Mundem akoma të kujtoj çfarë pak njerëz, teksa koha kalon, munden dhe bëjnë: Nikita Khrushchev, pasi vendosi të ekspozonte, stigmatizonte dhe të dënonte krimet e regjimit sovjetik për të parandaluar përsëritjen, i dha verbërisë morale dhe mizorisë shenjën e saj. Ai i quajti ato “gabime dhe deformime”, të bëra nga Joseph Stalin në vazhdën e implementimit të suksesshëm të një politike të shëndetshme, korrekte dhe thellësisht etike. Në fjalimet disaorëshe të Khrushchev, nuk kishte vend për as më të voglin dyshim se kishte pasur diçka frikësuese, të turpshme, imorale në mënyrën se si ajo politikë ishte tradhtuar dhe helmuar që në fillim; dhe e cila, nëse nuk do të ndalej dhe rishikohej thellësisht, do të çonte në tmerret e denoncuara dhe bërë publike tashmë. Norma e sistemit prezantohej si një seri gabimesh trashanike të bëra nga vetëm një person (në rastin më të mirë, në bashkëpunim me disa të tjerë, të gjithë të emërtueshëm personalisht). Mbaj mend po aq qartë reagimin publik ndaj zbulimeve të Khrushchev. Disa njerëz, të rritur, edukuar dhe të shtypur nga kujdestaria e Ministrisë Sovjetike të së Vërtetës, pranuan dhe përqafuan, edhe pse me njëfarë shqetësimi të mbetur, proklamimet nga lart. Më shumë njerëz bërtitën, duke vajtuar dramën historike të jetëve të tyre për të dytën herë, por kësaj radhe të degraduar në një vazhdë (të larmishme, por sigurisht të paqëllimtë) gafash dhe mungesash vëmendjeje të një njeriu me integritet që po ndiqte një qëllim jashtëzakonisht fisnik. Gjithsesi, shumica e njerëzve qeshi, edhe pse hidhësia e asaj të qeshure ishte tepër e dëgjueshme. Nuk po i risjell të gjitha këto ndodhi (në fund të fundit, mjaft të largëta) vetëm sepse njerëzit në moshë si unë kanë tendencën të pëlqejnë dhe të jenë të varur ndaj reminishencave, por edhe për shkak të ngjashmërisë së reagimeve të të mundurve dhe të simpatizantëve të tyre në administrimin e humbjes së Hillary Clinton, Partisë Demokratike që ajo përfaqësonte dhe politikave neoliberale që ata ndoqën dhe që premtuan të vazhdonin edhe pas fitores së tyre elektorale. Edhe termat si “gabime” ose “deformime”, bashkëngjitur me emra fajtorësh, jepen në të dyja reagimet si shpjegimi i nevojshëm dhe i mjaftueshëm. Orban, Kaczynski, Fico, Trump – kjo është një listë e paplotë e të gjithë atyre që kanë arritur tashmë ose janë duke arritur vendosjen e një regjimi që ka themel dhe legjitimim të vetëm (dhe të mjaftueshëm!) vullnetin e udhëheqësit; me fjalë të tjera, për të vendosur në praktikë përkufizimin e Carl Schmitt (dikur pretendenti për të qenë filozofi i oborrit të Adolf Hitler) në lidhje me fuqinë sovrane (shiko veprën e tij “Political Theology”) si regjim “decizionist”. Lista e atyre që shikojnë me lakmi këtë paturpësi të guximshme, teksa me admirim të plotë kërkojnë të ndjekin shembullin e tyre, po zgjatet, madje me shpejtësi. Mjerisht, kërkesa dhe brohoritja për të parin dhe për të dytin, rrjedhimisht për principin “Një Popull, një Rajh, një Udhëheqës” (Ein Volk, ein Reich, ein Führer) të shprehur nga Hitler në 1935 dhe të materializuar më pas, po rritet me shpejtësi. Ajo që deri në kohët e fundit ishte oferta për kandidatë për liderë “një dhe të vetëm” është kthyer menjëherë, prandaj dhe në mënyrë të pandalshme, në kërkesë. Trump u bë Presidenti i SHBA sepse e bëri të qartë për amerikanët që ai do të ishte ai lloj lideri dhe sepse amerikanët donin të drejtoheshin nga një lider i atij lloji. Një lider “decizionist” nuk ka nevojë për asgjë tjetër përveçse për një brohoritje (spontane ose të qëllimshme, vullnetare ose të detyruar) publike për të vepruar. Vendimet e tij nuk kanë asnjë lloj kufizimi tjetër, madje as nga ato të cilat supozohet të vijnë ose të vendosen nga “arsye të epërme” ose komandamente supreme, mbinjerëzore, si në rastin e monarkëve të veshur me petkun e hyjnores, në Mesjetë. Një lider decizionist vjen afër absolutes: sikurse Zoti në përgjigjen ndaj pyetjeve të Jobit, ai refuzon të shpjegojë vendimet e tij dhe refuzon të drejtën e Jobit (dhe të kujtdo tjetër) për të kërkuar shpjegime. Shpjegimi i vetëm i vendimeve të liderit, që iu duhet dhënë atyre që preken nga ai, është vullneti i liderit. “Siguria” e gjërave të rëndësishme për jetën, ndodhshin ato ose jo, është ëndrra më e lakmuar nga njerëzit e bezdisur dhe shtypur nga pasiguria e tyre (edhe pse ajo siguri mund të jetë, sikurse Willim Pitt e vëzhgoi që në 1783, “lutje për çdo shtypje të lirisë njerëzore” dhe “argument i tiranëve”). Politika e drejtuar nga principi decizionist është pika e takimit ndërmjet argumenteve të shijshme të tiranëve dhe urisë së pangopur të brohoritësve të tyre. Era e re e demokracisë liberale, përparimin e së cilës Pitt e parashikoi i pari, ishte e dedikuar për të shmangur një takim të tillë, për hir të arsyes dhe interesit të pastër njerëzor. Në vazhdën e dekadave të mëpastajme teoricionët dhe praktikantët ligjorë, sikurse dhe filozofët politikë, bashkuan forcat për të arritur dhe ruajtur atë qëllim. Mendimi dhe zgjuarsia e tyre u vu në shërbim të arritjes së këtij objektivi. Rruga për të arritur qëllimin (e identifikuar me qëllimin praktik të kalimit të fuqisë nga mbretërit dhe princërve te populli) u gjet te masat institucionale: ndarja ndërmjet sektorëve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, në të njëjtën kohë autonomë dhe tejet të ndërlidhur, e largon secilin prej tyre nga tundimet e udhëheqjes vetmitare dhe absolute.
Kjo tendencë u plotësua nga një tjetër element, me prejardhje më shumë kulturore se sa institucionale. Manifestimi i tij ishte slogani “Liri, Barazi, Vëllazëri” (Liberté, Egalité, Fraternité), i promovuar nga les philosophes të Iluminizmit dhe, në një kohë të shkurtër, i bashkëngjitur në flamujt e mbartur nga ushtritë revolucionare franceze nga një cep i Europës te tjetri. Avokatët e atij slogani ishin të vetëdijshëm se të tria elementet mund të qëndronin vetëm së bashku. Liberté mund të sillte Fraternité vetëm në shoqërinë e Egalité; hiq atë medium nga triada dhe Liberté do të çonte drejt pabarazisë dhe efektivisht drejt ndarjes, grindjeve dhe armiqësive të ndërsjella, në vend që të çonte drejt bashkimit dhe solidaritetit. Vetëm triada në plotësinë e saj është e aftë për të siguruar një shoqëri paqësore dhe të begatë, të mirintegruar dhe të mbrujtur me shpirtin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Qoftë në mënyrë eksplicite, qoftë në mënyrë implicite, një qëndrim i tillë u lidh me liberalizmin “klasik” të dy shekujve të mëvonshëm, i cili pohoi se njerëzit mund të jenë realisht të lirë vetëm nëse kanë aftësinë për të përdorur lirinë e tyre. John Stuart Mill nxori përfundime socialiste prej bindjeve të tij thellësisht liberale. Ndërkohë, Lord Beveridge, faktori më këmbëngulës për shtetin e mirëqenies në Britani (dhe frymëzuesi i pjesës tjetër të Europës), konsideroi dhe prezantoi qasjen që rekomandoi si të domosdoshme për të implementuar ideale të pastra liberale. Por, për të mos u zgjatur, neoliberalizmi, tashmë filozofia hegjemone që mbizotëron në të gjithë spektrin politik (dhe sigurisht në atë pjesë që Trump dhe ndjekësit e tij e klasifikojnë si “establishment”), e distancoi veten nga filozofia paraardhëse dhe e realizoi këtë duke bërë pikërisht atë çfarë liberalizmi klasik luftoi për ta parandaluar ose për ta eliminuar në rastet kur ekzistonte tashmë: zhduku esencën e Egalité, për qëllime praktike, nga kompakti tri-partit i principeve dhe postulateve të Iluminizmit.
