Delvina KËRLUKU
Shaban Murati, Ambasador i parë i Shqipërisë në Shkup (1993-1997). “Mjeshtër i Madh” në diplomaci. Diplomat karriere, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analist diplomatik me përvojë rreth 50 vjeçare në fushën e politikës së jashtme. Ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Suedi, Finlandë, Norvegji dhe Islandë dhe në ministrinë e jashtme në detyrat si zëdhënës i shtypit, drejtor i drejtorisë së analizë-prognozës, drejtor i Drejtorisë së Ballkanit, drejtor i Akademisë diplomatike të MPJ dhe këshilltar i posaçëm për rajonin. Autor i shumë librave dhe i qindra analizave për çështjet e diplomacisë dhe të politikës së jashtme në mediat e vendit dhe të huaja. “Çmimi i karrierës”, nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, 2012. Si pjesë e kolanës së gjatë të librave të botuar nga autori për çështjet e Ballkanit dhe të mendimit diplomatik shqiptar, ka botuar edhe librin “Shqiptarët e Maqedonisë-prioriteti i çështjes shqiptare”. Maqedonia dhe shqiptarët e Maqedonisë janë një temë e preferuar për autorin, sepse duke qenë ambasadori i parë i Shqipërisë në Maqedoni, ka ndjekur zhvillimet me një konsekuencë të rrallë, jo vetëm gjatë mandatit diplomatik, por edhe nga koha e largimit prej postit diplomatik e deri në ditët tona.
KOHA: Z. Murati, keni qenë ambasador i Shqipërisë në Maqedoni. Si ishte Maqedonia në periudhën kur Ju shërbenit në Shkup?
MURATI: Kam pasur nderin të jem ambasadori i parë i Shqipërisë në Maqedoni, dhe siç kam theksuar në librin tim, “Shqiptarët e Maqedonisë-prioriteti i çështjes shqiptare”: “Maqedonia zë një vend të pazëvendësueshëm në zemrën, në krijimtarinë dhe në vokacionin tim profesional e kombëtar”. Kam punuar në Maqedoni në vitet kur sapo ishte krijuar Republika e Maqedonisë dhe kur politikanët maqedonas, të cilëve iu dha shansi të ndërtonin për herë të parë një shtet me emrin “Maqedoni”, nuk kuptuan dot as kohën dhe as historinë. Ata bënë dy gabime strategjike, të cilat rrodhën nga ëndrra e papërligjur nacionaliste për të krijuar një shtet një-nacional të maqedonasve. Gabimi i parë ishte se nuk vlerësuan rëndësinë e kontributit historik dhe të pjesëmarrjes së shqiptareve në institucionet e shtetit të ri, dhe që pa popullin shqiptar atje nuk do të mund të ekzistonte shteti i ri. Gabimi i dytë ishte se nuk kuptuan që marrëdhëniet e barazisë midis popullit shqiptar dhe popullit maqedonas në të drejtat, në liritë dhe në kompetencat e drejtimit të shtetit, ishin themeli i sigurisë dhe i jetëgjatësisë së shtetit. Si ambasador i Shqipërisë kam përjetuar ngjarje të papërsëritshme të historisë së popullit shqiptar në Maqedoni, që nga festimi për herë të parë në 28 nëntor 1993 të Ditës së Flamurit në Kalanë e Shkupit, me simbolin e shqiponjave në gjokset e gjithë të ftuarve. (Kam foton me ministrin e Jashtëm Cërvenkovski me stemën e flamurit tonë në gjoks).
Themelimi i Universitetit të Tetovës përbën një nga faqet e paharruara historike të veprimtarisë sime si ambasador, për shkak të:
– mbështetjes në ditët e përgatitjes së krijimit të tij,
– përpjekjeve për unifikimin e faktorit shqiptar në përkrahjen e themelimit,
– ndërkombëtarizimin e çështjes së Universitetit të Tetovës dhe lobimin për njohjen e tij nga faktori ndërkombëtar,
-presionin diplomatik dhe shtetëror mbi autoritetet maqedonase për pranimin dhe legalizimin e tij. Dhe sot ndjehem krenar që edhe unë kam vënë një tullë në atë ngrehinë të shquar të arsimit të lartë në gjuhën shqipe.
