Qytetarët e Drenasit po votojnë sot për të zgjedhur Kryetarin e tyre të ri, pas dorëheqjes së Nexhat Demakut, i shpallur fajtor për krime lufte nga EULEX’i. KQZ njofton se ka shpërndarë me kohë materiali sensitiv nëpër të gjitha Qendrat e Votimit në Komunën e Drenasit. KQZ thotë se janë hapur me kohë të gjitha Vendvotimet në Komunën e Drenas për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këtë komunë sipas Listës Përfundimtare të Votuesve të miratuar nga KQZ-ja është: 52 mijë e 569”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.Numri i qendrave të votimit është 28 me gjithsejtë 72 vendvotime. Postin e të parit të Drenasit e synojnë kandidatët: Ramiz Lladrovci (PDK), Bedri Nika (LDK), Isa Xhemajlaj (NISMA), Elmi Thaçi (AKR), Vehbi Berisha (Fjala) dhe kandidati i pavarur Xhavit Drenori. Në fletëvotime figurojnë edhe emrat e kandidatëve të pavarur Naim Bazaj e Rrahim Elshani të cilët ishin tërhequr nga gara por që Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa nuk ka pranuar emrat e tyre të largohen nga fletëvotimet pasi ata ishin certifikuar paraprakisht nga KQZ.