Delvina KËRLUKU
Neritan Turkeshi u lind në Dibër, në vitin 1981. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në vendlindje. Fakultetin ekonomik në Universitetin e Evropës Jug Lindore, në drejtimin e financave. Për të vijuar në studime të magjistraturës në Shkup, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, drejtimi ekonomik, tema e masterit: ”Menaxhimi apo udhëheqja me rreziqet bankare”. Me pas vijoi studimet e doktoraturës në Beograd, në Institutin Ekonomik Evropian në mbështetje të Kombeve të Bashkuara dhe më 2012 në një komision me emrat më eminent të financave dhe bankave (me mentor Tihomir Domazet, Jeremiç, Adamoviç etj), mbrojti temën e doktoraturës: “Rëndësia e politikës monetare në ndikimin e sistemit bankar, me theks të veçantë në Republikën e Maqedonisë”. Në moshë të re u angazhuan si kryetar i Rinisë në Kryq të Kuq, në Dibër. Ka punuar si redaktor ne gazetën për të rinj, “Euroidea”, që botohej në UEJL – Tetovë, si ndihmës redaktor në gazetën “Magazina familjare”. Prej vitit 2006 punon në Universitetin FON, së pari si asistent, mandej, prej vitit 2014, angazhohet si profesor i rregullt. Gjatë këtyre viteve ka ligjëruar në disa kolegje në Kosovë. Është pjesëmarrës i dhjetëra konferencave ndërkombëtare, si në Londër, Itali, Francë, Romë, Beograd, Mal të Zi, etj… Neritan Turkeshi njihet me veprat: “Bazat e ekonomisë”, në bashkautorësi, viti 2009, Shkup, Universiteti FON; “Bazat e menaxhimit”, në bashkautori , viti 2009, Shkup, Universiteti FON; “Bazat e menaxhimit”, në bashkautorësi, viti 2014, Prishtinë, AAB; “Brend menaxhmenti”, Shkup, 2014, Fon Universiteti; “Roli i politikës monetare mbi sistemin bankar, me theks të veçantë në RM”, 2014, Shkup; “Ekonomia bankare”, 2015 Shkup. Sot ligjëron përpos në Universitetin privat FON, në Shkup, ligjëron si dhe është mentor i disa kandidateve për magjistër dhe ko-mentor i kandidateve për doktoraturë në Institutin Ekonomik Evropian, pranë Kombeve te Bashkuara në Beograd.
KOHA: Z. Turkeshi, jeni doktor i shkencave ekonomike dhe profesor universitar. Si lindi dëshira për t’ju qasur arsimit dhe shkencës?
TURKESHI: Arsimi dhe shkenca janë apo paraqesin procese komplekse dhe një sfide e madhe për gjithë arsimtarët dhe ligjëruesit. Por, me një angazhim të madh si dhe një përkushtim më të veçantë, do të mund të shkohet drejt një synimi dhe forcimi të kapaciteteve edukativo-arsimore në një shoqëri. Pra, kjo që thash më lartë, dua ta ndërlidh pikërisht me pyetjen se: si lindi dëshira për qasje në arsim? Ishte një telefonatë e të ndjerit prof. Dr. Shaban Prevalla, i cili më ofroi që të isha asistent në një nga lëndët që ai ligjëronte në universitetin më të ri në atë kohë, në universitetin e parë privat – FON. Ne me profesorin në fjalë njiheshim prej më herët, pasi që unë shpesh e kontaktoja ku edhe merrja këshilla, meqë ne kishim të njëjtin drejtim -financa, por edhe më shumë na lidhte çështja e politikës monetare, që profesori ligjëronte dhe ishte ekspert i kësaj lënde. Siç edhe e dimë, ai atëbotë ishte edhe viceguvernator i Bankës Popullore në Republikën e Maqedonisë. Edhepse pritja përgjigje për të filluar me punë në një nga bankat në Shkup, edhe në pyetje ishte edhe një punë tjetër në një institucion shtetëror, unë përsëri zgjodha arsimin dhe kur kuptova që do mbaj ligjërata në gjuhën shqipe në mes të Shkupit, e solla një vendim shumë të shpejtë dhe isha decid – pra u përgjigja me një PO të fortë, që edhe unë të jem pjesë e një institucioni edukativo – arsimor. Kështu, unë isha asistent i profesorit Shaban, por dhe themelues i Fakultetit Ekonomik pranë Universitetit FON dhe e gjithë kjo meritë natyrisht që i takon profesorit Shaban Prevalla. Çdo profesion është shumë i lehtë kur e punon me dëshirë dhe me zemër, por puna e arsimit dhe shkencës është komplekse dhe duhet shikuar me një sy tjetër, pra kërkon një angazhim më të madh për përgatitje të kuadrove, pasi që kjo është një çështje themelore e jetës, sepse zgjedhja e profesionit të duhur, është çelësi i suksesit…
KOHA: Ju vini nga një familje dibrane me ideale kombëtare. Cili është rrëfimi i familjes tuaj, si u rriti, në ç‘rrethana?
