Prishtinë, 6 qershor – Edicioni i 20-të i panairit të librit, i çelur mbrëmjen e djeshme në Prishtinë ka mbledhur rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare me rreth 1500 tituj të rinj e 5000 të tjerë, të viteve të fundit.
Në ceremoninë e hapjes së panairit, që e bën Prishtinën edhe kryeqytet libri, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se “qeveria është e vendosur që të përkrahë botimin, shpërndarjen e librit, duke bërë lehtësira në taksa, me TVSH zero, por edhe me zbatimin e ligjit, i cili do ta garantojë këtë dhe që do të jetë funksional në muajin shtator”.
Kryeministri Haradinaj, transmeton ATSH tha se “si brez i lirisë ka lexuar, është frymëzuar, ka marrë nga rilindësit, nga heronjtë, patriotët, burrat e zonjat e mëdha që ka dhënë kombi ynë për qëllimin më të madh, qëllimin e lirisë”.
“Mendoj se njeriu që lexon është i lirë, ka liri. Ai që lexon është vetvetja, është sovran, sepse merr vendime dhe si i tillë lexuesi është fitues çdoherë. U bëjë thirrje qytetarëve të të gjitha moshave që ta vazhdojnë lidhjen me librin, sepse kështu do të jemi më të zotë në atë çfarë bëjmë në jetë”, theksoi Haradinaj.
Kreu i qeverisë u shpreh se “porosia ime për ju sot, për ata që shkruajnë është “shkruani se dilni në dritë”.
Qeveria e drejtuar nga Haradinaj sapo mori mandatin vendosi që të zbresë taksën e TVSH-së në zero për botuesit e librit, si nismë për të përkrahur shkrimtarët, botuesit dhe për të nxitur lexuesit për blerjen e librit.
Në hapje të panairit të librit, ku morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, tha se “kjo është ngjarja më e madhe kulturore e organizuar në Kosovë për 20 vite me radhë”.
Duke kujtuar vitet e vështira kur është organizuar edicioni i parë i Panairit të Librit, ai porositi të gjithë që ta mbrojnë pastërtinë e gjuhës shqipe.
Duke qenë tashmë me traditë të konsoliduar, në 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, panairi i librit në Prishtinë këtë vit do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me jubile të mëdhenj të personaliteteve të historisë e letërsisë shqiptare: 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Vitin e Skënderbeut; 300 vjetorin e lindjes së Teodor Kavaliotit; 200 vjetorin e lindjes së Zef Jubanit; 100-vjetorin e lindjes së Tajar Hatipit, Vorea Ujkos, Spiro Çomorës dhe Pashko Gjeçit.
Me aktivitete gjatë panairit të librit shënohen edhe jubile të personaliteteve letrare botërore: 200 vjetori i lindjes së Turgenjevit dhe 100 vjetori i lindjes së Moris Dryonit dhe i Solzhenicinit.
Para 19 vitesh, menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, nga 17-22 nëntor, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria.