Delvina KËRLUKU
Smerald Spahia rrjedh nga një familje Dibrës së Madhe. Është violinisti i suksesshëm. Në moshën 7 vjeç prindërit vendosën që ai të studion një instrument muzikor, për faktin se kishte afinitet për muzike. Përfundon studimet në violinë në vitin 1991 me rezultate të shkëlqyera në Konservatorin Superior të Muzikës në Tiranë. Është fitues i çmimit te parë në Konkursin Kombëtar të instrumentistëve të rinj. Në vitin 1991, në turneun promovues, organizuar nga Ministria e Arsimit për muzikantët e rinj me një seri koncertesh në Austri, Francë dhe Itali, u krijua mundësia e shkuarjes në Spanjë për të marrë pjesë në Konkursin Ndërkombëtar për violinë, Pablo Sarasate, në qytetin e Pamplones. Duke filluar nga ky moment, ai vendosi rezidencën tij në Spanjë, konkretisht në Orkestrën Simfonike të Ishujve Balear ne Palma de Majorka dhe që nga viti 1996 u caktua si koncert maestër i kësaj orkestre. Gjatë kësaj periudhe, aktiviteti i tij, krahas orkestrës, shtrihet gjithashtu në fusha të ndryshme, si në atë të interpretimit solistik, në muzikën e dhomës e në atë të mësimdhënies. Në aktivitetin me orkestrën ka luajtur si solist, koncertet më të njohura të repertorit për violinë dhe orkestër të kompozitorëve më të shquar.
Në vitin 2008 regjistron për herë të parë “Simfoninë për Violinë dhe Orkestër” të kompozitorit spanjoll, Antoni Torrandell, nën drejtimin e F. Bender. Gjithashtu, së bashku me kitaristin A.Aguilo, regjistron një CD monografik të kompozitorit N. Paganini, për violinë e kitarë. Në vitin 2012, bashkë me pianistin M. Estelrich, regjistron një tjetër CD për violinë e piano me titullin “Nocturn”, në të cilin përfshihen pjesë të njohura të repertorit për violinë. Në fushën e muzikës së dhomës, bashkëpunon me grupe të ndryshme, si “Kuartet BALEAR”; “Camerata Sa Nostra” – Grupi i muzikës kontemporane, “Solistët Valencia”. Ka marrë e merr pjesë në festivale të ndryshme në Spanjë: Baleares, Barcelonë, Madrid, Gerona, Sevilla ,Valencia, Darmstadt (Gjermani); Perpignan (Francë); Tiranë, Kopenhagë; Stokholm; Nju Jork (ShBA) dhe së fundi në Kosovë e Maqedoni. Në vitin 2011, ai interpretoi në sallën e “Fondacionit për muzikën Iberoamericane” në Nju Jork, veprën për violinë solo e orkestër të kompozitorit spanjoll, J.Valent, me titull “Katër stinët në Majorka”, i shoqëruar nga grupi instrumental amerikan “Perspektiv Ensembel”, nën drejtimin e J .Vicent. Është fundador i formacionit “Chamber Film Orchestra”, grup i cili difuzon muzikën e kompozitorëve të rinj në gjenerimin e muzikës së filmit. Në fushën e arsimit, bashkëpunon me Konservatorin Superior të Muzikës në Katedrën e muzikës së dhomës e të repertorit orkestral. Bashkëpunon gjithashtu me Orkestrën Rinore në Baleares dhe me Orkestrën Rinore në Castellón (Alicante). Në projektet e ardhshme, së bashku me klarinetistin, Carlos Casanova, kanë në dorë dy produksione CD, njëri është me vepra të kompozitorit J.Crusell dhe tjetri me Arias de ópera për Kuartet e klarinete solista.
KOHA: Z. Smerald, jeni pjesë e Filarmonisë së Palma de Mallorca. Si violinist keni ekzekutuar në shumë skena të botës. Së fundi i jeni përgjigjur ëndrrës së juaj që të zhvilloni një koncert në Shkup, më pastaj në Dibër. Ka një domethënie të veçantë kjo përmbushje e ëndrrës?
