Çlirohuni nga prangat e frikës dhe mos e lini vetëm një punëtor të papunë kur ngre zërin, një prind kur proteston për shkollën, një profesor të pushuar nga puna padrejtësisht, një viktimë të drejtësisë, një votues të dënuar pse nuk ka votuar në mënyrë të detyruar…
Nga Arben TARAVARI
Frika! Kjo ndjenjë aspak e këndshme na shoqëron gjithë jetën. Gjatë gjithë historisë të njerëzimit Frika ka q3në frenuese e shumë zhvillimeve shoqërore dhe është një armë e jashtëzakonshme për të gjithë ata që duan të ndalojnë një gjest të caktuar apo edhe një popull të tërë të jetojë ashtu si nga ana tjetër ka qenë promotor që ka arritur të eliminojë shumë armiq të cilës do natyrë.
Frika në kulturën shqiptare kryesisht është shenjë burracakërie dhe vogëlsie, pavarësisht se po nga të vjetrit tanë ka dalë proverba: frika ruan vreshtin! E mençur si thënie sepse duke e lidhur me profesionin tim të neurologut bën sens shkencor, pasi një njeri që s’ka frikë domethënë që Truri ka anomali funksionale, që nuk percepton ndaj nuk reagon! Mirëpo nga ana tjetër çfarë është ajo që shkakton frikë? Le të ndalojmë në këtë fenomen emocional që është i lidhur ngushtë me amigdalën ne tru, në fakt frika lind nga truri. Frika është një përgjigje emocionale që prodhon truri, në momentin që percepton gjendje rreziku! Çdo kërcënim që kuptohet si i tillë sjellë një ndjenjë të lartë shqetësimi e cila dëmton cilësinë e jetës të individit që pëson, pra që ka frikë. Por është pikërisht po e njëjta ndjenjë që tek individë të tjerë ndez kurajon si përgjigje, dmth që ka shumë individë të cilët kanë një prag frike që pasi e kalojnë atëherë janë të lirë për të vepruar jashtë presionit të saj.
Në rajonin cerebral të Amigdalës gjenden disa neurone që cilët janë kujdestarët e frikës, quhen Qeliza të Tipit I dhe janë këto le t’i quajmë ministra të frikës.
Ajo që shkencërisht më bën kurioz është Pragu i Frikës. Është i ndryshëm tek çdo individ, ashtu si është i ndryshëm dhe lloji i karburantit që do motori i frikës për tu ndezur. Por në momentin ku kemi të bëjmë me kushte sociale të përbashkëta, me njerëz që kanë frikë nga i njëjti fenomen, si mund të veprohet që këta individë të shpëtojnë nga ndjenja më e pakëndshme pas vetmisë, që është pikërisht Frika?!
Thonë që armët e vetme të Djallit janë Frika dhe Dyshimi, e bëra këtë aneks religjioz për të forcuar ende më shumë idenë se sa e papëlqyeshme është ndjenja e frikës! Por si mund të shpëtojmë prej saj?! Një nga format më të shpeshta që Truri e zhvillon frikën është si pasojë e kanosjes objektive, pra një kërcënimi konkret (sëmundje, vetmi, varfëri, denigrim). Por a mund të merret autonomia e Amigdalës? A mund të rrisim kontrollin në neuronet që shkaktojnë frikën dhe që janë jashtë diktatit të Ndërgjegjes tonë?
A mund të ketë një prag frike që na përkufizon të gjithëve?! Pasi mendoj që nëse frika është e përbashkët, si në rastin tonë p.sh që vjen nga keqmenaxhimi i pushtetit, nga varfëria, nga mungesa e mundësive, nga kërcënimi i të ardhmes të fëmijëve, atëherë edhe reagimi duhet të jetë i përbashkët! Që kemi frikë është kuptuar tash e disa vjet, dhe tek e fundit është krejt normale të kesh frikë para faktorëve të tillë të riskut, por nuk është normale që të vazhdojmë të bashkëjetojmë me Qelizat e Tipit I të cilat në trurin tonë duket se kanë ardhur në pushtet dhe ushtrojnë regjimin e tyre prej një kohe kaq të gjatë.
Ndjenja e tmerrshme e Frikës duhet të arrijë pragun e saj. Nëse jo të gjithë mund të mbysin frikën ndaj sistemit, atëherë shikoni ato burra e gra, vajza e djem të cilët po ikin. Nuk ju mjafton braktisja masive që po i ndodh vendit për te kuptuar që është koha të largohemi nga qarku i Frikës?!
Nëse analizojmë me gjakftohtësi elementet që na intimidojnë janë të gjithë të arsyeshëm, pra është normale që përballë kësaj strukture të kesh frikë, por ende më shumë normale është të heqësh dorë nga frika. Duke pësuar shqetësimin e humbjes të lumturisë ne nuk kemi bërë asgjë tjetër veçse e kemi humbur këtë lumturi! Kjo vërtetohet përditë me numrin progresiv të atyre që dorëzojnë çelësat e vendlindjes duke ikur. Domethënë që të paralizuar nga neuronet e Frikës ne nuk po shkojmë dikundi përveç se në izolim të personalitetit dhe në vetshkatërrim. Lajmi i mirë është që po të njëjtët faktorë që na mbajnë të ndrydhur mund t’i përdorim për të gjetur lirinë personale që përkthehet në mirëqenie shoqërore. Mendojeni trurin tuaj si një muskul që ka nevojë për stërvitje. Filloni të autosugjestioni neuronet tuaja, qoftë edhe Qelizat e Tipit I që shkaktojnë frikën tek ne dhe do të kuptoni se si pas pak kohe do të fillojnë t’ju përgjigjen. Mos e lini ndërgjegjen tuaj të thërrasë vetëm brenda, ngreni zërin. Çlirohuni nga prangat e frikës dhe mos e lini vetëm një punëtor të papunë kur ngre zërin, një prind kur proteston për shkollën, një profesor të pushuar nga puna padrejtësisht, një viktimë të drejtësisë, një votues të dënuar pse nuk ka votuar në mënyrë të detyruar. Nëse bëheni të gjithë bashkë, truri juaj do ta ketë më të lehtë stërvitjen drejt vullnetit të lirë, drejt qytetërimit i cili është i yni, është në trurin tonë, në mikun tim që i ka brenda të gjitha misteret por dhe të gjitha përgjigjet.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)