Urim HASIPI
Tetovë, 13 korrik – Pas dhjetë vitesh burg, Tafil Dauti, tashmë 50 vjeçar po shijon ditët e para në liri. Ai kur u arrestua kishte 40 vjeçar, ndërsa thotë se është i pafajshëm. Ai kishte lënë në shtëpi 4 fëmijë, të cilët kishin ngelur pa asnjë përkujdesje. Sipas tij, i tërë rasti ka qenë i montuar dhe është arrestuar pa asnjë faj, shkruan gazeta KOHA. “Ne kemi vuajtur burgun pa asnjë faj, nuk kemi bërë veprën për të cilën na kanë akuzuar. Mua dhe tre anëtarë të tjerë të familjes sime, na kanë marrë nga dhoma dhe na kanë arrestuar. Na dënuan me dhjetë vite burg. Kjo është padrejtësi, sepse na kanë humbur për asgjë dhjetë vite të jetës sonë”, thotë Tafil Dauti, një nga të liruarit e Rastit të Brodecit. Ai shprehet se drejtësia në këtë shtet nuk vlen dhe do të kërkojnë që të zbardhet e vërteta për rastin e Brodecit.
“Ne kërkojmë që rasti i Brodecit të zbardhet në tërësi dhe të del e vërteta në shesh. Nëse do të kemi financa do të kërkojmë sërish rigjykim, sepse kështu siç jemi kjo i vjen se ne jemi fajtorë për atë që na akuzojnë. Falënderoj të gjithë ata dashamirë që u përkujdesën për familjen tonë në kohën kur isha në burg, sepse ata kanë jetuar shumë keq. Kanë qenë pa asnjë të ardhur dhe kjo na e ka bërë më të vështirë burgun”, tha ai.
Ndërkohë ai sqaron se në burg nuk është maltretuar. ”Gjatë vuajtjes së dënimit nuk kanë maltretuar vetëm në fillim, por megjithatë të vuash dënim për një vepër që nuk e kë bërë është padrejtësi nga ana e shtetit dhe organeve gjyqësore dhe e vërteta duhet të të zbardhet njëherë e përgjithmonë”, theksoi Tafil Dauti.
Ndërkaq, një banor i fshatit Brodec, tha se lirimi i të arrestuarve është një dhimbje e madhe për banorët. ”Lajmin e kemi pritur me shumë dhimbje, njerëz të pafajshëm kanë qenë në burg dhjetë vjet. Kjo është shumë për një njeri që për asnjë vepër të dënohet kaq shumë. Edhe pse ata janë liruar, dhimbja nga ajo kohë nuk hiqet, sepse banorët e fshatit kanë qenë të burgosur pa asnjë faj”, deklaroi Fejzullah Fejzullahu, banor i Boredecit.
Të liruarit tjerë nuk kanë dashur të flasin pas lirimit të tyre nga burgjet e Maqedonisë. Në ndërkohë, banorët theksojnë se ky rast nuk mund të harrohet, edhe pse kanë kaluar më shumë se 9 vite që kur 13 bashkëfshatarë të tyre u arrestuan, shumë shtëpi u dogjën, disa të tjerë u maltretuan dhe vuajtën dënim që nuk e merituan shumë bashkëvendës të tyre. Fejzullah Fejzullahu kërkon që tashmë dhjetë vite që shteti të kompensojë dëmin e shtëpisë së djegur, por thotë se gjykatat nuk sjellin asnjë vendim dhe shtëpinë e ka ndërtuar me duart e tij. Të akuzuarit për rastin e Brodecit u dënuan gjithsej me 192 vjet burg. Në burgjet e Maqedonisë në vitin 2007 u dënuan me nga 10 vjet burg për veprën terrorizëm nga fshati Brodec, Nadi Dauti (48) vjeçar, Tafil Dauti (40), Rametulla Dauti (26), Shkëndim Dauti (25), Hanif Dervishi (51), Baftjar Beqiri (44), Izmit Ahmeti (56), Hebib Ahmeti 12 vjet burg, atëherë 30 vjeçar (30), Florim Ahmeti (25), Nevzat Zyberi (54), Shehir Zyberi (29), Nevzat Arjani (54) si dhe Memet Islami (28) nga Tetova. Gjatë vuajtjes së dënimit dy prej të akuzuarve ndërruan jetë në burgjet e Maqedonisë, gjegjësisht Nevzat Arijani dhe Hanif Dervishi. Përndryshe, në burg vazhdojnë të mbeten edhe katër të akuzuar për këtë rast. (koha.mk)