SPAHIA: Po, patjetër që ishte një kënaqësi e veçantë shpirtërore dhe profesionale për mua që luajta në qytetin e Prishtinës e të Shkupit dhe që vizitova Dibrën, sepse ka lidhje me shenjat e identitetit e me vendlindjen e tim ati. Kur isha i vogël kujtoj që babai më tregonte me nostalgji episode nga jeta e rinisë dhe e familjes së tij në këtë vend. Gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri, për shkak të politikës nuk mundëm të vizitonim familjarët që jetonin jashtë kufijve, kështu që për mua ishte një dëshirë e brendshme. Prej shumë kohësh dëshiroja dhe që e realizova dhe e shijova në këtë rast, duke shfrytëzuar çdo moment me njerëzit, me miqtë, me vendin dhe me muzikën. Si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni, ndjeva ngrohtësi nga të gjithë njerëzit që takova, e në mënyrë të veçantë nga të afërmit e kolegët e mi, Sihana Badivuku e Blerim Grubi. Falënderoj specialist Blerimin për vizitën time në Dibër, po ashtu dhe Bashkinë e Dibrës për pritjen e ngrohtë që na bënë. Pejsazhi piktoresk pranë liqenit e ambienti familjar që u krijua, na lanë një mbresë të paharrueshme në këtë vend.
KOHA: Origjina e juaj është nga Dibra, vend ky me histori të bujshme, që emri i përmendet qysh në shekullin e pestë para erës sonë. Z. Spahia, po ju kthejmë në fëmijërinë tuaj. Cila është fëmijëria juaj, ajo e skamjes apo fëmijëri pa brenga?
SPAHIA: Kam kujtime shumë të ëmbla nga fëmijëria ime. Deri në moshën 10 vjeçare çdo gjë që kujtoj është e bukur. Më pas humbja e parakohshme e tim ati krijoi një boshllëk në gjirin e familjes, por pak nga pak me kalimin e kohës kuptova që cilësitë e virtytet e tij ishin shembulli për të vazhduar në rrugën time. Prindërit më dhanë dashurinë, komfortin dhe vlerat për t’u zhvilluar si njeri e si muzikant. Rrethanat ekonomike e politike të asaj periudhe nuk ishin nga më të favorshmet e psikologjikisht rëndonin për mua, ashtu si edhe për gjithë popullsinë.
KOHA: Karakteri njerëzor i artistit ka të bëjë me natyrën e tij të qëndrueshme biologjike, që në qelizën strukturore prindërore e deri në kulmet dialektike të zhvillimit të tij si njeri dhe artist i ardhshëm. Në fakt, cilët janë prindërit e juaj dhe familja e gjerë?
SPAHIA: Babai (Sabit Gugushka Spahia) u zhvendos në Shqipëri së bashku me dy vëllezërit e tij, të shtyrë nga politika gjenocide serbe rreth viteve 1920. Natyra e tim ati me butësinë e urtësinë e tij, karakteristike kjo e dibranëve kudo që i kam njohur, ashtu si dhe përgatitja e tij, bëri që për një kohë të gjatë të punojë në Administratën e kancelarisë të Mbretit Zog. Më pas u vendos si administrator i “Hotel Trenit”, në rrugën e Dibrës, në Tiranë, e cila ishte një qendër e shumë mërgimtarëve që vinin nga Dibra e nga qytete të tjera të Kosovës e Maqedonisë. Në periudhën e komunizmit, mbas likuidimit të pronësisë private, ai shërbeu në administratën shtetëror, si përkthyes nga gjuhët e huaja sllave dhe turke. Mamaja ( Zafira Mila) me prejardhje nga qyteti i Gjirokastrës, por banore e Tiranës, punoi gjatë gjithë jetës së saj në administratën e Teatrit Popullor të Tiranës, gjë që ndikoi në sensibilitetin ndaj artit tek unë dhe motra ime Mirela, që ndiqnim nga afër aktivitetin intensiv të teatrit dhe jetën e artisteve. Në atë periudhë kujtoj biseda me aktorët, si Sandër Prosi, Margarita Xhepa, Violeta Manushi e Naim Frashëri, i cili një ditë më pyeti: – “ Ti studion violinë. .?” Po, i thashë: – “ Në art duhet të jesh gjithmonë në vijën e parë, e për këtë duhet një punë sistematike e dedicación”. Fjalë të mençura që i vlerësoj dhe sot e kësaj dite. Violina është një instrument sa i bukur aq dhe magjik, po ashtu dhe i vështirë për ta dominuar. Çdo ditë që e marr në dorë është një “da capo “ (edhe një herë nga fillimi).
