Delvina KËRLUKU
KOHA: Z. Arsllani, jeni drejtor i Muzeut të Alfabetit Shqip, shtëpi kjo që tuboi dijetarët më të shquar shqiptarë. Si arritët të ngjiteni në këtë pozitë dhe cili është kontributi juaj?
ARSLLANI: Kam lindur më 11.8.1984 në Manastir. Shkollën fillore e kam kryer në gjuhën shqipe në shkollën fillore ”Goce Dellçev”, në Manastir, ndërsa të mesmen e kam mbaruar në gjuhën maqedonishte në gjimnazin ”Taki Daskallo”, po në Manastir. Fakultetin në degën e historisë e kam kryer në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Kam punuar ( dy vjet) si profesor i historisë në SHMK ”Car Samoill”, në Resnjë në paralelen e vetme me nxënës shqiptarë. Më vonë u punësova në SHK. F. ”Kërste Petkov Misirkov” në një fshat të Manastirit i quajtur Këshavë, aty punova 3 muaj. Pasi Shtëpia ku u mbajt Kongresi për Njësimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe u shndërrua në muze, aty u punësova si kustos më 29 prill 2011. Si kustos punova 3 vjet. Me largimin e drejtorit të mëparshëm jam emëruar si ushtrues i detyrës drejtor dhe nga marsi i vitit 2015 si drejtor i Institucionit Nacional “Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe” – Manastir. Pra, si drejtues i këtij institucioni unë punoj afër 3 vjet. Vullneti dhe përkushtimi i paluhatshëm më jep fuqi dhe forcë për të udhëhequr këtë institucion në këtë vend të mbetur me shumë pak shqiptarë. E ndjej si obligim moral për të punuar dhe sakrifikuar për gjuhën shqipe dhe formimin e një muze modern. Po, kjo është shtëpia që tuboi dijetarët, atdhetarët shqiptarë që dhanë një kontribut të paçmuar për gjuhën dhe alfabetin shqip. Ishin mbledhur nga të gjitha trojet shqiptare, pra në atë kohë të quajtur Vilajete. Kishte shqiptarë që përfaqësonin Vilajetin e Manastirit, Kosovës, Shkodrës dhe Janinës.
KOHA: Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë, e përbën gjuha shqipe. Sa po e përfillim ne këtë?
ARSLLANI: Sa i përket diturisë ne mund të fitojmë atë edhe nga gjuhët tjera. Por jo në gjuhë tjetër nuk do të dinim asgjë për atdhetarët shqiptarë dhe për gjuhën e letërsinë shqipe. Duhet të angazhohemi sa më shumë për ruajtjen e gjuhës, sidomos në qytetin tim. Unë këtë e them me plot përgjegjësi, sepse nisem nga vetja, kur isha në shkollë të mesme fare pak mësonim ndoshta dhe asgjë për shqiptarët dhe historinë e tyre. Jam dakord me pyetjen tuaj se atdhedashurinë mund ta gjejmë vetëm nëse mësojmë shqip. Sa i përket pyetjes se sa e përfillim atdhedashurinë, mund të them se kjo varet prej rrethanave dhe vendit ku janë rritur njerëzit apo rinia jonë shqiptare, si flitet në shtëpi, përse bisedohet ose lexohet literaturë shqipe, a bisedohet për rininë shqiptare që vuajtën dhe u shkatërruan në luftërat që u bënë në trojet e ish Jugosllavisë? Por, kohët e fundit edhe në Maqedoni, vetëm e vetëm për ta ruajtur identitetin dhe gjuhën e tyre, pra për mos asimilim. Vetë fakti se po ekziston një institucion me emër “Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe” dhe funksionimi i tij tregon se po e përfillim gjuhën shqipe dhe e respektojmë kontributin e dhënë nga viganët, të cilët e formuan alfabetin e gjuhës shqipe.
KOHA: Çabej do të thoshte se gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është treguesi i nivelit të kësaj kulture. Sa ruhet e përdoret gjuha shqipe në Manastir?
ARSLLANI: Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij. Po kjo thënie e gjuhëtarit të madh Eqrem Çabej është shumë e vërtetë dhe jam dakord me këtë, sepse gjuha është i vetmi thesar i çmueshëm që e identifikon një komb. Larg gjuhës tënde, larg të jesh vetja. Po nuk e di kush je, asnjëri s’je. Është edhe një fjalë e vjetër popullore: ”Ai që e zotëron gjuhën e vet, vlen më shumë se ai që e pushton një qytet”. Një popull duhet ta ruaj dhe kultivojë gjuhën si tipar identiteti e jo përkatësie, sepse ne shqiptarët jemi të pasur për kah përkatësia, nuk mund ta vë përkatësinë mbi kombin, nuk mund të jem turk, arab, pse jam me përkatësi myslimane, por nuk mund të jem edhe serb, maqedonas, çek e grek, italian, se jam me përkatësi ortodokse apo katolike. Këto përkatësi s’mund ta vënë në dyshim identitetin tonë kombëtar shqiptar. Duhet të nisemi nga i madhi Gjergj Fishta i cili citonte: ”Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë”. Pasi në Manastir nuk kemi shkollë të mesme dhe fakultete në gjuhën shqipe, ne si qytetarë të Manastirit, mundohemi që ta ruajmë dhe kultivojmë gjuhën tonë. Fakti që vetë iniciativa e qytetarëve të Manastirit që shtëpinë ku u mbajt Kongresi i Manastirit, e shndërruan në Institucion Nacional “Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, tregon se mundohemi me të gjitha forcat për ta ruajtur gjuhën tonë shqipe. Edhe pse me shumë vështirësi, ne mundohemi që ta ruajmë këtë çështje madhore të shqiptarëve.
KOHA: Kur kemi kaluar nga Manastiri, jemi ndalur te Muzeu i Alfabetit, kemi parë një investim që bëri Qeveria, kemi parë gjurmë të grafikeve antishqiptare, ku shkruhej ‘vdekje shqiptarëve’. Si ishte dje ky muze dhe si është sot?
ARSLLANI: Qeveria e Maqedonisë, përkatësisht Ministria e Kulturës ka investuar për restaurimin e objektit në brendi, është hapur ekspozita e përhershme e muzeut “Alfabeti shqip nëpër shekuj”, rregullimin e deposë së muzeut, hapja e dhomës përkujtimore e Komisionit që e hartoi alfabetin shqip, në fazë përfundimtare e kemi edhe projektim e ekspozitës me veshje kombëtare, hapja e klasës për fëmijë, janë rregulluar kamerat e sigurimit si dhe alarmi. Kemi realizuar shumë projekte, tryeza dhe konferenca shkencore dhe shumë të tjerë. Kam dëshirë ta theksoj se gjatë vitit 2016 kemi aplikuar në IPA fondet e Unionit Europian, bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Republikës së Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë, dhe e kemi fituar. Projekti ynë është ranguar i pari nga të gjitha projektet e tjera në këtë thirrje dhe nga fundi i vitit 2017 do të fillojmë me realizimin. Bëhet fjalë për rikonstruimin, restaurimin dhe sanimin e tërësishëm të Muzeut të Alfabetit nga jashtë, nga brendësia si dhe pajisje më moderne. Besoj se për një kohë të shkurtër Muzeu do të fitojë pamjen e duhur. Sa i përket parullave të shkruara në muze, ne jemi mësuar me ato parulla, na janë bërë si rutinë, sepse shqiptarët që nga viti 1981 i njohin ato parulla antishqiptare që kanë qenë të përditshme në vendet e përziera shqiptarë e maqedonas. Po nuk mund të them se të gjithë maqedonas janë njësoj dhe kanë të njëjtin mendim. Kemi shokë, shoqe dhe fqinjë që