“O ti rastësi, që mu ngatërrove një natë nëpër këmbë!”

….Një bubullimë shurdhuese u rrokullis befas përmbi qyetet. Pika shiu filluan të përplasen pas gjetheve të luleve. Vuri re , se si rruga zuri të pikëlohej në argjend të zi. Shiu erdhi duke u shtuar. Pikat e rënda e goditën në fytyrë. Dhe përnjëherësh ai s’po merrte vesh në ishte qesharak apo i mjerë, në vuante apo nuk vuante-dinte vetëm që po jetonte.Po jetonte! Ai ekzistonte e jeta e kishte pushtuar sërish, po e shkundte e, ai nuk ishte më spektator, nuk qëndronte më jasht saj; shkëlqimi i fortë i ndjenjës së pakontrollueshme vërshonte përsëri nëpër damarët e tij, si zjarri nëpër oxhake furnaltash; dhe, nuk kishte pothuaj pikë rëndësie në ishte i lumtur apo fatkeq; ai jetonte dhe e ndjente fort që po jetonte-dhe kjo ishte mjaft!
Vazhdonte të rrinte nën shiun që vërshonte mbi të porsi një breshëri qiellore mitralozesh. Rrinte atje , e ishte shi e shtërngatë e ujë, e tokë njëherësh; rrufetë e horizonteve kryqëzoheshin brenda tij; ai ishte edhe krijesë edhe element i natyrës; asgjë s’kishte më emër dhe kështu të gjitha dukeshin si të vetmuara e si të braktisura, të gjitha ishin njëlloj- edhe dashuria , edhe uji që derdhej tatëpjetë, edhe ato ndricimet e zbehta mbi catitë, edhe toka që dukej sikur po gufohej; s’ekzistonin me kufij dhe ai vetë ishte pjesë e të gjitha këtyre. Lumturia dhe fatkeqësia mbeteshin gëzhoja boshe te flakura tutje nga ndjenja e gjithëpushtetshme se po jetonte dhe se po e ndjente se po jetonte.
…..”o ti atje lart!” foli ai duke iu drejtuar dritares së ndricuar, dhe qeshi, dhe nuk e kuptoi që po qeshte.
“ti dritëz e vogël, ti vegim i një zane, ti fytyrë që ushtron një pushtet tv cuditshëm mbi mua, këtu mbi këtë planet, ku ka me qindra e mijëra fytyra të tjera, më të mira, më të bukura, më të mencura , më të ciltra, më besnike e më të afrueshme- o ti rastësi që mu ngatërrove një natë nëpër këmbë atje në rrugë e që hyre në jetën time, ti ndjenje e përplasur brigjeve, pa mendim, por robëruese dhe që rrëshqite nën lëkurën time në natë gjumi, ti, që s’di për mua pothuajse asgjë tjetër përvec asaj që të rezistova, dhe që prandaj mu hodhe ndër krahë, deri sa nuk të rezitova më, ti, që deshe të vazhdoje pastaj rrugën tënde të mërgoheshe prej meje-të përshëndes, të përshëndes! Ja tek po qëndroj këtu dhe s’ma merr mendja se do të qëndroj edhe një herë tjetër kështu. Shiu më depërton nën këmishë dhe është më i ngrohtë e më i ftohtë e më i butë se duart e tua dhe lëkura jote. Po qëndroj këtu i mjerë dhe me kthetrat e xhelozisë në bark, duke të të kërkuar, duke të të përbuzur, admiruar e adhuruar, sepse ke hedhur rrufenë që ndezi, rrufenë që dremit në cdo gji, shkëndijen e jetës, zjarrin e zi.
Po qëndroj këtu, jo më si një i vdekur me leje, me pak cinizëm, sarkazëm e me një cikëz guxim, jo më i ftohtë; jam përsëri i gjallë, qoftë edhe duke vuajtur, por sërish i prekshëm nga stuhitë e jetës, i rilindur e i rikthyer në pushtetin e saj të thjeshtë! Qofsh bekuar ti Mado, me atë zemrën tënde shtegtare, ti Nike me atë aksentin tënd latin! Ëndërr dhe mashtrim, pasqyrë e thyer e një perëndie të ngrysur, o ti që s’di asgjë- të falenderoj! Kurrë s’kam për të ta thënë, se ti do të nxirrje përfitimet e tua nga kjo-por ti ma ke rikthyer atë që s’do të ma jepte as Platoni, as krizantemat, as e gjithë poezia dhe as e gjithë mëshira, as dëshpërimi dhe as më e forta dhe, as më e durueshmia shpresë: Jetën e thjeshtë, të fuqishme, të mirfilltë, që më dukej si një krim në këto kohëra midis njërës katastrofë dhe tjetrës! Të falenderoj! Duhej të të humbisja që ta merrja vesh këtë! Mbetsh me shëndet!

shkëputur nga “Harku i Triumfit”

Erih Maria REMARK.
Përkthyer nga Robert Shvarc