TURKESHI: Dibra si vend i vjetër ka dhe traditën e vjetër të saj, e cila mund të themi se në mënyrë fanatike ruhet edhe sot. Ajo ka karakteristikat e saja të veçanta, me të cilat dallohet nga rrethet tjera. Edhe pse ka pasur ndikime të kulturave tjera, dibranët akoma i ruajnë zakonet e vjetra, këngët e tyre të vjetra, lojërat, veshjen dhe të gjithë simbolet tjera etnografike. Por, dibranët shquhen edhe për traditë, pastërti dhe mikpritje, por mbi të gjitha, edhe për bukuri dhe pasuri të rralla natyrore.
Familja ime është tipike dibrane. Nëna rrjedh nga një familje e vjetër bejlerë, familja Fetahu, nga gjiri i së cilës dolën shumë profesorë e inxhinierë dhe kuptohet familja e babait, që ishte një familje me traditë dibrane dhe me shumë ekonomistë, juristë por dhe dashamirë të artit. Në këto rrethana, unë pra kam pasur një fëmijëri normale, tipike si edhe të moshatarëve të mi. Por, është për t’u përmendur fakti se u rrita në një familje që ishte e rrethuar me libra. Prindërit e mi sikur e kishin ndjerë që unë, por edhe motra do të vazhdonim të merreshim me shkrime, gazetari dhe arsim-shkencë… Më kujtohen fillimet e para kur babai na udhëzonte të lexonim libra dhe pas çdo leximi bisedonim rreth librit, personazhet dhe idenë e kësaj vepre dhe, kuptohet që për këtë shpërbleheshim…Dhe ndoshta kjo ka bërë që të jemi më afër dhe ta duam librin. Mandej ky ves vazhdoi dhe ne s’mund të mendonim të kalojë koha e mos të lexojmë diçka. Kemi një bibliotekë me disa mijë tituj librash. Por, falënderimi u takon prindërve dhe sigurisht Allahut. (Siç e shikoni edhe ju vetë se e kam pak të vështirë të flas për veten dhe e kam të vështirë kur nis fjalën me UNË).
KOHA: Babai juaj, Lutfi Turkeshi, doktor i Shkencave në Gazetari, ishte një personalitet i letrave shqipe dhe ndër dibranët më të shquar në këtë fushë. Cila është puna e fëmijëve të tij?
TURKESHI: Po. Pa m’u dridhur buza, mund të them se babai im ishte dhe do mbetet njëri ndër gazetarët më të mirë mbarë-kombëtar. Këtë e tregojnë çmimet e fituara gjatë kohës kur kishte shkruar. Vdiq para kohe, por në sirtar la edhe disa vepra tjera që ishin gati për botim… Me mburrje e them se jam krenar që jam djali i Lutfiut, se ai mbi të gjitha ishte njeri, shok, mik dhe një prind i vërtetë dhe ai do të mbetet gjithmonë simbol i punës, sakrificës, moralit dhe ndërgjegjes së pastër… Por, këtu duhet të përmend se një meritë të veçantë ka edhe nëna ime, e cila në momente kur babai nuk ndodhej afër nesh, pasi puna e gazetarisë kërkon angazhim të madh dhe hulumtim në terren. Ajo bënte rolin edhe të gruas, edhe të burrit.