KOHA: Z. Murati, Maqedonia është ballafaquar me problemet e ndërlikuara të shoqërisë, keqkuptimet, të gjitha këto, mes komunitetit maqedonas dhe atij shqiptar. Problematikën e zhvillimeve në këtë vend e keni pasqyruar në librin “Shqiptarët e Maqedonisë”. Ndërsa, sot akoma vazhdon ky problem. Ku e shihni Ju Maqedoninë?
MURATI: Problemet aktuale në Maqedoni i kanë rrënjët në projektin e shtrembëruar të shtetit, i cili u konceptua nga drejtuesit e shtetit si një dominim i popullit maqedonas mbi popullin shqiptar në Maqedoni. Ky koncept i rrezikshëm u konkretizua me institucionet agresive të shtetit të ri, i cili derdhi gjak shqiptar kur u themelua Universiteti i Tetovës në gjuhën shqipe, kur u ngrit çështja e së drejtës së përdorimit të flamurit kombëtar në vitin 1997, në konfliktin e armatosur të vitit 2001, e në dhjetëra raste, që ka regjistruar kronika e dhimbshme e shtypjes policore ndaj të drejtave të shqiptarëve. Udhëheqësit maqedonas duhet të kuptojnë se në kohërat moderne dhe demokratike ka ikur metoda jugosllave e shtypjes së njërit popull nga populli drejtues i federatës. Kjo do të thotë se ka ardhur koha që të kuptohet se çështja e ekuilibrit strategjik të brendshëm dhe e sigurisë së shoqërisë dhe të shtetit në Maqedoni nuk qëndron as në aritmetikën e numrave të pjesëmarrjes në institucionet maqedonase dhe as në koalicionet formale qeveritare maqedonase-shqiptare. Thelbi qëndron në bashkë drejtimin e shtetit të Maqedonisë nga maqedonasit dhe nga shqiptarët dhe sanksionimi ligjor-kushtetues i të drejtës së popullit shqiptar për vendimmarrje në punët e shtetit. Ndarja e barabartë e pushtetit të vendimmarrjes nga populli maqedonas me popullin shqiptar, është për mua çelësi i garantimit të stabilitetit dhe i harmonisë etnike në Maqedoni.
KOHA: Maqedonia është një vend me rendësi gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Ky fakt e bën tërheqëse për fuqitë ndërkombëtare?
MURATI: Padyshim Maqedonia ka një rëndësi gjeopolitike për interesat e Perëndimit në rajon dhe ajo u krijua në bazë të parimit të njohur demokratik të së drejtës së popujve për pavarësi dhe për t’u ndarë nga federata artificiale komuniste e Jugosllavisë. Ka qenë kuptimi i kësaj nevoje gjeopolitike të Perëndimit, që i shtyri edhe shtetin e Shqipërisë, edhe forcat politike shqiptare në Maqedoni të përkrahin krijimin e Maqedonisë si shtet i ri. Ky qëndrim realist ishte i rëndësishëm përballë makinacioneve të klasës politike maqedonase, e cila qysh në devizën e referendumit të pavarësisë në vitin 1991, në mënyrë dinake futi pjesën e cila ligjëron të drejtën për t’u ribashkuar me Jugosllavinë, pra me Serbinë. Nga pikëpamja formale, ajo devizë ka ende vlerë juridike dhe është disi e pakuptueshme se si as partitë politike maqedonase, madje as edhe ato shqiptare, nuk kanë kërkuar abrogimin e kësaj pjese të devizës së referendumit të vitit 1991.
Mendoj se faktori shqiptar në Ballkan duhet t’i përmbahet strategjisë së aleatëve tanë strategjikë për ekzistencën e shtetit të Maqedonisë dhe të mos joshet pas tezave infantile, që dalin herë pas here në qarkullim për prishjen apo ndarjen e Maqedonisë. Desha të kujtoj me këtë rast një të vërtetë historike se krijimin, ruajtjen apo ndarjen e shteteve në Ballkan nuk e kanë vendosur kurrë aktorët rajonalë.
KOHA: Maqedonisë, Bullgaria ia konteston gjuhën, bashkë me identitetin, Serbia – kishën (autoqefalitetin), Greqia – emrin, duke u mbështetur te fakti se dy të tretat e Maqedonisë antike, sot janë nën sovranitetin e saj. E vetmja është Shqipëria që ka treguar një neutralitet të theksuar. Pse?
MURATI: Mendimi im, i mbështetur edhe nga përvoja e mandatit si ambasador, është se Shqipëria ka vepruar drejt, që ka përkrahur shtetin e Maqedonisë dhe nuk ka paraqitur rivendikime të llojeve të ndryshme, që përmendet Ju. Kjo është e drejte edhe nga pikëpamja e interesit kombëtar shqiptar, edhe nga pikëpamja e strategjisë euroatlantike. Ndaj edhe Shqipëria, edhe partitë politike shqiptare në Maqedoni, me të drejtë kanë mbështetur anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO.
Përkrahja ndaj shtetit të Maqedonisë si pjesë e familjes euroatlantike, nuk duhet të ndikohet nga fakti se qeveritë maqedonase nuk kanë ditur ta vlerësojnë proporcionalisht këtë qëndrim të drejtë të Shqipërisë. Mua me kujtohet se në kohën e qëndrimit tim si ambasador, teoria zyrtare për marrëdhëniet me fqinjët ishte ajo e ekuidistancës, e cila realisht nuk ishte ekuidistancë ndaj fqinjëve, por ishte proklamuar si e tillë për të mbuluar preferencat ndaj njërit apo tjetrit fqinj në veçanti. Kjo etiketë mbulonte edhe qëndrimin e pa ngrohtë ndaj Shqipërisë, e cila ishte i vetmi shtet fqinj, që nuk paraqiste asnjë rivendikim territorial historik, gjeografik, politik, fetar, gjuhësor, etj.
KOHA: Gjenerata ime po bëhet dëshmitare okulare e stërvuajtjeve shpirtërore të prindërve të të akuzuarve dhe të dënuarve pa faj, në burgjet e Maqedonisë. Nënat shqiptare qëndrojnë këmbëkryq në derën e gjykatës. A ka pasur ndonjëherë drejtësi për shqiptarët në Maqedoni. Flasim edhe për periudhën kur Ju keni qëndruar në Shkup?
MURATI: Një shtet i ndërtuar mbi diskriminimin nacional nuk mund të ketë drejtësi të vërtetë dhe shqiptarët e kanë provuar gjatë gjithë këtyre 26 vjetëve të shtetit të Maqedonisë. Përtej fajit kryesor të qeverive dhe të institucioneve maqedonase, mendoj se populli shqiptar në Maqedoni e meriton një autokritikë edhe nga partitë politike shqiptare, të cilat kanë qenë pjesë e qeverive në të gjitha periudhat dhe duhej të kishin qenë më intransigjentë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të popullit shqiptar në Maqedoni.
KOHA: A duhet gjuha shqipe të respektohet, në gjithë territorin e Maqedonisë (shqiptarët e Maqedonisë janë në katër anët e këtij shteti)?
MURATI: Gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoni në të gjithë territorin dhe sistemin e saj institucional, me status të barabartë me gjuhën maqedonase. Maqedonia mund të marrë plot shembuj në Evropën e sotme, ku gjuhët e shumta zyrtare e kanë forcuar shtetin dhe demokracinë dhe bashkëjetesën, dhe mjafton të ndiqet shembulli i Zvicrës, Belgjikës, etj.
KOHA: Marrëveshja e Ohrit, të cilën e ka sponsorizuar BE-ja, thirret në ligjet pozitive. Ndërsa, sot kemi “Platformën shqiptare”, të përpiluar nga vetë palët shqiptare. A thua kjo platformë pa ndërhyrjen e fuqisë ndërkombëtare do të zbatohet?
MURATI: Duhet pasur një koncept të qartë përfundimtar shtet-ndërtues se shqiptarët në Maqedoni nuk janë as minoritet e as komunitet. Ata janë popull dhe nuk mund të trajtohen me ligje pozitive apo me diskriminime pozitive, siç trajtohet për shembull minoriteti serb në Kosovë. Populli shqiptar në Maqedoni meriton dhe ka të drejtën të ketë status të barabartë kushtetueso-ligjor për të drejtuar së bashku shtetin me popullin maqedonas. Marrëveshja e Ohrit i përket vitit 2001dhe, pavarësisht se pushteti maqedonas nuk i ka plotësuar detyrimet që rrjedhin nga ajo marrëveshje e nënshkruar prej atij pushteti, duhet pasur parasysh se korniza e kërkesave të popullit shqiptar sot nuk mund të jetë vetëm kuadri kontraktual i para 16 vjetëve. Ndaj lindi si kërkesë e kohës së re ajo që quhet platformë e partive politike shqiptare në Maqedoni.
Platforma e partive shqiptare është një e drejtë e tyre të koordinojnë qëndrimet dhe të dalin me kërkesa të përbashkëta për mbrojtjen e interesave dhe identitetit kombëtar të popullit, që përfaqësojnë, dhe që i voton në Maqedoni. Se nuk ka logjikë që populli shqiptar në Maqedoni të pranojë platformën maqedonase të shtetit njënacional dhe populli maqedonas të mos pranojë platformën e barazisë gjuhësore, juridike dhe kushtetuese të popullit shqiptar atje.
KOHA: Si e vlerësoni bashkëpunimin Maqedoni-Shqipëri, në sferën e politikës dhe në sfera të ndryshme të jetës?
MURATI: Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë janë normale. Mendimi im është se do të kishin pasur një shkallë më të lartë bashkëpunimi dhe përfitimi reciprok, nëse qeveritë maqedonase nuk do të vuanin nga paragjykimet, si ndaj popullit shqiptar në Maqedoni, ashtu dhe ndaj të drejtës së shtetit të Shqipërisë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.
KOHA: Mungesa e unitetit të faktorit politik shqiptar në Ballkan, ka bërë që shqiptarët e ndarë në pesë shtete të jetojnë të defaktorizuar?
MURATI: Unë mendoj se shqiptarët kanë nevojë për unitetin e faktorit politik shqiptar në secilin shtet ballkanik, ku jetojnë. Përpara se të kërkojmë unitet ballkanik të faktorit shqiptar, mendoj se duhet të kërkojmë unitet të faktorit shqiptar në Maqedoni, të faktorit shqiptar në Mal të Zi, të faktorit shqiptar në Serbi, etj. Faktorizimi i faktorit shqiptar në secilin shtet ballkanik do të prodhojë faktorizimin e tij rajonal.
KOHA: Situata e sigurisë në Ballkan nuk është stabile. Ku e shihni Ju shpëtimin?
MURATI: Situata e sigurisë në Ballkan nuk është e qëndrueshme për dy arsye. Së pari, nga politikat e qarqeve të ndryshme ballkanike për të siguruar epërsi dhe hegjemoni ndaj popujve të tjerë të rajonit. Shembull janë për këtë përpjekjet e Serbisë, e cila jorastësisht përpiqet vazhdimisht që të ringjallë në forma të ndryshme Jugosllavinë për ta sunduar si dikur. Së dyti, nga ndërhyrjet e faktorëve anti atlantikë dhe anti evropianë, që punojnë të pengojnë integrimin euroatlantik të rajonit. Shembulli më i qartë është lufta hibride, që Rusia zhvillon në Ballkan, që pas krizës ukrainase, dhe ndërhyrjet e saj të shumëllojshme në jetën politike, sociale dhe elektorale të vendeve të rajonit, si në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari etj.
Integrimi i plotë euroatlantik i rajonit do të krijojë bazën e stabilitetit afatgjatë në rajon. Sa i përket Maqedonisë, ajo nuk do të jetë asnjëherë e qetë, derisa të realizojë barazinë e të drejtave dhe të vendimmarrjes në shtet midis popullit maqedonas dhe popullit shqiptar.
KOHA: Si mund ta konsiderojmë gazetarinë sot? Duke pasur parasysh se Ju keni punuar një periudhë në gazetari?
MURATI: Gazetaria është profesion dhe vokacion. Ajo ndodhet aktualisht në një periudhë të vështirë, sepse me lindjen e portaleve dhe të rrjeteve sociale gjithkush, që din shkrim e këndim mendon se automatikisht është gazetar. Në fakt profesion i gazetarit ka qenë dhe është i njëjtë si profesioni i mjekut apo i inxhinierit. Unë kam punuar gjysmën e jetës profesionale në gazetari, por nuk jam ndarë prej saj as në gjysmën tjetër, që kam punuar në diplomaci. Kam qenë me fat, që kam ardhur në diplomaci nga gazetaria, që për mua është profesioni më i përshtatshëm për t’u bërë diplomat.
KOHA: Z. Murati, ku e dalloni dashurinë ndaj familjes me atdhedashurinë?
MURATI: Është detyrim te duash familjen njësoj si atdheun, dhe atdheun njësoj si familjen. Historia e shtetit shqiptar na ka mësuar që nuk ka qenë gjithmonë ashtu. Kur shqiptarët të arrijnë të njësojnë të dy dashuritë, mund të themi se e kemi bërë Shqipërinë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara