Delvina KËRLUKU
Ziber Lata është lindur më 16 korrik të vitit 1985, në qytetin e Dibrës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Shkollën e mesme islame te Medreseja “Isa Beu”, në Shkup. Në vitin 2003 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, ku dhe diplomoi në kohë me një sukses të dalluar. Pas përfundimit të studimeve, vazhdon studimet plotësuese për specializimin e gjuhës arabe në Damask të Sirisë. Po atë vit (2008), ai regjistrohet në studimet e magjistraturës në universitetin “El-Xhinan” në Liban, në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Arabe, mirëpo për shkak të trazirave në Lindjen e Mesme, largohet dhe ndjek studimet e magjistraturës në Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoni, gjegjësisht në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në vitin 2012 arrin që ta mbrojë me sukses temën e magjistraturës “Orientalizmat në leksikun e gjuhës shqipe, te letërsia e bejtexhinjve”.
Në vitin 2013 u regjistrua në studimet e doktoratës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij”, Fakulteti Filologjik. Në fund të vitit 2016 arriti ta përfundojë edhe këtë cikël studimesh, me temën “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe – analizë gjuhësore”. Ziber Lata qysh në vitin 2009 ka qenë i angazhuar në Fakultetin e Shkencave Islame në cilësinë e demonstratorit të gjuhës arabe, pastaj si bashkëpunëtor, bashkëpunëtor doktorant dhe tani si docent. Po ashtu, në cilësinë e ligjëruesit është i angazhuar edhe në Universitetin e Tetovës, Fakulteti Filologjik, dega Filologji Orientale. Krahas angazhimit akademik, Ziber Lata ka qenë aktiv edhe me aktivitete të ndryshme sociale dhe fetare në vendlindje dhe gjetkë. Ziber Lata është i martuar dhe ka tri vajza.
KOHA: Keni marrë rrugë që në moshë të re për të nxënë mësimin fetar. A është arsimi investimi më i mirë për njeriun?
LATA: Pa mbushur ende katërmbëdhjetë vjet, i nxitur nga kultura e kamotshme fetare e familjes sonë, vendosa të regjistrohem në shkollën e mesme islame Medreseja “Isa Beu” në Shkup, për të trasuar rrugën e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë dhe për t’i shërbyer idealizmit të çiltër fetar dhe altruist që na reflektonte nga çdo anë. Aftësia për të menduar është elementi i cili e dallon njeriun nga çdo gjallesë tjetër, prandaj investimi në sferën e arsimit është thelbësor për qenien njerëzore, për të mos thënë i vetëm, sepse ky është investim për të krijuar njeriun. Aq sa njeriu është i aftë të mendojë, po aq është më afër njerëzores. Krahas teorive të ndryshme ekzistencialiste, edhe mësimet fetare islame çdoherë i kanë dhënë përparësi arsimimit dhe zhvillimit intelektual, bile në shumë rite fetare e ka bërë parakusht aftësinë e të menduarit. Sipas mësimeve fetare, gjëja e parë e krijuar është lapsi, të cilit i është dhënë urdhri “shkruaj!”, mirëpo ky laps assesi nuk duhet të mendohet si send fizik, por si simbolikë e diturisë dhe arsimimit. Po ashtu, fjala e parë e zbritur nga Kur’ani është pikërisht imperativi “lexo!”. Pra, njeriu është njeri aq sa e lodh mendjen. Po ashtu, nëse i kthehemi historisë sonë të ndritshme kombëtare dhe fetare, do të shohim se atëherë kur kemi investuar në arsim kemi qenë dikush, e kur kemi stagnuar në këtë drejtim, kemi qenë të shtypur dhe të nënvlerësuar.
KOHA: I arsimuar është ai që mund të mendojë për atë që ndjen, të thotë atë që ai e mendon dhe ta dijë se çfarë thotë. Sa shqiptarëve të Maqedonisë u dëgjohet fjala e tyre?