ndihmohemi në mes veti. Me këtë dua të them se çdo komb ka njerëz dashamirës dhe njerëz që mendojnë ndryshe, kjo vlen edhe për ne shqiptarët. Sa i përket krahasimit të muzeut dje dhe sot, mund të them se kemi bërë pak nga e djeshmja, por jo sa i përket të themi muze me plot kuptimin e fjalës sepse na presin punë të mëdha që muzeu t’i ngjajë një muzeu me vlera evropiane, duhet punuar shumë në këtë drejtim dhe duhet angazhuar më shumë, jo vetëm punëtorët e muzeut, por edhe të tjerët duhet të na ndihmojnë në këtë drejtim sepse muzeu nuk është vetëm i shqiptarëve të Manastirit apo shqiptarëve të Maqedonisë, Muzeu është i të gjithë shqiptarëve në rruzullin tokësor. Shtëpia ku u mbajt Kongresi i Alfabetit ishte e lënë në harresë më shumë se 100 vite. Para se ta hapim Institucion Nacional, këtë shtëpi në fillim e shfrytëzonte ujësjellësi i Manastirit, pastaj partitë politike shqiptare në Manastir për shtabe partiake dhe etj. Me fjalë të tjera ishte në gjendje të mjerueshme, por kur e kemi hapur si muze kjo situatë është ndryshuar dhe akoma po ndryshohet, mirëmbahet dhe tash me realizimin e projektit do të fitojë pamjen e duhur të një muze me vlera europiane.
KOHA: Sa ky muze është përkrahur nga Ministria e Kulturës? Dihet që Qeveria, përkatësisht ministria ka pasur një projekt për instalimin e kamerave në këtë institucion të rëndësishëm dhe kjo, në masë të madhe, ka ndikuar në mbrojtjen e këtij institucioni aq të rëndësishëm për ne?!
ARSLLANI: Ministria e Kulturës së Maqedonisë është burimi i vetëm që e përkrah këtë Institucion. Sa herë që kemi aplikuar me projekte ajo ka qenë e gatshme të na përkrahë dhe të na ndihmojë për promovimin e një pjesë të projekteve që kemi aplikuar. Gati çdo vit po na miraton projekte të ndryshme, të cilat një pjesë i preka më herët. Po, mund të them që prej kur u vendosën kamerat e sigurisë dhe alarmi, ndjehemi më të sigurt, edhe pse kur të eskalojë situata në ndonjë vend tjetër të shtetit, ndjehet dhe reflektohet edhe tek shqiptarët e manastirit.
KOHA: Alfabeti është i të gjithë shqiptarëve, por muzeu i alfabetit shqip i kujt është?
ARSLLANI: Alfabeti shqip është i të gjithë shqiptarëve të botës, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, ndërsa muzeu është i të gjithë njerëzve që janë dashamirë të kulturës dhe artit, ta njohësh një kulturë të një kombi tjetër është një pasuri e madhe kulturore për njerëzit.
KOHA: Cili është roli dhe kontributi i Shqipërisë në këtë muze, por edhe i asaj të Kosovës?
ARSLLANI: Për kontributin e shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës s’mund të them shumë, sepse deri më sot shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë kontribut të veçantë. Në muze kontribuohet në mënyra të ndryshme, ne nuk kërkojmë ndonjë ndihmë e madhe, veç të vinë dhe na vizitojnë. Kërkojmë që Ditën e Alfabetit Shqip, ta vizitojnë Muzeun në Manastir dhe së bashku të festojmë ditën që na ndriçoi rrugën, ditën që ishte udhërrëfyes kah pavarësia e Shqipërisë.
KOHA: Muzeu i Alfabetit është si “Kështjella e Rozafatit”, shqiptarët e ndërtojnë, maqedonasit e shkatërrojnë? Kush duhet të bëhet “kurban”, që ky tempull i shkronjave shqipe të jetë ashtu siç duhet?
