Vjollca SADIKU
Dibër, 16 janar – Blegtoria është njëri ndër sektorët që viteve të fundit ka pasur përkrahjen më të madhe nga shteti. Investimet në këtë sektor ishin fokusuar në rritjen e numrit të bagëtive, duke i subvencionuar fermerët për krerë, ndërsa ky sektor është mbështetur edhe përmes granteve investuese në zgjerimin dhe modernizimin e fermave të tyre. Në kuadër të kësaj përkrahje kanë përfituar fermerë nga i gjithë vendi, sidomos ata dibranë, të cilët kanë arritur që në këtë mënyrë të shtojnë prodhimtarinë blegtorale, shkruan gazeta KOHA. Subvencionet në bujqësi e kanë rritur interesin e fermerit për të prodhuar, shpesh me shpresën e përfitimit. Shumë fermerë kanë përfituar edhe efektet e para të këtyre investimeve në prodhim. Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Njësisë së Ministrisë së bujqësisë, pylltarisë dhe ujëra në Dibër, Arben Mulladauti, thotë se gjatë vitit të kaluar kanë aplikuar mbi 350 blegtorë për të përfituar të drejtën e marrjes së subvencioneve. Nga ky numër, afro 150 fermerë kanë kope të dhenve, ndërsa 200 të tjerë janë blegtorë që posedojnë lopë. Mulladauti shton se pagesa e subvencioneve bëhet një vit më pas, ngaqë verifikohen aplikimet e blegtorëve dhe përpunohen të dhënat në fjalë. Shpresojmë, shton ai, se këto pagesa do të realizohen gjatë muajit mars. Sa i takon ushqimit të kafshëve, Mulladauti thotë se ka mungesë te një pjesë e blegtorëve që e blejnë atë, ndërsa një pjesë e blegtorëve e kanë ushqimin e që vet e prodhojnë. Nga ana tjetër, blegtorët dibran thonë se vonesa e këtyre subvencioneve ndikon negativisht në sigurimin e ushqimit të bagëtisë për këtë stinë dhe shtojnë se nëse pagesat bëhen në kohë më të shkurtër, do të ishte një shumë e mirëseardhur për blegtorët dibranë. Kryetari i shoqatës së blegtorëve në Dibër dhe Qendër Zhupë, Skënder Ame, thotë se subvencionet janë një përkrahje e madhe që duhet për t’u përshëndet nga ana e të gjithë blegtorëve, por ai shton se vonesa e pagesave për një vit, ndikon shumë tek blegtorët për sigurimin e ushqimit të bagëtisë ngaqë një pjesë e mirë e blegtorëve ushqimin e blejnë dhe nuk kanë mjetet materiale të mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet në fjalë. Sipas Ames, do të ishte e mirëseardhur që subvencionet të paguhen sa më shpejtë, ngaqë “këto subvencione na kanë ndihmuar shumë për rritjen e numrit të kopeve si dhe në zhvillimin e blegtorisë në këtë rajon”. Blegtorët dibran tani janë të angazhuar me pjelljen e qengjave. Kryetari i shoqatës së blegtorëve Ame thotë se tani është koha e pjelljeve të qengjave dhe ky proces realizohet shumë me sukses. Duhet theksuar se një pjesë e blegtorëve dibran kopetë e dhenve i kanë lëvizur në vendet më të ngrohta në Manastir, ndërsa një pjesë i mbajnë në stallat e veta në Dibër.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.