Siç e përmenda edhe më lartë, unë pra jam profesor, ligjërues në Universitet, dhe çdo ditë apo thënë ndryshe gjatë ligjëratave, mundohem të jap maksimumin që nesër pikërisht këta studentët e mi të udhëheqin me shtetin, me ekonominë dhe të na çojnë drejt një perspektive shoqërore.
Edhe motra ime, Rina, me kënaqësi e them që po vazhdon rrugën gazetareske. Aty ku e ka lënë babai, ajo vazhdon dhe për çdo javë po mundohet që t’ju ndihmon familjeve të varfra me emisionet dhe reportazhet e saj dhe të kontribuon pranë televizionit shtetëror (RTVM), Programi në gjuhën shqipe. Pasi që arti i reportazheve nuk mjafton të të plotësojë vetëm ty, jetën dhe disponimin tënd, por duhet të arrijë te të tjerët, te lexuesi, ta prekë atë dhe të jetë një shenjë për përmirësimin e gjërave…
KOHA: Sa larg dhe sa afër është vendlindja, Dibra, për Ju?
TURKESHI: E kam pak të vështirë të përgjigjem në këtë pyetje…Do thosha: Shumë larg dhe shumë afër. Me të vërtetë më mungon Dibra, por ashtu e deshi fati që të veprojmë këtu në Shkup. Por, gjatë vikendeve dhe sidomos gjatë verës jemi me shumë pranë vendlindjes. E kam një shtëpi atje, kuptohet amanet nga babai dhe atë shtëpi nuk do ta shes kurrë, pasi unë, gjithmonë, gjënë e parë, kur takohem me dikë, e them se jam nga Dibra dhe shprehem: “Ti Dibër më jep nder, më jep emrin dibran”…
KOHA: Z.Turkeshi, ju keni shprehur mendimin tuaj mbi situata të ndryshme politike – ekonomike, në media, përfshi edhe gazetën KOHA. A duhet që profesorët të ngrenë zërin dhe të kërkojnë vend në mediumet tona?
TURKESHI: Profesorët në universitetet tona si publike ashtu edhe private, në vazhdimësi ngrenë zërin e tyre për çështjet nga më të ndryshmet, që prekin popullatën dhe shqetësojnë opinionin në vend. Njëherazi, kritikat e tyre duhet kuptuar si zëri i arsyes, për shkak se shpesh ofrojnë edhe këshilla profesionale për zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Megjithatë, shtrohet çështja se sa dëgjohet, por edhe sa respektohet mendimi i tyre nga politik-bërësit si dhe faktorët e tjerë shoqëror në Maqedoni?!
KOHA: Z. Turkeshi, Maqedonia, a është vend i duhur për rininë tonë?
TURKESHI: Dëshira për t’u larguar nga vendlindja këto kohët e fundit na ka përfshirë sado pak të gjithëve, të dëshpëruar se nuk po shkojnë punët siç duhet tek ne, si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe në atë politik. Gjithashtu, nuk duhet harruar se migrimi është një fenomen global që te të gjitha shtetet e zhvilluara, bile edhe nga Gjermania, për shembull, ikin mjekët për paga më të larta në Angli apo SHBA. Maqedonia është vend i duhur për rininë, por vetëm me kusht që rinia të ketë mundësi të jetojë prej mundit dhe djersës së saj, të mund të avancohet profesionalisht. Duhet të kemi sistem të meritokracisë dhe ecjes para në bazë të profesionalizimit, angazhimit dhe mundit dhe jo në bazë të kritereve të tjera. Në të kundërtën, mbetet që çdo kush ta peshojë individualisht, ku ka mundësi të jetojë më mirë këtu apo jashtë.
KOHA: Maqedonia vazhdon të mbetet ende shumë prapa standardeve evropiane të arsimit, e sidomos në nivelin e arsimit të lartë. Ju vetë punoni në arsim. Ku e shihni zgjidhjen e këtij ngërçi?