ARSLLANI: Që ky tempull të jetë ashtu siç i përket, duhet të bëhemi kurban të gjithë shqiptarët, por më së shumti Qeveritë shqiptare, si dhe Ministritë e Kulturës së tre shteteve, ato duhet të jenë urë-lidhëse, të kenë marrëveshje në mes shteteve fqinjë të respektojnë kulturën e njëri tjetrit dhe ta forcojnë me punë dhe investim këtë tempull të shkronjave shqipe. Kur e përmendët Kështjellën e Rozafatit, më kujtua se, të gjithë njerëzit nuk janë të besueshëm dhe kurban bëhet ai më i drejti që nuk di të dredhojë dhe tradhtojë vëllezërit e tij. Kurban gjithmonë bëhet ai që flet drejtë.
KOHA: Në ditën e Alfabetit Shqip, ky muze është vizituar nga funksionarë partiak, ministra, e artistë. Ç‘do të thotë kjo për Manastirin. Dhe a e kanë pa se në ç’gjendje është ky muze?!
ARSLLANI: IN “Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe” është i hapur për çdo vizitor dhe dashamirës i kulturës shqiptare, pa marrë parasysh përkatësinë partiake ose funksionin. Më çdo 22 Nëntor ky muze vërtetë vizitohet shumë nga funksionarë të profileve të ndryshëm, nga nxënës të shkollave të ndryshme, pastaj e vizitojnë artistë, shoqëri kulturo-artistike dhe shumë të tjerë. Të gjithë e kanë parë gjendjen e Muzeut, disa e kanë ditur si ka qenë dhe si është tani, të gjithë e dinë se ka nevojë për investim por un do të kisha thënë që për çdo punë që bëhet nevojitet kohë dhe vullnet. Shpresoj dhe besoj që për një kohë të shkurtër, Muzeu i Alfabetit do të fitoj pamjen e një muze bashkëkohor.
KOHA: Duke pasur parasysh se Manastirin e kanë shkelur e përdhosur, i kanë larguar shqiptarët. Si frymon sot ky qytet?
ARSLLANI: Manastirin siç e njohin historianët ka qenë qyteti i patriotëve shqiptarë, pra qytet i shqiptarëve, por me kalimin e kohës, e sidomos në vitet e pesëdhjeta shqiptarët me të madhe e lëshuan Manastirin dhe emigruan në Turqi duke propaganduar se atje ka një jetë më të mirë. Si të gjithë qytetet shqiptare edhe Manastiri ishte viktimë e shovinistëve serbë, duke filluar nga luftërat ballkanike, pastaj Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, luftërat që ndodhën në ish Jugosllavinë, por edhe lufta në Maqedoni, të gjitha këto ndikuan edhe në përdhosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga vendet e tyre. Manastiri sot frymon ndryshe nëse nisemi nga vitet e 1900. Sot në Manastir shumë rrallë mund të gjesh në qytet shqiptarë që mund të bësh një intervistë. Manastiri ka një kahe dhe një frymë tjetër që mund ta vëresh posa të hysh në qytet. Falë Javës së Alfabetit që shënohet me ndonjë manifestim kulturo-artistik, ndonjë tryezë e rrumbullakët, nga 14 i deri më 22 nëntor, ku jepet ndonjë shfaqje apo koncert dhe për 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit, ku mbahet edhe Akademi Solemne, pas kësaj date në Manastir thua se mbetet pa shqiptarë.
KOHA: Cila është historia e paraardhësve tuaj. Po historia e fëmijërisë dhe rinisë tuaj, në Manastir?
ARSLLANI: Kur përmend paraardhësit e mi, mendoj për familjen time të ngushtë, gjyshi, gjyshe, nënë, baba etj. Gjyshi im ka lindur në një fshat të Krushevës, i quajtur Bellushinë. Ai ka pasur dy djem dhe 5 vajza. Djali më i vogël është babai im, i cili ka vetëm dy djem. Në vitet e 70-ta janë shpërngulur nga fshati Bellushinë të Krushevës, në Manastir. Unë kam lindur në Manastir dhe jetoj në këtë qytet së bashku me babin, nënën, vëllanë, nusen e vëllait, nipin e vëllait dhe bashkëshorten ime. Faktor kryesor ka qenë kushtet e vështira e jetesës që gjyshi im, së bashku me vëllain e tij të braktisin fshatin dhe të vendosen në qytetin e Manastirit. Për historinë e fëmijërisë ime nuk kam çfarë të theksoj, jemi shkolluar në kushte të vështira, që nga shkolla fillore, edhe pse në gjuhën shqipe, prapë kemi pasur lëndë në gjuhën maqedonase sepse kishim mungesë e kuadrove shqiptare. Në shkollën e mesme të gjimnazit kam qenë nxënësi i vetëm shqiptar në klasë, nga gjithsej 35 nxënësve. Kam pasur dilema për në shkollën e lartë se çfarë drejtim të regjistrohem. Mungesa e arsimtarëve shqiptarë në Manastir më ka shtyrë që të bëhem arsimtar dhe të punoj si arsimtar. Kam regjistruar fakultetin Filozofik në Universitetin e Tetovës, dega e Historisë, për arsye se në Manastir kemi veç dy historianë të cilat sot janë në pension. Mund të them se ëndrra e fëmijërisë nuk mu realizua që të bëhem arsimtar në shkollën shqipe në Manastir, mirëpo kemi bërë një punë të madhe dhe e hapëm Muzeun e Alfabetit dhe tash jam drejtor në këtë institucion dhe ndjehem krenar që e jap kontributin im në këtë institucion.
KOHA: Cila është kënga që është kënduar Manastirit dhe që i këndohet sot?
ARSLLANI: Për Manastirin, qytetin e shkronjave shqipe (Alfabetin shqip), qytetin e konsujve, qytetin që njihej si çerdhe e patriotëve shqiptarë është shkruar shumë. Kanë shkruar historianë, shkrimtarë e poetë. Por kënga që është kënduar e këndohet edhe sot është kënga ”Mora rrugë nga Manastiri” kënduar nga këngëtarja e njohur kosovare Shkurte Fejza. Ne si shqiptarë të Manastirit nuk mund t’i lëmë pa i përmendur edhe këngëtarët tjerë që i kanë kënduar qytetit tonë dhe Alfabetit shqip. Ata janë: këngëtari i njohur Demir Krasniqi nga Gjilani i Kosovës, Ylli Baka i kushtoi këngën ”Manastir prandaj të dua”, Avni Lushtaku, Halim Haliti, Zait Aliu e Habib Rushani nga Manastiri etj.
KOHA: Plaga e kurbetit ndjehet në Manastir, përse ikin shqiptarët..?
ARSLLANI: Plaga e kurbetit nuk njihet vetëm për shqiptarët e Manastirit, fatkeqësisht, kjo ka qenë një plagë e cila i ka përcjellë shqiptarët e të gjitha trojeve që nga shekujt e mëhershëm. Shqiptarët e Manastirit, ikin për të mbijetuar, sepse skamja, kushtet ekonomike, papunësia e madhe i ka detyruar që të marrin rrugën e kurbetit. Në disa fshatra rreth qytetit të Manastirit, në të cilat kanë banuar një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve, sot thuaj se kanë mbetur me disa ose kanë ikur të gjithë. Kushtet më të volitshme për jetesë i kanë shtyrë edhe këta shqiptarë nga kjo pjesë e Maqedonisë që ta lënë vendlindjen e tyre dhe të marrin rrugën për në kurbet. Kemi edhe qytetarë të cilat me anë të martesave ikin dhe jetojnë në kurbet. Shpresoj që ky trend i shpërnguljes nga Manastiri të ndaloj dhe të gjithë së bashku të jetojmë, punojmë, kontribuojmë për një ardhmëri më të mirë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.