LATA: Në studimet bashkëkohore të traduktologjisë, një lloj përkthimi, konsiderohet edhe aftësia për ta shprehur atë që ndjen. Edhe pse ajo kurrë nuk mund ta gjejë përgjegjësen e vet, përsëri, aftësia për ta përfaqësuar sa më denjë, për ta përkthyer sa më pastër ndjenjën në ide dhe idenë në ligjërim varet nga shkalla e përgatitjes arsimore të individit. Kështu arsimimi bën lidhjen mes dy elementëve përbërës të njeriut, mes trupit dhe shpirtit, sepse ura lidhëse mes tyre është arsyeja e shëndoshë njerëzore. Historikisht populli shqiptar ka kaluar shumë sfida gjatë ekzistencës së vet. Pavarësisht faktorëve, ata kanë qenë të shtypur dhe të privuar nga shumë gjëra të domosdoshme për mbarëvajtjen e jetës. Në rrethana të këtilla nuk ka se si u dëgjohet fjala shumë shqiptarëve. Pastaj kur janë pyetje shqiptarët e Maqedonisë, numri i njerëzve të arsimuar ka munguar shumë në të kaluarën. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ndodhën shumë masakra me shqiptarët që ishin jashtë kufijve. Më e trishtueshme është fakti i vrasjes dhe persekutimit të kuadrit arsimor, në mënyrë që okupatorët të bëjnë çfarë t’u dojë qejfi me shqiptarët. Masakrat e 1013, të Luftës së Parë Botërore, të Luftës së Dytë dhe të luftërave ballkanike, ua morën të drejtën e fjalës shqiptarëve të Maqedonisë, sepse duke ia asgjësuar elitën intelektuale, e lanë pa mendje dhe pa gjuhë. Si përfundim, pasi në të kaluarën shqiptarët në këto hapësira kishin më pak qasje në arsim, edhe fjala u dëgjohej më pak, kurse tani që arsimimi i shqiptarëve po ritet çdo ditë e më shumë, edhe zëri i tyre do të jetë më buçitës në këtë shtet të brishtë politikisht. Veçanërisht tani që shqiptarët janë ngopur dhe janë duke e kaluar fazën e shkollimit masiv kuantitativ.
KOHA: Hoxhallarët dibranë në vazhdimësi kanë dhënë një kontribut në ndërtimin e shtetit shqiptar. Sot, si i shihni hoxhallarët dhe a japin një kontribut të devotshëm në shoqërinë tonë?
LATA: Dibra ka një pozitë qendrore në gjeografinë e popullit shqiptar, prandaj gjatë historisë aty përreth janë zhvilluar shumë ngjarje të rëndësishme. Hoxhallarët dibranë kanë qenë pjesëmarrës në çdo ngjarje të rëndësishme të popullit shqiptar. Ata çdoherë kanë qenë përkrah popullit, asnjëherë nuk kanë punuar kundër interesit fetar dhe kombëtar. Shpeshherë kanë qenë edhe protagonistë kryesorë të nismave dhe finalizimeve kombëtare. Pa dashur të flas gjerësisht për kaluarën, do të shkëpus vetëm dy momente: së pari, kontributin e Haxhi Vehbi Dibrës, i cili përveç pjesëmarrjes në shpalljen dhe nënshkrimin e pavarësisë, është njeriu që e zbuti popullatën myslimane që ta njohin shtetin shqiptar, sepse kishte ende zëra për t’i qëndruar besnik Portës së Lartë, dhe legjitimoi me fetva shqiponjën dy krenare në flamurin kuq e zi; së dyti, kontributin i Faik Vildan Dibrës në Kongresin e Manastirit, i cili si përfaqësues i shqiptarëve të Stambollit e legjitimoi alfabetin latin dhe i qetësoi të gjithë me qëndrimin e tij fetar. Pra, hoxhallarët në të kaluarën morën pjesë në hartimin, realizimin dhe finalizimin e kauzës kombëtare shqiptare.
KOHA: Cili është kontributi i ulemave shqiptarë në gjuhën dhe letërsinë shqipe në përgjithësi dhe në veçanti në Maqedoni?
