Nga Roberto FABRI
Nga krijues prej hiçit i një partie “as të djathtë dhe as të majtë”, në favorit për të hyrë në Elysee (Pallatin Presidencial francez), në balotazhin e 7 majit. Dhe është vetëm 39 vjeç. Legjenda e “enfant prodige”, Emmanuel Macron jo vetëm që vazhdon, por ajo premton të jetë vetëm fillimi. Në qoftë se, ashtu si parashikojnë të gjitha sondazhet e opinionit, ai do të mundë lehtësisht Marine Le Pen pas dy javësh, ish-ministri i Ekonomisë i qeverisë së François Hollande do të fitojë presidencën, duke thyer për herë të parë pas disa dekadash, duopolin historik golistë-socialistë. Një duopol që u fundos pjesërisht nga evoluimi i shoqërisë franceze, dhe pjesërisht nga provat zhgënjyese të ofruara nga dy presidentët e fundit, Sarkozy dhe Hollande (pa harruar marrëzinë e François Fillon me punët e rreme për gruan dhe fëmijët e tij, në ngarkim të tatimpaguesve).
Ndërsa dy partitë “fituese të përjetshme” tashmë po “lëpijnë plagët” dhe me siguri do të nisin larjet e brendshme të hesapeve, Macroni përgatitet për të udhëhequr Francën. Por për ta bërë me dinjitet – do t’i duhet që të kapërcejë një pengesë tjetër, jo më pak të frikshme se zgjedhjet presidenciale: zgjedhjet legjislative, të planifikuara në dy raunde, më 11 dhe 18 qershor. Me atë rast do të shohim nëse partia e tij e re “En Marche” (inicialet e të cilës janë E. M. ashtu si edhe emri i tij) ia del të marrë një shumicë historike në Parlament; përndryshe, presidenti më i ri i Republique, do e gjejë veten në gjurmët e paraardhësve si François Mitterrand dhe Jacques Chirac, të dënuar për bashkëjetesë me një Asamble Kombëtare, dhe pastaj me një qeveri, me ngjyra të ndryshme nga e tyrja. Sigurisht, socialistët dhe të djathtët e qendrës që u mundën, do të kërkojnë një “revansh” në zgjedhjet parlamentare. Por këto janë probleme të nesërmes. Sot, Emmanuel Macron është në momentin e tij magjik, ku mund të shijojë fitoren e menjëhershme. Ai e di se në 7 maj, gjithmonë nëse nuk bëhen gabime shumë të mëdha, drejt tij do të shkojnë votat e një shumice dërrmuese të francezëve – të djathtë dhe të majtë – të cilët do të votonin për këdo, por jo për të parë Marine Le Pen të hyjë në Elysee. Ai e di, në të njëjtën kohë, se nuk mund dhe nuk duhet të paraqitet vetëm si kandidati “kundër dikujt”, por se ka ardhur koha që të kryejë detyrën që i ka caktuar vetvetes, për të përfaqësuar një Francë të re, më në fund të divorcuar nga konfrontimi ideologjik mes të majtës dhe të djathtës.
Fjalët e tij të para dje në mbrëmje, pasi mësoi të dhënat fillestare ishin: “Ne kemi kthyer një faqe të historisë.” Ai do të ketë në favorin e tij, përveç lodhjes së francezëve me logjikët e politikës së vjetër, karakteristikat e veçanta të karizmës së tij personale: forcën intelektuale që e bëri që, në të tridhjetat të shkëlqejnë në botën e financave, energjinë rinore, forcën e karakterit që tregoi kur braktisi Hollande vitin e kaluar, për t’i hyrë një rruge të re politike. Kundër tij mund të luajë antipatia instinktive e “Francës së thellë” ndaj një të riu që vjen nga shkollat e elitës, pro-evropian dhe që ndihet mirë në botën e bankave të mëdha, pak i prirur për të pranuar se emigracioni, sidomos islamik, përfaqëson për njerëzit një problem të vërtetë, dhe se lidhja ndërmjet këtij dhe terrorizmit që ka gjakosur Francën është një gjë e mirëqenë. Kundërshtarja e tij sovraniste do të luftojë deri në minutën e fundit, por Macroni nuk ka pse i trembet asaj. Do të jenë kundërshtarët e tij të sotëm që do e ndihmojnë. Rivali që e trembte ishte François Fillon, por ai u mund vetë, me ndihmën e vogël të “Le Canard Enchainé”. (Il Giornale)