UDB deri në Plenumin IV i ndiqte vetëm shqiptarët, gjuha shqipe ishte e nënçmuar, punësimi i shqiptarëve nëpër institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore ishte shumë i vogël… Megjithatë, ndër intelektualët shqiptarë, të cilët asaj kohe patën guximin ta grejnë zërin kundër padrejtësive, duhet veçuar shkrimtarin tonë të mirënjohur Memedali Hoxhën, pastaj Imer Imerin, Rezak Halimin, Sali Ramadanin – Kërçovën dhe të tjerë
Nga Qerim LITA
Zvarritja e vendimeve të marra në mbledhjen e Katërt të KQ të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë e cila u mbajt më 1 korrik 1966 në Brione, ku ndër të tjerave thuhej: “kombësia shqiptare, ngjashëm si kombet e kombësitë tjera në RSFJ-ë, do ti fitoj të gjitha të drejtat e veta nacionale, politike, arsimore, kulturore ekonomike etj”, krijoi një pakënaqësi tek popullsia shqiptare në RS të Maqedonisë. Në këto rrethana, në sipërfaqe doli inteligjenca shqiptare, e cila shtroi një sërë kërkesash të cilat kishin për qëllim përmirësimin e statusit të shqiptarëve në RSFJ-ë, që shqiptarët, ngjashëm si kombet tjera në Jugosllavi, të kenë një qendër të vetme politike e kulturore; popullsia të quhet shqiptare (albanci) e jo si deri atëherë “shiptari”; shqiptarëve t’ju mundësohet përdorimi i lirë i simboleve kombëtare; krijimi i institucioneve të larta arsimore e kulturore etj.. Tërë kjo, për ta, ishte mase e domosdoshme, për arsye se ,”realizimi i barazisë në Maqedoni ishte demagogji”, se “ekziston numri i madh i të burgosurve, se UDB deri në Plenumin IV i ndiqte vetëm shqiptarët, se gjuha shqipe ishte e nënçmuar, se punësimi i shqiptarëve nëpër institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore ishte shumë i vogël…etj”. Ndër intelektualët shqiptar të cilët asaj kohe patën guximin ta grejnë zërin kundër padrejtësive, duhet veçuar shkrimtarin tonë të mirënjohur Memedali Hoxhën, pastaj Imer Imerin, Rezak Halimin, Sali Ramadanin – Kërçovën etj.
Duhet theksuar se kërkesat e shtruara nga inteligjenca shqiptare, udhëheqja komuniste maqedonase në krye me Kërste Cërvenkovskin i vlerësonte si “nacionaliste”, përkatësisht “armiqësore”, të cilat për qëllim kanë “cenimin e integritetit territorial të RS të Maqedonisë” dhe krijimin e “një republike të vetme për shqiptarët në RSFJ”. Si rrjedhojë e një qasje të tillë të kreut të LKM-së ndaj problemit shqiptar, gjatë vitit 1967 në trevat shqiptare të kësaj republike u zbuluan një numër i madh i parullave me përmbajtje antishqiptare. Një parullë e tillë u zbulua në dhjetor të vitit 1967 në qendër të Gostivarit, përmbajtja e së cilës ishte me sa vijon:
“Disa shokë tanë si Imer Imeri, Rezak Halimi etj, të cilët mbajnë funksione me përgjegjësi janë luftëtar për Shqipërinë e Madhe dhe se ata kërkojnë bashkëngjitjen e një pjese të Maqedonisë me Shqipërinë. Shkruesit e parullës në fjalë – thuhej më tej në informatë -‘patriotët e mëdhenj’ të Maqedonisë, kërcënohen se janë të gatshëm të luftojnë kundër këtyre udhëheqësve”.
Për të parë më për së afërmi se si trajtohej problemi shqiptar në këtë republikë nga ana e udhëheqjes partiake jugosllave, në vazhdim po e botojmë dokumentin me titull “Problemet rreth marrëdhënieve ndërnacionale në Maqedoni” i cili është botuar më 2 shkurt 1968 në Buletin e KQ të LKJ-së në Beograd. Origjinali i dokumentit gjendet në Arkivin e Jugosllavisë, fondi 507 (KQ i LKJ-së) në Beograd.
PROBLEMET RRETH MARRËDHËNIEVE NDËRNACIONALE NË MAQEDONI
Buletini i KQ të LK të Maqedonisë, përcolli disa informata /nga KRr të LKM-së Kisella Vodë – Shkup; KRr të LKM-së Strugë; KRr LKM-së Gostivar/ për disa dukuri nacionaliste të cilat janë zhvilluar në kohë të fundit në këtë Republikë. Disa prej tyre po i nxjerrim në pah, si dhe për mënyrën e zgjidhjes së të drejtave të kombësive.