LATA: Hoxhallarët shqiptarë në Maqedoni: ligjëratat, hytbet, mësimet nëpër mejtebe dhe shumë shërbesa të tjera fetare i kanë zhvilluar në gjuhën shqipe, në kohën kur nuk ekzistonin as universitete në këtë gjuhë. Veçanërisht në disa vende, si Dibra, është bërë përpjekje maksimale që çdo shërbesë fetare-islame, kuptohet ajo që mundej, të bëhet në gjuhën shqipe. Në këtë sferë, meritë të madhe ka ish-myftiu i Dibrës apo kryetari aktual, Ruzhdi Lata. Kontributi i ulemave në gjuhën dhe në letërsinë shqipe ka qenë i vazhdueshëm. Nuk ka asnjë periudhë historike që ulematë mos kenë gisht në sferën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Po ashtu, duhet theksuar se ulematë shkruanin shqip dhe me grafi latine atëherë kur të tjerët e kundërshtonin. Hafiz Ali Korça ka disa vepra gjuhësore dhe letrare në gjuhën shqipe, Said Najdeni ka përpiluar abetare shqipe me grafi latine, Faik Vildan Dibra udhëtoi nga Stambolli për t’i qetësuar gjakrat në Kongresin e Manastirit, Haxhi Vehbi Dibra, përveç të tjerave, themeloi Komunitetin Mysliman Shqiptar dhe e bëri që ai të frymojë vetëm shqip etj. Këta ishin disa nga figurat islame-kombëtare që politikisht dhe shkencërisht kontribuuan në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në periudhën e monizmit apo socializmit në Maqedoni, veprimtaria fetare ishte e ngulfatur vetëm brenda mureve të xhamisë dhe me disa shërbesa të kufizuara fetare. Sidoqoftë, ajo që ishte filloi të frymojë në gjuhën shqipe. Në këtë periudhë, një kontribut të dalluar kanë dhënë hoxhallarët – orientalistë, të cilët ishin të kyçur nëpër katedrat e ndryshme të orientalistikës, ku përveç kontributit në filologjinë orientale, ata pas vetes lanë edhe vepra kapitale në fushat gjuhësore dhe letrare të gjuhës shqipe. Hoxhallarët vazhdojnë të ruajnë veprat letrare islame, bile në shumë vende ato ende përdoren në jetën e përditshme. P.sh. vepra “Mevludi”, përkthim i Hafiz Ali Ulqinakut, një poemë e kulluar për jetën e Muhamedit a.s., vazhdon të recitohet nga mbarë myslimanët edhe në ditët e sodit pa iu ndryshuar as edhe në shkronjë e vetme, njësoj si para një shekulli e gjysmë.
KOHA: Në dialektet tona janë të huazuara shumë fjalë të huaja si ato turke, sllave, arabe, etj. Çfarë bëhet për uljen e përdorimit të fjalëve të huaja dhe cilët janë faktorët që ndikojnë në to?
LATA: Fillimisht duhet thënë se depërtimi i huazimeve në gjuhën shqipe nuk ka ndodhur vetëm në të folmet apo dialektet, por edhe në gjuhën letrare, sepse tek e fundit, gjuhën letrare (standardin) e kemi përftuar nga vetë dialektet dhe të folmet krahinore. Pastrimi i tërësishëm i një gjuhe nga huazimet e një gjuhe tjetër është i pamundur dhe i panevojshëm, sepse nuk ka asnjë gjuhë në botë që është ndërtuar në vete, pa u ndikuar nga një gjuhë tjetër paraprake. Meqë kontaktet kulturore kanë një rëndësi të veçantë në huazimet leksikore, atëherë për të pasur një gjuhë pa fjalë të huaja duhet të kemi një popull pa kontakt kulturor me popujt tjerë, gjë që është e pamundur. Jo çdoherë pastrimi i të gjitha leksemave të huaja është i shëndetshëm për një gjuhë. Ka huazime të cilat kanë zënë vend në gjuhën mbërritëse shumë kohë më parë, me të cilat janë shkruar shumë