Pas tridhjetë/dyzet vitesh hegjemonie të pakundërshtuar të filozofisë neoliberale në një vend me pritshmëri të mëdha dhe, për hir të drejtuesve neoliberalë, me frustrime po aq të mëdha, fitorja elektorale e Trump u bë e pashmangshme. Gabimet dhe deformimet e kërkuara dhe të debatuara nga shumica e opinionbërësve patën rolin e ftohjes së një keku të pjekur. Për premtuesit e pritshmërive të mëdha dhe pushtuesit e frustrimeve të mëdha, demagogët e të gjitha llojeve, me pak fjalë, personazhet që e proklamojnë veten dhe besojnë se janë burra (gra) të fortë, forca e të cilëve matet nga aftësia për të thyer dhe jo për të respektuar rregullat e lojës, kondita të atilla janë raste ideale. Ne (këtu u referohem të gjithë njerëzve të shqetësuar nga veprimet e tyre dhe, akoma më shumë, nga potenciali i tyre ende i pashfaqur) duhet të jemi skeptikë për zgjidhjet e shpejta dhe zhdukjet e shpejta të problemeve. Aq më shumë kur mundësitë me të cilat përballemi në këto situata duken si zgjedhje ndërmjet djallit dhe errësirës. Pak kohë përpara vdekjes së tij, i madhi Umberto Eco arriti në esenë e tij brilante “Të bësh një armik” (Making an Enemy) përfundimin e trishtë se: “Të kesh një armik është e rëndësishme jo vetëm për të përcaktuar identitetin tonë, por edhe për të na paraqitur një pengesë me të cilën mund të masim sistemin tonë të vlerave dhe, duke dashur ta tejkalojmë, të tregojmë aftësinë tonë. Me fjalë të tjera: ne kemi nevojë për një armik për të ditur cilët jemi dhe cilët nuk jemi; kjo është e domosdoshme për vetëbesimin dhe vetëdijen tonë”. Dhe ai shton: “Pra, kur nuk ka asnjë armik, ne duhet ta shpikim një”. Shtojcë: “Armiqtë janë të ndryshëm nga ne dhe kanë zakone të cilat ne nuk i kemi. Epitoma e ndryshimit është i huaji”. Problemi me të huajin është se shpesh ai është vërtet i huaj, jo vetëm në kuptimin që ai ka zakone të panjohura, por sepse, dhe kjo është tejet e rëndësishme, ai ekziston jashtë vendit të sovranitetit tonë dhe nuk mund të kontrollohet. Nuk na takon neve të bëjmë armiq njerëz të tillë dhe të vëmë në jetë armiqësinë ndaj tyre (përveçse, sigurisht, nëse ata kalojnë kufijtë me qëllim ardhjen në mesin tonë). Nëse sovraniteti konsiston në kapacitetin “decizionist” për të vepruar vetëm në bazë të vullnetit të dikujt, atëherë shumë të huaj nuk e luajnë dot rolin e një armiku të mirëfilltë sipas Eco-s. Në shumë raste (apo ndoshta në të gjithë?) është më mirë të kërkosh, gjesh, ose shpikësh një armik më afër shtëpisë dhe, mbi të gjitha, brenda gardhit. Një armik që mund ta shohësh dhe prekësh është, për shumë arsye, më i vyer (mbi të gjitha, më i lehtë për t’u kontrolluar dhe manipuluar) se sa anëtari vetëm i parë ose i dëgjuar i një tërësie të imagjinuar. Që në mesjetë, funksioni i armikut, në rastin e shteteve kristiane, realizohej nga heretikët, saracenët dhe hebrenjtë, të gjithë banorë të mbretërive të dinastive dhe të kishave ku ata ishin vendosur. Sot, në kohën që favorizon përjashtimin përkundrejt përfshirjes, teksa e para (por jo e dyta) po bëhet një masë e zakonshme ndaj së cilës shkohet mekanikisht, zgjedhjet e brendshme bëhen më joshëse dhe të lehta. Zgjedhja më popullore ndër burrat (gratë) e fortë që janë ose aspirojnë të jenë të tillë, kur vjen koha për të përcaktuar rolin e armikut (që është, sikurse e thotë Eco, procesi i vetëpërcaktimit, integrimit dhe vetëshpalljes), është establishmenti: një përmbledhje e papërcaktueshme, e mjegullt e personazheve të shkuara që kanë tejkaluar kohën e tyre dhe që duhet prej kohësh të përfundonim në analet e historisë si hipokritë dhe të dështuar. Në një interpretim më të thjeshtëzuar: establishmenti është për një të shkuar të neveritshme, mohuese dhe të urryer dhe burrat (gratë) e fortë, të gatshëm për t’i dërguar në kosh të mbeturinave ku e kanë vendin, qëndrojnë si pishtarët drejtues të një fillimi të ri.