Studentët e vitit të I e të II të grupit albanologjik si dhe studentët të grupit turk pranë Akademisë Pedagogjike kah mbarimi i vitit të kaluar, përmes një letre i janë drejtuar Këshillit të arsimtarëve dhe drejtorit të Akademisë, në të cilën ankohen për stërngarkimin e programit për shkak mësimit të lëndëve ndihmëse dhe kërkojnë të largohet mësimi i lëndës së letërsisë jugosllave. Kërkesën e njëjtë e kanë dërguar edhe arsimtarët e gjuhës shqipe dhe turke të kësaj Akademie. Në mbledhjen me arsimtarët e gjuhës shqipe dhe turke, në të cilën erdhi deri te një konflikt bukur i madh /”këtu është Jugosllavi e jo Shqipëri/, arsimtarët e gjuhës shqipe dhe turke propozimin e modifikuan me atë që të ngelet lënda e letërsisë jugosllave – me fondin e zvogëluar të orëve.
Vitin e kaluar, /19 dhjetor/ gjatë pritjes me rastin e ndarjes së shpërblimit “Koço Racin” në grupin e punëtorëve të njohur kulturor të Maqedonisë, Memedali Hoxha (në dokument qëndron Memed Alihoxha – Q. L) filloi ti ofendoj të pranishmit, pranë së cilës shtroi edhe çështje të karakterit nacional, madje në disa raste ofendoi kombin maqedonas dhe e mohoi ekzistimin e tij. Ai ka thënë se nuk ekziston kombi maqedonas; se nuk ka Akademi të Shkencave dhe Arteve Maqedonase porse ekziston Akademia e Shkencave dhe Arteve në Maqedoni; se ka shumë pak shkolla shqipe (në dokument thuhet “shiptarski” – Q. L.), ndërsa në reagimin e njërit prej pjesëmarrësve se në Shqipëri nuk ka asnjë shkollë maqedone edhe pse ka popullsi maqedonase, ai është përgjigjur se “maqedonasit nuk janë për shkollë porse për të pastruar rrugët e Tiranës”.
Për shkak marrjes së aksionit për ngritjen e flamurit shqiptar nga ana e pjesëtarëve të grupit irredentist në rrethin e Strugës ose të personave, të cilët ata i kanë angazhuar, si dhe me qëllim të pengimit të aktivitetit armiqësor të grupit, është ngritur procedurë penale kundër 7 personave. Vihet në dukje se në grupin ilegal janë përfshi edhe persona nga Ohri, Struga, Resnja dhe Manastiri.
Në informatën e shkruar të cilën një grup i qytetarëve të Kërçovës ia kanë dorëzuar KQ të LK të Maqedonisë, me rastin e hapjes së paraleleve shqipe (në origjinal “shiptarske”) në gjimnazin e qytetit, theksohet se “kundër kësaj iniciative kanë qenë kryetari i Kuvendit Komunal, sekretari i Komitetit, kryetari i LSPPM-së, kryeshefi i shërbimit shoqëror e të tjerë”. Në informatë kritikohet edhe mënyra e deritanishme e zgjidhjes së çështjes kadrovike, sjellja e disa profesorëve ndaj nxënësve shqiptarë si dhe situata e përgjithshme në gjimnaz. Gjithashtu insistohet se “në bashkësitë territoriale ku jetojnë më shumë kombësi, ngritja e kuadrit duhet shikuar mbi bazën e më shumë kombësive” – për çka kësaj çështje nuk i është dhënë rëndësi në Kërçovë.
Në fjalën hyrëse në mbledhjen e zgjeruar të KRR të LK Gostivar /mbajtur më 4 dhjetor 1967/, me rastin e shqyrtimit të dukurive është përmendur edhe reagimi i disa anëtarëve të LK-së në lidhje përdorimin publik të gjuhës së kombësive /mbishkrimet, sipërmarrjet/. Është theksuar rasti i parullës së vendosur në një librari në të cilën ofendohen disa shokë /pjesëtarë të kombësisë shqiptare/, pastaj reagimi i SPB-së lidhur me rastin për gjoja këndimin e himnit shqiptar në restorantin “Central”.
Gjithashtu përmendet edhe rasti i shkollës tetëvjeçare në shatin Vërtok ku, për shkak vendimit që në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase gjuha shqipe të jetë lëndë obligative, erdhi deri te ndërprerja tetëditor të mësimit. Rasti i ngjashëm ka ndodhë edhe në fshatin Sencë etj.
(Nga buletini i KQLKJ-së. Beograd, 2 shkurt 1968)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.