vepra, janë thurur poezi, janë bërë pjesë përbërëse e gjuhës së dytë etj., kështu që, largimi i tyre prek në trashëgiminë kulturore të një populli, p.sh. nëse ne e heqim nga gjuha shqipe arabizmin këmishë, atëherë kemi prekur në thelbin e gjuhës shqipe, sepse kjo fjalë figuron në njërin nga dokumentet e para të gjuhës shqipe, në fjalorthin e Arnold von Harffit etj. Çështja që duhet shtruar është mundësia për t’i zëvendësuar disa huazime me fjalë të gurrës shqipe. Pra, në vendet ku mund të përdoret fjala e pastër shqipe, atëherë nuk duhet përdorur huazimi. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që ajo duhet flakur fare, sepse mund të përdoret në të folmet krahinore, në veprat e ndryshme letrare apo në rrafshin stilistik. Sot bota është bërë një fshat global, prandaj leksiku u gjuhëve të popujve të mëdha derdhet dhe u imponohet gjuhëve të popujve të vegjël. Pra, gjuhët që kanë zhvillim permanent të koncepteve gjuhësore çdoherë ndikojnë te gjuhët që e kanë humbur aftësinë e zhvillimit konceptual. Një pjesë e leksikologëve janë fokusuar në pastrimin e gjuhës shqipe prej arabizmave, persizmave, truqizmave, sllavizmave etj., gjë që është punë e mirë nëse studimet janë objektive. Mirëpo, unë mendoj se vëmendja tani duhet fokusuar në një krah tjetër, në ballafaqimin me neologjizmat. Këto dy dekadat e fundit në gjuhën shqipe po infiltrohen fjalë të huaja (neologjizma), saqë ua kalojnë edhe huazimeve orientale, së cilave për të depërtuar u deshën pesë shekuj të tërë. Në fund, duhet ditur se gjuha mbrohet kur ajo studiohet e zhvillohet dhe jo kur mbrohet subjektivisht.
KOHA: Çfarë nënkupton për Ju “Zani i Naltë”?
LATA: “Zani i Naltë” është revistë e botuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe e pasuruar me shumë materiale fetare, kulturore, filozofike, sociologjike, astronomike, publicistike etj. Karakteristikë tjetër e kësaj reviste është se ajo u themelua dhe në të u derdh boja e penave të burrave që e themeluan Shqipërinë. Pra, bëhet fjalë për një revistë ku u gërshetuan përvojat e së kaluarës me vizionet e së ardhmes. Këtë revistë, unë personalisht, e shoh si modelin më të mirë dhe platformën më të denjë të myslimanëve shqiptarë për të krijuar identitetin shqiptar – mysliman modern, i cili herë anon kah lindja e herë kah perëndimi. Mësimet islame janë njësoj në çdo cep të botës, gjë e cila është e pakontestueshme, mirëpo kultura që fitohet nga gërshetimi i islamit dhe nuancave tradicionale të një populli nuk është i njëjtë. Kur një popull e humb këtë element, atëherë, ose do të huazojë një model tjetër tradicional të ushtrimit të fesë në rrafshin kulturor, i cili zakonisht është arab apo turk, ose do të endet herë kah lindja e herë kah perëndimi duke mbetur pa një model të mirëfilltë. Kështu që, ne shqiptarëve myslimanë nga kjo amulli mund të na nxjerrë vetëm versioni bashkëkohor i mendësisë së “Zanit të Naltë”.
KOHA: Njëri ndër parimet kryesore të harmonisë ndërfetare është edhe respektimi i ndërsjellët i simboleve fetare, me theks të veçantë i atyre simboleve që janë të dukshme për anëtarët e secilit grup, siç janë minaret dhe kryqet. A mund të jetë simboli fetar kërcënues i harmonisë fetare në Maqedoni?