KOHA: Pavarësisht se në çfarë rrethanash u gjend shkolla dhe arsimi shqiptar, pavarësisht së çfarë doktrine ndoqi sistemi në Shqipëri, arsimi dhe shkolla shqipe ngritjen më të lartë e arriti në 50 vjetët e fundit të regjimit komunist. Si ishte arsimimi i juaj në kohën e komunizmit, meqë Dibra tashmë ishte ndarë dhe ju “zgjodhët” Shqipërinë, për t’u shkolluar e jo Shkupin apo Prishtinën?
SPAHIA: Pavarësisht nga ideologjia komuniste e asaj periudhe, niveli kultural dhe arsimor ashtu si dhe përgatitja e kuadrove të rinj që dilnin nga universiteti në Shqipëri, ishte shumë i mirë. Unë e kisha shumë të qartë rrugën që do të ndiqja. Formimi integral në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve ishte një garanci. Nga portat e këtyre shkollave kanë dalë shumë artistë, që po t’i numërosh tani do të bëhej një listë shumë e gjatë, por më të dëgjuarit e gjeneratës sime janë, si për shembull Inva Mula e Genc Tukiqi, e shumë të tjerë. Të gjitha këto janë një dëshmi e përgatitjes dhe eksigjencës së artistëve dhe profesorëve të shquar, si Ibrahim Madhi, Robert Papavrami, Margarita Kristidhi, Nina Mula, Gaqo Cako e shumë të tjerëve. Kjo gjë ndikoi, padyshim, në formimin e artistëve të rinj. Fakti që një pjesë e konsiderueshme e gjeneratës time ka një pjesëmarrje aktive në skenat e formacionet e vendeve të tjera, është dëshmi e suksesit të përgatitjes tonë. Imazhi që kanë lënë dhe japin artistët shqiptar jashtë vendit është reklama më e mirë, për kulturën e vendit tonë me vlerat humane e shoqërore që raporton secili prej nesh me kulturën dhe nivelin profesional të tij.
KOHA: Muzika është arti i të shprehurit të ndjenjave dhe mendimeve. Muzika na jep gëzim dhe optimizëm për jetën. Artistët i bën të krijon miqësi me popujt e tjerë, të njoh dhe prezantojë vendin e vet. Për ju, çfarë simbolizon muzika që performoni?
SPAHIA: Muzika është gjuha universale për të gjithë popujt dhe nuk njeh kufij territorial. Ndjenjat e shprehura nëpërmjet muzikës nuk kanë nevojë për përkthim. Ato shkojnë direkt në inkoshiencën tonë dhe lidhin momentin sublim të interpretimit të muzikës me mesazhin emocional dhe artistik, i cili bëhet i përbashkët me publikun në momentin e ekzekutimit. Çdo kompozim, qoftë ky i një kompozitori ose krijimtari folklorike, sjell në muzikë një mesazh emocional që lidhet me jetën, me kulturën dhe mendimin filozofik të epokës që jeton. Duke njohur muzikën dhe interpretuesit nga vende të ndryshme, kuptojmë që nuk jemi shumë të ndryshëm nga njëri – tjetri. Muzika na afron e na ndihmon të heqim ato pengesa mendore e paragjykuese, që shumë herë na ndajnë dhe na largojnë dhe na bën të kuptojmë që të gjithë emocionet e gëzimit apo të trishtimit, të lumturisë apo të fatkeqësisë, tingëllojnë në unin brenda universit tonë si qenie njerëzore.
KOHA: Instrumentet tona muzikore si çiftelia, duke mos përjashtuar lahutën, klarinetën, fizarmonikën etj, janë instrumente – dekorim në shtëpitë tona. Cili ishte instrumenti i preferuar i fëmijërisë suaj dhe si u lindi dëshira për violinën, kjo vegël muzikore me katër tela, së cilës i bihet me hark, duke e mbështetur në sup nën mjekër?
SPAHIA: Është kurioz fakti, që kur isha i vogël më tërhiqnin vëmendjen tingujt e fizarmonikës. Harmonia që krijonte dhe ndryshimi i regjistrave timbrik më mbanin të magjepsur. Kujtoj me kënaqësi që mbresat e para për ritmin e melodinë në muzikë, i njoha nga dora e babait që e dashuronte muzikën. Ai më ftonte të kërceja së bashku me të vallet e bukura e ritmike të qytetit e vendlindjes së tij (Dibrës). Kujtoj si tani se si më ndizej gjaku në fytyrë, e që vazhdoja të ndiqja si i marrë lëvizjet e hapat e tij që shkonin gjithmonë e më shpejt, duke ndjekur ritmin dhe tingujt e muzikës. Janë me të vërtetë momente të paharrueshme dhe emocionuese të fëmijërisë. Në moshën 7 vjeç prindërit vendosën që të studioja një instrument muzikor, për faktin se isha sensibel karshi muzikës. Mbas disa provave me instrumente të ndryshëm, vendosa violinën. Mamaja me ndjenjat pozitive ndaj artit gjithmonë kishte fjalë të ëmbla e të ditura, për durimin e këmbënguljen që duhej për të vazhduar një karrierë artistike.
KOHA: Rinia e juaj “shëtiti” në Greqi e gjetiu. Çfarë keni synuar në atë kohë dhe a keni arritur të realizohet ëndrrat e juaja?
SPAHIA: Dalja nga Shqipëria për herë të parë në vitin 1989 me kuartetin e harqeve të TOB në kuadrin e aktiviteteve që organizonte Ministria e Arsimit dhe e Kulturës në Francë e Austri, shërbeu si një impuls për të tentuar më pas vazhdimin e aktivitetit jashtë vendit. Rënia e sistemit komunist krijoi një kaos të madh social dhe ekonomik. Ishin vite të vështira për kulturën në vend. Ajo situatë obligoi shumë artistë të kohës time të gjejnë veten e tyre me profesionin në skenat e në formacione të vendeve të tjera. Nuk ishte thjeshtë vetëm një dëshirë. Shumë herë flas me kolegë dhe e vërteta është që për asnjë nuk ka qenë e thjeshtë të iki nga vendi i tij e te vendos jetën në një vend tjetër, por momenti ishte i tillë se oportunitetet në vend ishin të kufizuara. Rastësia e solli që të jem i pari shqiptar që mori pjesë në konkursin internacional të violinës Pablo Sarasate në Spanjë, në vitin 1991 dhe ishte një veçanti, sepse që pas Luftës së Dytë Botërore nuk ekzistonte asnjë kontakt diplomatik me Spanjën. Kam një intervistë në gazetën lokale të asaj kohe, ku imazhi i shqiptarëve që iknin me anije ishte në të gjitha lajmet dhe gazetat e kohës. Emigrimi ishte në masë. Pyetja e gazetares ishte se pse dalin kaq shumë njerëz nga vendi juaj, ndërsa thashë: -“Kur Shqipëria i kishte kufijtë e mbyllur, vendet e perëndimit kërkonin që t’i hapnim, tani që ne i hapëm kufijtë, perëndimi po i mbyll kufijtë e tij”. Ishte përgjigjja ime në atë moment. Por, kam përshtypjen që edhe sot e kësaj dite kjo gjë vazhdon të jetë njësoj në politikat e të huajve.
KOHA: Cilët janë hapat e para të juaja në skenat botërore dhe sa punë e përkushtim duhet të bëhet që të arrihet deri te skenat në vendet metropole?
SPAHIA: Siç e komentova dhe më lartë, koncertet e para jashtë vendit ishin në Austri dhe në Francë me kuartetin e TOB, koncerte këto të organizuara nga Ministria e Kulturës. Vendosja ime definitive në Spanjë bëri që të intensifikohej aktiviteti artistik me pjesëmarrjen në formacione të ndryshme të muzikës së dhomës në jetën solistike të diskografisë e të mësimdhënies. Falë punës këmbënguljes e talentit, kam arritur që si publiku ashtu edhe mediat të vlerësojnë cilësinë e aktivitetit tim. Që prej vitit 1996 jam koncert-mjeshtri i Orkestrës simfonike të Majorkës (në Orkestrën Simfonike të Ishujve Balear në Palma de Majorka).
KOHA: Jetoni më shumë se 20 vite në Spanjë. Lufta epike e Spanjës në vitet 1936-1939 nuk pati mundësinë t’i regjistronte të gjithë pjesëmarrësit e saj. Vullnetarë për këtë luftë ishin edhe shqiptarët. Sa njihet kjo histori te spanjollët dhe si mirëpriteni ju si shqiptar në Spanjë?
SPAHIA: Gjatë luftës civile në Spanjë morën pjesë shumë vullnetarë nga vende të ndryshme të Evropës e, mes tyre edhe shqiptar. Ka një monument ku janë të shkruar të gjithë heronjtë e ku falënderohen të gjithë vullnetarët që morën pjesë. Plagët e kësaj lufte akoma vazhdojnë të jenë të hapura në shoqërinë spanjolle. Është kurioz një fakt tjetër që gjatë periudhës së mesjetës, për disa muaj, Mbreti i Koronës së Aragonit u shpall dhe Mbreti i shqiptarëve… Spanja është një vend mesdhetar me kulturë historike shumë të pasur. Informacioni për vendin tonë është i pakët, por kur hyn ne komunikim me njerëzit menjëherë e gjen gjuhën e përbashkët. Është një popull me një sentiment optimist alegre e me dashuri për jetën.
KOHA: Udhëtimi artistik merr vlera të një morali njerëzor dhe të një procesi evolutiv, me cilësitë e një instinkti dinamik dhe produktiv, që do të thotë, artistikisht, qenia e tij shfaqet si natyrë njerëzore artistike dhe e aftë për të bërë vepra interesante e të kënaqshme. Që të arrihet suksesi dhe qëllimi i artistit në kulmet e procesit krijues artistik, i duhen shumë veti cilësore në veten e tij?
SPAHIA: Ka një thënie shumë kuptimplote që thotë: – Talenti pa punë nuk ekziston. Talenti është si ai diamanti që ndodhet diku thellë nën tokë. Po qe se nuk bën mundimin që ta gjesh, ta nxjerrësh e ta përpunosh nuk vlen për asgjë. Me këtë dua të them që procesi i arritjes të suksesit, përveç talentit, është praktika dhe puna sistematike. Me entuziazëm, durim e me këmbëngulje të jep rezultatin final. Besoj që kjo është e njëjtë për të gjitha fushat e tjera qoftë në arte apo në shkencë.
KOHA: Një artist si individ dhe si vetvete në këtë jetë njerëzore, është një qenie e veçantë, specifike, e jashtëzakonshme në llojin e vet?
SPAHIA: Hahaha… Namin e kemi që ne artistët jemi pak të veçantë. Por, për mendimin tim është që çdo artist e gllabëron obsesioni për perfeksionimin e punës së tij, e ky është një prioritet për të. Kjo gjë bën që jo gjithmonë të shkojë me të njëjtin ritëm, që shumë herë të detyron rutina e jetës së përditshme. Emocionet e përgjegjësia që ke sa herë që del në skenë krijojnë një rrethanë të veçantë që implikon një ritëm të ndryshëm për artistin e për ata që jetojnë me të… Por, pyetja jote nuk është pa vend, sepse kohët e fundit më ra në dore një libër, i cili titullohet “Si të kuptosh kur ke një artist në familje”… Diçka të veçantë duhet të kemi.., haha.
KOHA: Mrekullia e natyrës njerëzore të artistit të vërtetë, është dashuria për jetën dhe njeriun në këtë botë, si objekte dhe subjekte më intensive, pasionante dhe më me interes në krijimtarinë artistike në tërësi dhe në vepër, në veçanti. Sa jepni dhe merrni dashuri nga njerëzit që ju rrethojnë?
SPAHIA: Një artist është personifikimi i dashurisë dhe pasionit për jetën, për njerëzit, për natyrën, për profesionin, sensible ndaj fenomeneve shoqërore e artistike. Nëpërmjet profesionit kam bërë miq e shokë nga të gjitha fushat. Orkestra ku unë bëj pjesë që prej 25 vitesh është e përbërë nga 72 profesorë, qe vinë nga 17 vende të ndryshme të botës. Është një përzierje kulturash që vinë nga të katër anët e globit. E konsideroj që është një pasuri, por ajo që na bashkon më shumë është dashuria dhe pasioni për muzikën. Ndihemi si në një familje të madhe, ku ndajmë me njëri tjetrin së bashku mendimet e preokupimet, ndjenjat e shqetësimit e të gëzimit. Ky komunikim ka si kolone vertebrale dashurinë ndaj jetës dhe respektit kulturor, që sjell çdo individ, si pjesë e gjithë kolektivit. Ashtu, shkëmbejmë eksperiencat kulturale e të gjithë mësojmë nga të gjithë. Me kënaqësi do dëshiroja të vizitoj sërishmi Kosovën e Maqedoninë për t’u takuar me njerëzit e me kolegët e mi, për të ndarë e përjetuar me ta ndjenjat e ngrohta të miqësisë ashtu si dhe eksperiencat tona profesionale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.