Anomalia që vjen prej politikave të gabuara të çmimeve ka bërë që qytetarëve tanë më lirë iu bie të blejnë produktet të brendeve të njohura diku jashtë, se sa brenda, ndonëse fuqia blerëse këtu vazhdon të jetë shumë e dobët
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 korrik – Qytetarët e Maqedonisë e paguajnë më shtrenjtë veshmbathjen e brenduar sesa banorët e Evropës. Pjesët e ndryshme të veshmbathjes verore apo edhe dimërore, rrobat e fëmijëve, atletet “Adidas” apo “Nike”, blihen shumë më shtrenjtë tek ne në raport me shtetet perëndimore. Çmime të kripura kanë edhe këpucët e brendeve të ndryshme. Në dyqanet e njohura në Shkup, brendet e njohura ofrohen me çmime prej 30 deri 50 30 për qind më të lartë në raport me qytetet e mëdha evropiane, shkruan gazeta KOHA.
Dallimin e madh në çmime e dëshmojnë edhe vizitat familjare apo turistike të qytetarëve të Maqedonisë në qytetet evropiane. Gjatë vizitës së familjarëve në Gjermani, Zvicër apo shtetet tjera mund të vërehet se një xhaketë që këtu kushton së paku 50 euro, atje paguhet 20 euro. Pantallonat e xhinsit që këtu bile me lirim kushtojnë 20 euro, jashtë mund të blihen edhe për 10 euro. Bile dallimet e markave të ndryshme në Spanjë apo Bullgari dallojnë, bie fjala, për një mantel femrash në shitjet verore prej 39 euro tek ne, deri në 25 euro në këto dy shtete evropiane. Ekonomistë thonë se tregu i vogël që imponon edhe qarkullimin më të dobët të mallrave dhe kapitalit, konkurrenca e ulët , por edhe kostoja e lartë e punës së tregtarëve në vend imponojnë një situatë të tillë.
“Çmimet si zakonisht imponohen në varësi prej tregut, madhësisë dhe zhvillimit të tij. Kjo nënkupton se në Berlin, apo Romë, si rrjedhojë e shitblerjeve që maten me disa mijëra ekzemplarë në javë, çmimet e mallrave janë më të ulëta, kemi qarkullim më të shpejtë dhe mundësi që pjesët e mbetura apo të vjetra të gardërobës të ofrohen me çmime më të lira në fund të sezonit”, shpjegojnë ekonomistët problemin, pse edhe konsumatorët në vend nuk mund tu gëzohen çmimeve më të ulëta të brendeve të njohura.
Nga ana tjetër, tregtarët thonë nëse si zakonisht bëjnë porosi të vetëm disa modeleve, dhe jo të një gamë të tërë të linjës prodhuese, atëherë edhe kjo ndikon në çmimet me pakicë dhe indirekt edhe në çmimet me shumicë të shitblerjes, që detyrimisht për tregun tonë janë më të larta. Kur kësaj i shtohen edhe kostoja e transportit, doganës, kompensimeve të ndryshme ndaj shtetit, atëherë fitohet edhe çmimi final që është më i shtrenjtë në Maqedoni në krahasim me tregjet evropiane. Tregtarët thonë se përkundër tatimeve të ulëta në vend, megjithatë çmimet e qirasë , kompensimet e ndryshme parafiskale që nuk janë direkt tatime në fund shtrenjtojnë koston e punës së tyre.
Ndryshe, Maqedonia akoma ngec mjaft sipas fuqisë blerëse të qytetarëve të saj, Në tre vitet e fundit, apo në periudhën 2014-2016, konsumatorët në vend kanë fuqi blerëse prej vetëm 40 për qind të mesatares evropiane.
Sipas dhënave të Eurostatit, apo zyrës evropiane të statistikave, vetëm Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina me 37 për qind të mesatares evropiane lidhur me fuqinë blerëse për kokë banori renditen më dobët se Maqedonia. Bile edhe Serbia me 45 për qind, Mali zi me 52 për qind dhe Bullgaria me 51 për qind të fuqisë mesatare blerëse qëndrojnë më mirë se ne sipas nivelit personal të konsumit. (koha.mk)