LATA: Respektimi i simboleve vjen kur dy komunitete fetare respektohen edhe në segmente tjera. Pra, ose kemi bashkëjetesë, ose kemi konflikt. Qetësimi artificial apo me direktivë politike është afatshkurtër dhe shpeshherë i kobshëm kur rrënohet. Për mua personalisht bashkëjetesa nuk fillon kur njeriu të rritet, por qysh në fëmijëri. Fatkeqësisht ne nuk i edukojmë fëmijët tanë që të njohin edhe faqen tjetër të botës, apo ta pranojnë tjetrin ashtu siç është, sepse vetëm shumëllojshmëria e ngjyrave e krijon mozaikun më të bukur. Kështu që, thelbi i problemit nuk është respekti apo mos respekti i simboleve, por edukimi apo mos edukimi për të jetuar me tjetrin. Sa i përket, harmonisë fetare, aty ku myslimanët kanë qenë shumicë, asnjëherë nuk ka pasur probleme ndërfetare. Shembull më të mirë e kemi rastin shqiptar, ku në luftën e zhvilluar në Maqedoni, komunitetin maqedonas dhe objektet kishtare në Dibër, Tetovë dhe në vendet tjera me shumicë shqiptarë – myslimanë, nuk i cenoi askush, por nëse shohim të kundërtën, atëherë rezultati është fatkeq. Kjo tregon se diktues i harmonisë ndërfetare është komuniteti shumicë. Përpjekjet bashkëkohore për ta paraqitur myslimanin si radikal janë krejt të pabaza, sepse ato janë projekte të gatuara në kuzhina dashakeqëse ndaj islamit, ku fatkeqësisht protagonistë janë disa myslimanë naivë apo të shitur. E gjitha qartësohet nëse pak mendojmë rreth këtyre pyetjeve: përse myslimanit sirian i duhet të udhëtojë me mijëra kilometra deri në Francë apo Angli për të vrarë një të krishterë, kur të krishterë ka edhe brenda në Siri? Kështu që vrasja dhe terrorizmi nuk mund të burojnë nga asnjëra fe, por janë prodhim i naiviteteve dhe mendjeve të sëmura.
KOHA: Ka dekada që u lejuan bashkësitë fetare të kthehen në jetën shoqërore. Jo vetëm aq. Me një gatishmëri të dyshimtë, sundimtarët e shqiptarëve i kanë shtyrë bashkësitë fetare që të bëhen parësore në identitetin e njerëzve. Përfundimi logjik është që mbas pak viteve një shqiptar mysliman do të ndihet më shumë turk se shqiptar, një shqiptar ortodoks do të ndihet më shumë grek se shqiptar, dhe një shqiptar katolik do të ndihet më shumë italian se shqiptar, dhe një evangjelist do të ndihet më shumë i huaj se shqiptar. Si mendoni?
LATA: Identiteti fetar dhe kombëtar vijnë ndesh njëri me tjetrin vetë, kur njëri prej tyre të keqkuptohet, sepse nacionaliteti dhe feja asnjëherë nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Është mbidoza fetare apo ajo nacionale që bën përzierjen e njërës te tjetra, dhe pastaj rezulton me fërkim. Kështu që, rrëzimi i sistemit që fenë e proklamonte si opium për njerëzimin u hapi dyert feve që ato përsëri ta ripozicionojnë veten në mesin e popullit. Rikthimi i bashkësive fetare ishte forma e vetme për ta kontrolluar jetën fetare në vend, mirëpo problemi qëndron diku tjetër, ku bashkësitë fetare formohen nga ndërhyrjet e shteteve të tjera, atëherë ata imponojnë edhe interesat e tyre. Dua të bëj një dallim mes bashkësive islame shqiptare dhe bashkësive shqiptare të feve tjera. Nëse i hedhim një vështrim formimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, atëherë do të shohim se ai qysh në fillim u themelua nga një njeri që e nënshkroi pavarësinë e Shqipërisë, prandaj nuk kishte si themelonte më vonë një bashkësi që do të vepronte kundër interesave të po këtij shteti. Qysh atëherë dhe deri më sot, kryetarët e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të Bashkësisë Islame në Maqedoni dhe Kosovë, janë zgjedhur shqiptarë, nga shqiptarët dhe vazhdimisht dhe paralelisht kanë punuar për kauzën kombëtare dhe fetare. Kurse realiteti i bashkësive të tjera nuk është i njëjtë. kështu që, shqiptarët nuk kanë se frikësohen nga elementi islam, sepse ai asnjëherë nuk i ka tentuar t’i asimilojë, por përkundrazi e ka mbrojtur nga asimilimi. Islami u pajtua me shqiptarinë e shqiptarëve, sepse ai nuk favorizon asnjë nacionalitet ndaj tjetrit, thjesht i njeh si diversitet kulturor, kurse të krishterët bashkë me krishterimin, promovonin sllavizmin apo romanizmin e shqiptarëve.
KOHA: Si e shihni brezin e ri në përfshirjen e religjioneve, veçmas atë islame, në Maqedoni?
LATA: Trendët teknologjike bashkëkohore e kanë drejtuar njerëzimin drejt një bote materiale virtuale dhe të lodhshme. Kjo çdo ditë e më shumë e ushqen elementin fizik të njeriut, por e lodh dhe e dobëson elementin shpirtëror brenda njeriut. Kështu që, shekulli i XXI, siç potencojnë shumë mendimtarë, është shekulli i kthimit kah bota shpirtërore e njeriut. Dalldisja pas materiales apo shpirtërores është veprim i gabuar. Ajo që kërkohet është baraspesha mes tyre, gjë e cila është forma më e mirë e jetesës së njeriut në këtë botë. Këtë baraspeshë e ngërthen edhe islami brenda vetes, prandaj unë mendoj se brezi i ri do ta kapë këtë model jetese dhe do të jetë i kujdesshëm që t’i vë në vijë paralele vlerat materiale dhe shpirtërore që i ka të ngulitura në vetë karakterin e tij.
KOHA: Avancimi i fesë ka ndodh apo mund të ndodh?
LATA: Fillimisht duhet kuptuar se avancim apo ngecje kanë myslimanët, kurse feja është ajo që është, as nuk avancohet dhe as nuk ngec, sepse feja është një model hyjnor i të jetuarit e cila është ndërtuar mbi principe që çdoherë të jetë në trend dhe në kohë, apo thënë më mirë është zhveshur nga kodi i funksionimit brenda kohës, prandaj vlen për çdo kohë. Sa u përket myslimanëve, ata ndonjëherë avancohen dhe duken të përparuar, e ndonjëherë ngecin dhe bëhen demode për kohën që jetojnë, por kjo aspak nuk duhet t’i përshkruhet fesë, sepse ajo lidhet me çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me vetë njeriun, kurse feja është modeli më i përkryer për të jetuar në këtë botë dhe për ta fituar edhe botën e përtejme.
KOHA: Duke u mbështetur në procesin e zgjidhjes së situatave problematike të arsimit, në Maqedoni dhe fazave të tij, nëpër të cilat kalon procesi arsimor, paraqiten vështirësi. Si e shihni, Ju?
LATA: Paraqitja e vështirësive është një tregues i mirë se diçka është në proces e sipër. Ashtu siç Maqedonia ka kaluar (apo kalon) në procesin e tranzicionit politik, po ashtu duhet të kalojë edhe tranzicionin edukativo-arsimor. Kështu që, rrethanat arsimore nuk janë të ndara nga rrjedhat politike dhe sociale të një shoqërie. Në fillim na mungonin shkollat, të cilat i fituam. Na mungonin diplomat, por edhe me ato u mbushëm deri në fyt. Tani, sipas meje e ka radhën përmirësimi i kualitetit arsimor, sepse e kërkon nevoja, prandaj mendoj se në të ardhmen duhet t’i bëjmë hyzmet kësaj pike, sepse me të tjerat jemi ngopur.
KOHA: I jeni përkushtuar arsimit dhe shkencës, fesë dhe familjes. Të gjitha këto, a ju plotësojnë si njeri?
LATA: Të tre këta komponentë e plotësojnë nga një segment të jetës sime. Ato asnjëherë nuk përbëjnë lodhje, sepse njeriun e lodhin vetë gjërat që i vijnë nga jashtë, kurse ato që i ka pjesë të tërësisë së tij shpirtërore dhe fizike vetëm e plotësojnë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.