e quajtur tranzicion

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Xhabir AHMETI

Ekstaza postkomuniste e viteve nëntëdhjetë, e cila na mbante në përqafim me premtimin për lirinë e madhe që po na vjen, nisi të shkrihej pas disa vitesh. Zgjohesh, pastaj, kthjellesh e del nga mbështjellca e mëndafshtë e transit dhe e sheh se vazhdon të jesh në mjegull, kurse mjegulla është po ajo, e vjetra. I fërkon sytë, të shohësh se çka ka dalë nga pritja, e sheh se s'ka gjë nga ajo që ke pritur. Ka vetëm prita të reja, kurse në to sheh militantë të cilët e mbrojnë një realitet të ndryshëm nga ai që e ke ëndërruar. Pastaj dëgjohen të shtëna. Thonë: luftë, luftë ka. Po nuk merret vesh kush lufton dhe pse luftohet. Pastaj ndërrohet pushteti. Shkojnë disa e vijnë disa të tjerë. Aq. Vetëm shkojnë disa e vijnë disa të tjerë. Çfarë po ndodh miq të dashur?

A erdhi liria? Të thonë se për të arritur lirinë e ëndërruar duhet të kalosh nëpër urën e panjohur të quajtur tranzicion. U përgjigjesh se ka kohë që po ecën nëpër të. Jo, jo, ende duhet të ecësh, ende... Vazhdon tutje. Merr përpara me hov e bie përsëri në trans. Je idealist. Do ta kalosh edhe këtë shteg donkishotian, mos t'i themi kalvar. Me vete e mban peshën e rëndë të stuhive që ke përjetuar gjatë jetës. E mban Dosjen ku ta kanë shënuar çdo frymë që ke marrë, ku e kanë regjistruar sa herë e ke përmendur Shqipërinë, ku e ke shkruar emrin e Kosovës, ku e kanë përshkruar krenarinë tënde si armiqësi kundër kombeve e kombësive jugosllave, ku të kanë përgjuar kur je deklaruar pse je çfarë je, ku ta kanë vënë shenjën e zezë të armikut numër një të shtetit, ku janë shkruar edhe hapat e imët të miut që ka ecur pranë teje derisa ke pritur Godonë në birucë, ku e ke listën e shokëve e të miqve të cilët e kanë paguar me lëkurën e vet pse e kanë lavdëruar Enverin ose pse e kanë sharë Enverin, ku i ke edhe akuzat kundër gjyshit e stërgjyshit. I mban me vete edhe kujtimet e hidhura nga fyerjet që ke përjetuar pse je çfarë je, pastaj të gjithë kujtesën që ta kanë përcjellë gojarisht ose përmes këngës popullore, ku ka vetëm dhunë ndaj teje, fyerje dhe shkelje të dinjitetit që nga koha e stërgjyshit e deri më sot, ku ke parë vetëm si derdhet gjaku i njerëzve të pafajshëm pse ideologjia i ka mbajtur për kundërshtarë. Nuk është lehtë të kapërcehet ky shteg me këtë barrë të rëndë në shpinë. Po ti megjithatë e përballon për shkak se e di shijen e lirisë, ani se asnjëherë s'e ke provuar. Rrugës të vijnë lajme që të duken të mira. Në timonin e pushtetit janë ulur disa veta që ti i njeh, e për të cilët ke dëgjuar mjaft fjalë të mira ose në mesin e tyre është ndonjë që e ke mik. Mik... mik... E fshin djersën e ballit e thua: më në fund, më në fund... A thua vallë është kjo një dritë në fund të tunelit? E vë dorën e djathtë mbi vetulla dhe nëpër mjegullën e rrallë e sheh mikun tënd atje lartë.