TURKESHI: Standarde në letër ka, ekzistojnë edhe strategji të ndryshme për zhvillimin e arsimit. Kjo sferë nuk duhet të politizohet (kuptohet që nuk di dhe që nuk jemi marrë ne asnjëherë me politikë, pra nuk e kam asnjë në familje që merret me politikë), por duhet t’i shërbejë zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Për të arritur te këto standarde evropiane, na duhet shumë punë dhe atë që në klasën e parë fillore të shkollimit dhe gradualisht, duke ardhur deri në shkollë të mesme, që është një bazë për zgjedhje të fakultetit-drejtimit se me çka dëshiron të merresh gjatë gjithë jetës suaj, pra të njërës prej dy zgjedhjeve më të rëndësishme të jetës (e dyta është zgjedhja e partnerit. Pa këto të dyja jeta do të merrte një kahe tjetër)…Ngërçi politik duhet që sa më shpejt të zgjidhet pasi që, edhepse e kam thënë që në fillim të vitit se ky vit pritet të jetë vit i rëndë financiar, situata momentale na çon në një problem të vështirë makroekonomik dhe monetar (kanë filluar ngadalë të tërhiqen kursimet prej bankave), dhe nga ekonomia varen gjitha sektorët tjerë.
KOHA: Shtimi i universiteteve dekadën e fundit ka rritur deri diku përqindjen e popullatës me arsim të lartë, edhe pse larg parametrave të Strategjisë “Evropa 2020”, mirëpo nuk e ka ndryshuar aspak perspektivën e të rinjve, respektivisht atyre që janë me arsim të lartë?
TURKESHI: Zviceranët, por edhe shtete të tjera, që nga arsimi fillor orientojnë nxënësit në bazë të rezultateve të treguara në zanat apo shkollë të lartë. Një gjë e tillë duhet të aplikohet edhe tek ne.
KOHA: Pjesa dërmuese ballafaqohen më mungesën e punës pasi të kryejnë fakultetin, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre largohen nga Maqedonia pasi të mbarojnë fakultetin. Të dhënat zyrtare flasin për “ikjen e trurit” në përqindje të larta, pra se një pjesë e konsiderueshme e popullatës që largohen janë me diploma dhe tituj shkencor. Mund të quhet kjo ‘ikje për të mbijetuar’ apo për jetë më të mirë?
TURKESHI: Të dyja edhe ikje për ardhmëri më të mirë edhe për të mbijetuar në varësi prej statusit ekonomik dhe social të çdo individi apo familjeje. Ekonomia e tregut dikton globalizimin… Duke mos pasur siguri dhe perspektivë, rinia largohet kuptohet për një të ardhme më të shëndoshë…
KOHA: Z. Turkeshi, shkenca bën që të angazhoheni në studime. Ju sa i përkushtoheni familjes, fëmijëve tuaj?
TURKESHI: Jam i angazhuar, se shkenca kërkon shumë punë, por bëj çka bëj, mundohem të gjej kohë dhe t’u përkushtohem familjes, pasi koha e humbur nuk kthehet…Do të duhet edhe një herë që të falënderoj Allahun, që na bëri bashkë me Arjetën, gruan dhe na dha dy fëmijë (djem) të shkëlqyer, Diartin dhe Dorantin. Si shumë prindër tjerë, edhe unë, bashku me Arjetën, jemi të angazhuar oër fëmijët, por merita më e madhe i takon asaj. Fëmijët mundohemi t’i rrisim dhe edukojmë në një rreth njerëzish të denjë dhe të dobishëm për familjen dhe shoqërinë….Një falënderim shkon edhe për vjehrrin, vjehrrën, pra për familjen Fazliu, të cilët na përkrahin, na këshillojnë dhe ju jam mirënjohës për gjithë atë që ata bëjnë për ne, pasi unë këtu në Shkup jam “domazet” (hahaha). Pasi ata merren me biznes, shpesh i konsultoj për pjesën praktike, sepse teoria pa praktikë nuk është e kompletuar, dhe që diçka të jetë e përkryer, duhet qenë e kompletuar për suksese të mëtutjeshme…
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara