Omer XHAFERI
Shkup, 28 mars – Pavarësisht se dispozitat ligjore i mundësojnë prokurorit publik që ta ketë fjalën e fundit në përcjelljen ligjore të komunikimeve, megjithatë ky proces edhe më tej tërësisht realizohet nga ana e Ministrisë për Punë Brendshme. Për këtë arsye, kryetari i Prokurorisë Themelore Publike, Marko Zvërlevski, ka potencuar se Ligjit për përcjelljen e komunikimeve duhet të pësoj ndryshime, shkruan gazeta KOHA. Mes tjerash, ai në fjalimin e tij para të pranishme në konferencën ndërkombëtare me temë “Përcjellja e komunikimeve- korniza ligjore dhe përvoja, roli i një prokurori publik” të mbajtur në Shkup, tha se procesi i fundit i përcjelljes së jashtëligjshme të komunikimeve ka ndikuar që Maqedonia të thellohet në një krizë të rëndë shoqërore.
“Në kohën kur terrorizmi dhe krimi i organizuar i shfrytëzojnë të gjitha përparësitë teknologjike, synimi jonë është që të punojnë në drejtim të bashkëpunimit ndërkombëtar. Prokuroria jonë deri më sot ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me po thuajse të gjitha shtet e rajonit, përfshi Turqinë dhe Rusinë. Përcjellja e komunikimeve si formë e ruajtjes së sigurisë së shtetit tonë, paraqet sfidë me të cilën prokurorët tanë për çdo ditë ballafaqohen. Pajisjet për përcjelljen e komunikimeve i shkelin të drejtat themelore të njeriut dhe kontribuojnë në destabilizimin e shoqërisë. Përkundër asaj se Ligjit për përcjelljen e komunikimeve i autorizon më tepër institucion që ta mbikëqyrin këtë proces, Prokurorinë, MPB-në, përfshi edhe Drejtorinë e Doganave, megjithatë këto autorizime qëndrojnë vetëm në letër, ndërsa përcjelljen e komunikimeve kryekëput e mbikëqyr MPB, dhe çka është më e rëndësishme, në të shumtën e rasteve pa dijeninë e prokurorive publike. Këtë vërejtje e kanë theksuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, tha kryeprokurori i shtetit Zvërlevski, përcjell KOHA. Në këtë konferencës mori pjesë edhe kryetari i ri i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, i cili tha pavarësisht se ky takim u iniciua për organizimin dhe punën e prokurorive publike, ajo është një nxitje për përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mes gjykatave. “Përcjellja e komunikimeve paraqet një instrument të vërtet efikas në zbardhjen e hetimeve. Masat hetuese në ligjin e ri janë të harmonizuar me ligjet ndërkombëtare. Gjykata Supreme në këtë rast është kompetente vetëm kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë së shtetit. Atëherë, kur ekzistojnë dyshime se përgatitet ndonjë skenar kundër shtetit apo forcave të armatosura me qëllimi rrënimin e sistemi mbrojtës të shtetit, kërkesë për përcjelljen e komunikimeve, prokurori publik e dorëzon deri te ne. Korniza ligjore në këtë drejtim është segment i rëndësishëm dhe veprimet praktike të organeve kompetente në shtetin tonë dhe atyre përgjegjëse të rajonit do të ndikoj në përmirësimin e legjislacionit”, tha Vangellovski. Konferenca në fjalë, e mbajtur ditën e martë në Shkup, i mblodhi edhe kryeprokurorët publik të rajonit dhe zëvendësit e tyre, respektivisht debatin për përmirësimin e kornizës ligjore për përcjelljen e komunikimeve morrin pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Rusia, Turqia, Bullgaria, Sllovenia dhe Kroacia.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara