Delvina KËRLUKU
Historiani Reshat Nexhipi u lind në fshatin Gërçar të Prespës. Dy stërgjyshërit e tij, nga babai dhe nëna, kishin përkrahur Ali Pashë Tepelenën në luftën kundër Sulltanit për të krijuar shtet të pavarur shqiptar, prandaj dhe prej tij fituan titullin BEJ, të cilën e trashëguan pasardhësit e tyre, familjet e njohura në Prespë, si ajo e Nexhip Beut dhe e Pasho bej Asamatit. Nga kjo familje ka dalë edhe Tefik Beu, xhaxhai i nënës së Reshatit, i cili në histori ka hyrë si luftëtari më i madh i çetës së Nijazi Beut, i njohur si “Mbret i Prespës” dhe i cili shpalli hyrjetin (lirinë) në Manastir, pa të cilin nuk do të ndodhte Kongresi i Alfabetit. Familja e profesorit kishte lidhje edhe me familjen e Sali Butkës, i njohur si “Legjendë e Shqipërisë së Jugut”, me të Shahin Kolonjës, dhëndër i Naim Frashërit, kurse babai dhe xhaxhai ishin pjesëmarrës në çetën balliste të Mitat Frashërit, kryetar i Ballit Kombëtar dhe i Kongresit të Alfabetit, më 1908. Para vitit 2001, profesori ka disponuar një artikull me titull “Djemtë e Prespës”, në të cilën bëhej fjalë për trimërinë e dy vëllezërve në fjalë kundër partizanëve të Enver Hoxhës. Profesor Nexhipi Normalen e kreu në Shkup, magjistroi dhe doktoroi në Prishtinë. Titullin profesor ordinar e fitoi në Universitetin e EJL – Tetovë. Është fitues i shumë shpërblimeve, dekoratave, etj. Kryesia e PPD-së, fjala vjen, e propozoi për ministër të Arsimit, Shoqata e Historianëve kandidat për akademik, por refuzoi të jetë, siç shkruan ai, anëtar i një institucioni të dëshmuar antishqiptar. Shoqata e shkrimtarëve dhe poetëve, “Pegasi” nga Tirana e shpalli “Historiani i vitit 2015”, Shoqata për Kulturë dhe Art “Tradita” nga Tetovë i ndau mirënjohje të posaçme për kontributin kombëtar, Revista “Zëri i Pellagonisë” e quan “Baba” i historianëve të Maqedonisë, Radio “Zëri i Iliridës”, Legjendë e Manastirit, i ndjeri Ferit Ramadani dhe ish gazetarja e njohur Kujtime Kica, veprimtarinë e profesorit e krahasojnë me atë të patriotëve të kohës së Kongresit të Alfabetit, të cilët ishin ajka e kombit etj.
KOHA: Manastiri është një qytet që ka zënë vend të veçantë në historinë shqiptare. Dikur ishte një qendër e rëndësishme, kurse sot është shndërruar në një plagë që dhemb shumë. Çfarë në fakt i ndodhi Qytetit të Alfabetit të gjuhës shqipe?
NEXHIPI: I ndodhi shpërngulja me dhunë e shqiptarëve në Turqi. A ka më keq se kjo? Brenda natës mbeti pa shqiptarët, të cilët këtij qyteti i dhanë nam të madh. Ikën të gjithë, u shpërndanë gjithandej nëpër botë. Manastiri është një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë shqiptare. Ka mbetur në kujtimet e gjeneratave më të vjetra, të cilat akoma e kujtojnë truallin e të parëve, por që këto kujtime, fatkeqësisht kanë filluar të zbehen dhe rrezikojnë të shuhen përfundimisht.
KOHA: Historia e këtij qyteti është e bujshme. A ka mbetur diçka që akoma nuk është ndriçuar e që është pjesë e rëndësishme e historisë sonë?
NEXHIPI: S’kam lënë asnjë ngjarje dhe personalitet të kësaj ane pa e ndriçuar. Kjo është regjistruar në veprat e mija, në shkrime të shumta. Disa herë kam sugjeruar që para qytetit të vjetër të Manastirit – Heraklesë, të vendoset përmendorja e Mbretit Bardhyl, si themelues i saj, kurse para objektit të Kongresit ajo e Mitat Frashërit. Mirëpo, politikanëve tanë nuk u intereson historia, por pasuria.
KOHA: Manastiri ka mbetur me një “grusht” shqiptarë. Të gjithë ikën gjithandej nëpër botë. Ju me familjen Tuaj vazhduat të jetoni në këtë qytet edhe sot e kësaj dite. S’patët mundësi apo nuk deshët të largoheni. Pse ndodhi kjo ikje, të themi kushtimisht, biblike?
NEXHIPI: Për ikjen “biblike”, që me të drejtë thoni Ju, shkak ishte represioni i paparë ndaj popullatës shqiptare. Sepse Manastiri konsiderohej si një vend me prush të nxehtë, mbuluar me hi, i cili në çdo moment mund të nxirrte flakën e para vitit 1912, kur ky qytet ishte qendër e Lëvizjes Kombëtare për tërë shqiptarët e botës. Sa i takon qëndrimit tim me familjen në këtë qytet të shenjtë, veç tjerash, “fajtor” ishte edhe profesioni që kam, i cili më kishte mbushur mendjen se është mëkat, për interesa personale të largohesh nga një qytet me një histori kaq të lavdishme, që s’e gjen dot në asnjë qytet tjetër dhe të cilit i mungonte kuadri i profilit tim. Mbase, në këtë qytet kam kaluar çaste të lumtura, por edhe të vështira dhe konsideroj se sikur jemi mëshiruar me njëri tjetrin.
KOHA: Ngjashëm si Manastiri, edhe Prespa e përjetoi “braktisjen” e dhembshme. Çfarë i ndodhi këtij rajoni shqiptar, në të cilin dikur kishte plot gjallëri?
NEXHIPI: Për dallim nga Manastiri, Prespës i ndodhi kurbeti. Prespanët nuk ia mësynë Turqisë, por Amerikës, Australisë dhe shteteve evropiane. Veç tjerash, shqiptarët e kësaj anë kishin një vetëdije tjetër, vetëdije të fortë kombëtare. Shumë familje nga Prespa, për shkak të afrisë, kishin lidhje me familje nga Shqipërisë, posaçërisht ato që ishin familje bektashiane. Në ngritjen e vetëdijes kombëtare mjaftë ndikuan edhe mësuesit nga Shqipëria në periudhën italo-shqiptare. Prandaj, jo rastësisht nga kjo trevë shqiptare kemi shumë emra të shquar që i kanë dhënë shumë çështjes kombëtare.
KOHA: T’i kthehemi shkollimit Tuaj. Pas mbarimit të Normales, u regjistruat në Fakultetin Filozofik – Grupin e historisë. Pse u përcaktuat për këtë lëndë?
NEXHIPI: Si fëmijë dëgjoja shumë shqetësime që kishte pësuar familja ime në të kaluarën. Aty nga viti 1927, fjala vjen, ishin burgosur babai dhe xhaxhai im, bashkë më nënën e tyre, gjyshen time, pra. Bugarofilët e vendit në pabesi kishin vrarë katër djem të rritur të familjes së nënës time. Kjo ndodhi për shkak të lidhjeve të tyre me Nijazi Beun e Resnjës, kundërshtarin e madh të Bullgarisë. Në vitin 1951 shtëpia jonë ishte konfiskuar, kurse familja internuar. Përveç kësaj, si fëmijë, nuk kuptoja dot pse disa shkonin në xhami, disa në teqe, ose pse nëna ime mbante flokë të prera, pa shami dhe pa u fshehur nga burrat e botës, kurse të tjerat: të kundërtën, dallime këto të cilat, bashkë me ato që theksova më sipër, ndikuan dukshëm që të përcaktohem për lëndën e historisë.
KOHA: Mbaruat fakultetin dhe u kthyet në Manastir. Çfarë ndodhi më pas?
NEXHIPI: Ishte koha kur në çdo shkollë të mesme kërkohej profesor i historisë, por unë zgjodha atë të mjekësisë, e cila ishte e vetme si e tillë në Maqedoninë Jugperëndimore, ku regjistrimi i ndonjë femre shqiptare ishte i pamundur. Brenda viteve sa isha atje, falë pranisë time, dolën dhjetëra motra medicinale, të cilat shërbejnë në spitale të ndryshme të vendit. Pastaj, kalova në Universitet, sepse në atë kohë ishin hapur edhe disa shkolla të tjera medicinale dhe regjistrimi femrave shqiptare nuk ishte më problem. Shkuarja ime në Universitet bëri që numri i studentëve shqiptarë, të shtohet për disa herë. Kjo dhe interpretimi i drejtë i historisë sonë para studentëve, bëri që pas katër vjet mos më rizgjidhnin më. Kalimi im në Universitet, kuptohet, u bë edhe për shkaqe materiale, sepse nuk kishim shtëpi, përkatësisht jetonim me qira.
KOHA: Ju patët shqetësime gjatë mbrojtjes së doktoraturës. Çfarë ishin shqetësimet dhe ç’ përgjigje dha Komisioni?
NEXHIPI: Shqetësimin e parë ma “krijuan” kaçakët, sepse kishin vrarë gjyshin e mentorit tim maqedonas, kështu që ai u tërbua kur lexoi vlerësimet e mia për lëvizjen kaçake, prandaj nga Shkupi kalova në Prishtinë. Meqë doktoratura u zvarrit plot 10 vjet, sa udhëtimi e Odiseut, në një intervistë, si me shaka, pata thënë: Odiseu u rrezikua nga Ciklopi me një sy, kurse unë nga dy intelektualë shqipfolës dhe me nga dy sy. Ja pse: njëri nga këta, në marrëveshje me tjetrin, Komisionit i shtroi pyetjen: Ju zotërinj të respektuar, a nuk mendoni që kjo doktoraturë nëse e pranoni do acarojë edhe më tepër marrëdhëniet shqiptaro-serbe në Kosovë dhe më gjerë? Anëtarët e Komisionit nuk patën guxim t’i kundërvihen, sepse e dinin që është njeri i Beogradit. Populli thotë: gomarin nga balta e nxjerr i zoti. U ngrita dhe thashë: ky njeri nuk ka haber nga historia, sepse shqiptarët nuk luftonin kundër serbëve, por bashkërisht me ta kundër regjimit të egër mbretëror. Të pranishmit duartrokitën, gjë që bëri Komisioni të më shpallë për doktor të shkencave të historisë, kurse dy kodoshët mbetën si të fëlliqur, duke fajësuar njëri tjetrin. Emrat nuk ua bëj publik, për hatër të fëmijëve të tyre të mrekullueshëm, sepse, siç thotë populli, ndodh që “Nga gjembi të dalë trëndafil”. Meqë përmenda Ciklopin, nuk mund të anashkaloj dekoratën nga ana e Republikës së Kosovës, e cila më shqetësoi, sepse njëri nga ata që ma uruan, më tha: “Absurd i madh është që Ju gjendeni në të njëjtën listë me ndonjë zagar të ”Ciklopit” maqedonas, kundërshtari më i madh i pavarësi së Kosovës”! Nuk e di për cilin shqipfolës e kishte fjalën.
KOHA: Ju keni pasur polemika edhe me historianët maqedonas. Cilat nga polemikat ju ka mbetur në kujtesë?
NEXHIPI: Ajo lidhur me origjinën e Lekës së Madh, e cila vazhdoi javë të tëra, duke marrë fund në momentin kur, si për koincindencë ose me qëllim, nuk e di, historianët e CIA-s deklaruan që Leka dhe maqedonasit e vjetër janë Ilirë, gjë që përputhej plotësisht me opinionin tim, me çka u mbyll goja e kundërshtarëve, duke më quajtur pastaj bashkëpunëtor i CIA-s, kurse unë iu falënderova për një vlerësim aq të lartë, të cilin nuk e meritoj.
KOHA: Polemizuat ashpër edhe me Kapllan Buroviqin. Pse?
NEXHIPI: Ky farë Buroviqi në Manastir promovoi librin kushtuar shqiptarëve, në të cilin ua mohon origjinën Ilire, gjë e cila më nxiti të reagoj në sallë dhe përmes gazetës lokale maqedonase, duke theksuar origjinën tonë pellazge. Për të më demantuar, menjëherë botoi në Ulqin, 2006, broshurën në maqedonisht, duke e shpërndarë gratis në Manastir dhe gjithandej dhe në të cilën në shënjestër isha pikërisht unë. Përveç kësaj nxiti, ndoshta edhe e financoi botimin e Enciklopedisë maqedonase, të cilës intelektualët e Tetovës, në krye me Nijazi Muhamedin iu përgjigjën me librin “Maqedonia shqiptare” dhe jo rastësisht unë isha konsulent i vetëm i saj.
KOHA: Ishit një ndër themeluesit e Universitetin të Tetovës si dhe ligjërues në të. Vendimi për themelimin, të cilin e propozuat Ju, u bë përmes aklamacionit. Si i kujtoni ato momente?
NEXHIPI: Atëbotë salla ishte plot me intelektualë. Isha ulur në radhën e parë, karshi Fadil Sulejmanit, i cili udhëhiqte mbledhjen. Filluan diskutimet. Disa nga to ndillnin skepticizëm, sepse kodoshët i kishe në çdo vend. Në fund, udhëheqja nxori ca fletë dhe vendosi t’i shpërndajë, me qëllim që secili të shkruajë emrin dhe mbiemrin dhe të votojë: PO ose JO. Menjëherë reagova, duke thënë se mund të ndodhin manipulime me emrat, prandaj propozova që përmes ngritjes së dorës të zgjidhet kjo çështje. U dëgjuan duartrokitje të forta dhe përmes aklamacionit u soll vendimi për themelimin e Universitetit. Ishte një ndjenjë e veçantë dhe e papërsëritshme.
KOHA: Ju ishit edhe kryetar i parë i degës së partisë së parë shqiptare në Maqedoni. Ajo, u themelua në shtëpinë Tuaj. Si ndodhi kjo?
NEXHIPI: Isha duke punuar në oborr. Për një çast vërejta disa persona, deri atëherë, të panjohur. U përshëndetëm. Na duhet profesor Reshat Nexhipi, më thotë njëri nga ata. Urdhëroni brenda, do ta gjejmë, thashë. Ishte kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik, Nevzat Halili, me disa bashkëpunëtorë. U vendos që të krijohet dega, kurse unë të jem kryetar i saj, gjë që bëri të jem vazhdimisht në shënjestër të pushtetit maqedonas, sepse, pastaj, veç tjerash, themeluam SHKA “Bashkimi”, Radion e parë private në gjuhën shqipe në Maqedoni dhe më gjerë, Festivalin “Zëri i Alfabetit”, kryesia e të cilit, me rastin e Alfabetit, organizonte koncert etj. Tëra këto ndikuan dukshëm në ngjalljen e vetëdijes kombëtare, e cila ishte në “vdekje” e sipër, gjë që bërë të shtohet interesimi i mediumeve për Manastirin dhe shqiptarët e këtij qyteti. Para formimit të Degës së PPD-së, nxënësit shqiptarë në rrugë dhe në oborrin e shkollës kishin frikë të flasin në gjuhën e vet, fenomen ky që tanimë i takon vetëm të kaluarës, pavarësisht shumë problemeve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.