Shkon ngadalë dhe ia thua të gjithë tregimin të cilin e përmban pesha e rëndë që e mban udhës. Ti shpreson se ai do të thotë se ka mbaruar, se ka marrë fund kapërcimi i urës, por ai heshtazi ta ofron një cung të ulesh, të pushosh. "Pusho pak"... "Merr frymë"... Ti e kupton se udhëtimi yt s'ka mbaruar. Do të ecësh në këtë urë të gjatë. Ndërkohë mbi urën që duhet ta kalosh çohet pluhur nga qerret e shumta. Pranë parmakëve përsëri ka lypëse të ulura me një shami përpara dhe me një foshnjë të bërë mavi nga të ftohtët. Tisi i mjegullës kurrsesi të hiqet. Nëpër të i sheh njerëzit si ecin si thneglat, disa andej, disa andej. Disa janë me Hatën, disa me Hitën. Cilit do që t'i shkosh prapa, bën. Kryesorja është të ecësh me nijet ta kalosh urën e quajtur tranzicion, a kah Hata a kah Hita, krejt njësoj. Ndërkaq është e domosdoshme dora e hekurt e pushtetit. Ajo duhet të nderohet, të respektohet, të adhurohet. Dhe, ajo dorë do të jetë përjetësuar në grushtin e përmendores grandioze që quhet me shaka "Ushtari në kalë". Çohesh nga cungu. Kërkon të përshëndetesh me mikun që ka hipur lartë. Ai ka ikur pas punëve të tij, pa e vënë re fare dhe ti duhet përsëri të vazhdosh vetë ta kalosh urën e gjatë. Ecën, ecën, ecën, kurse ura s'ka të sosur. Një skenë e madhe është ku prishen disa ndërtesa, disa hapësira që grekët e lashtë i quanin temenos, të cilat u kanë bërë ballë furtunave të historisë dhe e kanë ruajtur shenjtërinë. Në vend të tyre ngrihen të larta përmendore të tjera, pa shije, mirëpo me mesazhe agresive. Peizazhi shtrihet i gjerë dhe nuk jepet as nga plagët që atij i shkakton arkitektura e dhunshme. Duken Malet e Sharrit në perëndim të mbuluara me borë, kurse Malet e Krojeve në jugperëndim e kanë ruajtur kaltërinë karakteristike, ndonëse kanë fituar shenja të parëndomta e me mesazhe që s'i kanë pasur më parë. Në prapaskenë ndjehet erë pluhuri me kashtë që vjen nga rrugët e fshatit e palohet nëpër pallatet e politikës. Dëgjohet edhe mesazhi që vjen si refren i cili përsëritet përmes megafonit me shenjën TV Sitel a TVM: duhet ta kalosh urën e gjatë të tranzicionit. Duhet, duhet, duhet... Ti lodhesh, pastaj, nga ky refren. Proteston.

Të lodhur, ecim. E dimë më, duhet ta kalojmë urën e mallkimit, mirëpo nuk e kemi të qartë pse gjatë kësaj maratone, të munduar e të varfër duhet edhe dajak të hamë nëpër shtëpitë tona ose kur shkojmë në shtëpitë tona, kur dalim në treg, në parking. Për këtë asnjë përgjegjës qeveritar nuk jep përgjegjësi. Ne kemi hëngër dajak. Kështu s'ka nevojë që askush të japë llogari. Pasoja do të kishte vetëm po të kishte qenë e kundërta. Çka na mbetet? Na mbetet të ecim në urën e quajtur tranzicion e duke ecur të presim ndonjë fjalë nga lideri. Kurse ai flet e flet në hapësirën e përgjithësimeve të cilave nuk u vë vesh as njeriu më indiferent në fushë të politikës, sepse me sytë e ballit e sheh se janë fjalë me të cilat ngrihet kalaja e blofit. Jemi mbi lumë dhe fjalët e tij i merr era. Kurse goditjet fizike që i marrin fëmijët e shkollës shqipe, na lënë plagë në shpirt. Pasojnë apele për qetësi. Të jemi të qetë. Ne. Vetëm ne. Jo të tjerët! Ndërkohë flakën e ferrit e ndezin gazetarë të sojit të Gebelsit. E ndezin dhe nuk u mjafton as kjo. Shkojnë e i hedhin edhe benzinë këtij zjarri. Njëri ndër ta bën një propagandë të tillë luftënxitëse, ku na fyen pa pardon, njësoj siç e bënte këtë makineria propagandistike naziste kundër hebrenjve. Megjithatë gazetari i këtij soji gebelsian mbetet në majë të piramidës së shoqërisë. O Zot gjithë atë pushtet mediatik e ka një njeri i këtillë, i cili nuk ngihet duke pështyrë e duke sharë një popull të tërë, por shkon dhe fyen edhe Malkolm Iksin! Po të kishte shkruar një gazetar shqiptar një tekst me kaq fyerje, çfarë do të kishte ndodhur vallë? Vetëm i madhi Zot e di. Dhe, për fund edhe një pyetje: po të kishin ndodhur këto gjëra të këqija, vrasje, rrahje në një situatë, kur, ta zëmë, ministri i punëve të brendshme të kishte qenë i partisë shqiptare? A do të mundte ta vazhdojë punën në kolltukun e tij? 

Vlerëso tekstin
2.57
  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Tjera ngaOpinion
Previous
Next
Arkivi
first first Nentor, 2014 first first
Di Ma Me En Pr Sh
1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30
Arkivi sipas gazetareve
Tags
Ska tags per kete artikull