Hyrje | Opinion | Dhuna në shkollë është problem social

Dhuna në shkollë është problem social

image

Avzi MUSTAFA

Ditëve të fundit po shohim se problemet e dhunës nëpër shkolla nuk janë më të huaja as për mjediset tona shkollore. Edhe në Republikën e Maqedonisë në shkolla po ndodh diçka shumë e dhimbshme Për fat të keq dhuna po bëhet dukuri e përgjithshme. Tani dhuna, që dikur cilësohej si diçka jo e moralshme dhe dukuri devijuese, sot po bëhet përditshmëri e shkollarëve tanë.

Dhuna tashmë e tejkalon të pamoralshmen dhe merr përmasa të gjera me një denduri marramendëse. Deri tani individët dhe institucionet e ndryshme vetëm bëjnë konstatime, por realisht shumë pak është bërë për ta luftuar këtë dukuri. Megjithatë rasti i fundit me humbjen e jete të riu sikur na tronditi të gjithëve dhe ndezi alarmin se as te ne punët nuk janë gjithaq mirë sa që pretendohet. Kjo na detyron të përballemi në mënyrë shumë serioze duke e trajtuar atë si një dukuri të dimensionit të gjerë social. Te psikologët e pedagogët dominon mendimi se konflikti dhe dhuna janë ndër fenomenet e natyrshme dhe të përkohshme te fëmijët adoleshentë. Kjo dhunë te fëmijët vjen si një akumulim i faktorëve që fitohet nga mosha e re dhe pa një kohë ato zhduken. Kjo tezë e plasuar në literaturën pedagogjike e psikologjike siç duket nuk vërtetohet, porse dhuna merr përmasa më të mëdha dhe nga një agresivitet ose sjellje jonormale po kalon në një kriminalitet të qartë.

Format e dhunës

Ekzistojnë shumë mënyra për lindjen e konflikteve dhe ushtrimin e dhunës, të cilat i dëgjojmë çdo ditë, por si duket problemit i ikim, sepse nuk e marrim parasysh faktorin kryesor dimensionin social. Dikur konflikti ishte vetëm një çështje e psikologjisë sociale, e cila trajtohej si një çështje e individit si nxitës për ndryshim. Tani, siç shihet, ai po i kalon përmasat, andaj atë duhet ta kërkojmë brenda kërkesës sociale. Konflikti dhe dhuna te fëmijët nuk lidhet vetëm me gjykimet e veprimet e tij, por edhe me ato të tjerëve.

Siç duket, ne ende nuk jemi në gjendje të bëjmë dallimin e llojeve të dhunës, e cila manifestohet në disa forma, si: dhunë fizike, psikologjike, sociale, seksuale. Dhuna fizike manifestohet me rrahje, shkelmime, kafshime, ngufatje.... etj., duke përdor edhe mjete të ndryshme siç e përshkruajnë pedagoget e shkollave. Dhuna psikologjike manifestohet në mënyra të ndryshme duke nënvlerësuar, injoruar, tallur, fyerjen e deri te sharja e kërcënimi verbal. Dhuna seksuale shprehet përmes ledhatimit, puthjes dhe marrëdhënie së drejtpërdrejte seksuale. Ndërkaq dhuna sociale shprehet me nënçmime nacionale, fetare, gjinore, financiare etj. Të gjitha llojet e dhunës që u ushtruan nëpër shkollat tona për fat të keq u kuptuan dhe u interpretuan për interesa të çastit ose për interesa politike.

 

Faktorët themelorë që prodhojnë dhunë

Këtë ndarje të llojeve të dhunës kemi bërë për një qëllim – që të mundemi sa më lehtë t’i gjejmë shkaqet që kontribuojnë për paraqitjen e dhunës. Si një ndër faktorët e parë për paraqitjen e dhunës në shkollë është nga familja. Pa hyrë në detaje në shpjegimin e llojet e familjeve, do të themi se ndryshimi i strukturës së familjes me përqafimin e koncepteve të reja, më shumë shkon në vënien e fëmijëve në rrezik se sa në rrugë të drejtë. Tashmë shumë prindër përdorin dënime të rënda fizike për disiplinimin e fëmijëve. Po ashtu edhe pabarazia shoqërore-ekonomike, urbanizmi dhe mbipopullimi; zhvillimi i shpejtë ekonomik, i shoqëruar me nivel të lartë të papunësisë në mesin e të rinjve, pastaj ndikimet e mjeteve të informimit publik, normat shoqërore që përkrahin sjellje të dhunshme. disponimi me armë etj., janë faktorët themelorë që të rinjtë të futen lehtë në konflikte dhe në dhunë me pasoja tejet të rënda. Të gjithë këta faktorë, sidomos atmosfera në shtëpi, është çelësi i zhvillimit të sjelljes së dhunshme te të rinjtë. Manifestimet e llojeve të ndryshme të dhunës janë të lidhura me dhunën si rezultat i familjes.

 

Fëmijët me çelësa në qafë dhe me televizorin për shok

Fëmija me çelës në qafë është një produkt i ri që gjithnjë e më shpesh po haset edhe në mjediset tona, veçmas në mjedise urbane, aty ku prindërit janë të punësuar. Fëmijët e këtillë që tërë ditën janë të vetmuar, shok të tyre e bëjnë televizorin dhe kompjuterin pa asnjë orar. Fëmija me çelës në qafë komunikimin e zhvillon nëpërmjet telefonave celularë dhe i mbyllur në shtëpi duke luajtur me lojërat kompjuterike ose duke shikuar televizor pa kontroll.

Shoqërimi me moshatarë delinkuentë gjithashtu lidhet me dhunën te personat e rinj. Gjithashtu për përhapjen e dhunës, përveç faktorit social, është edhe faktori politik dhe kulturor. Pa hyrë në elaborimin e këtyre faktorëve që më duken se janë të njohura nga të gjithë, do të themi se ato për dhunën kanë ndikim edhe bandat lokale, dilerët e ndryshëm, shoqërimi në turmë, konsumimi i drogës e alkoolit, që në një mënyrë janë përgjegjësi e sistemit të sigurisë të cilin duhet ta dëshmojë pushteti. Te adoleshentët, që nuk gjejnë kushte të jetës dhe lirisë normale, na paraqiten edhe faktorë të tjerë, si: impulsiviteti, hiperaktiviteti, mossuskesi në shkollë etj. ë këtë kontekst nuk duhet të përjashtohet edhe qeverisja shtetërore me ligjet saj, si dhe fakti se në çfarë shkalle shteti e zbaton ligjin si për fëmijët që manifestojnë dhunë, ashtu edhe për prindërit e tyre.

 

Kujt i bie përgjegjësia?

Kjo që sot po ndodh me fëmijët kërkon një analizë të thelle të të gjithë faktorëve si dhe angazhim më të madh para së gjithash të institucioneve edukativo-arsimore, duke na ofruar programe alternative, instruksioneve shtëpiake, trajtim të drejtë në shtëpi, angazhim më të madh të institucioneve penale, si dhe kthim të edukatës në shkollë e në familje, por edhe autonomi më të gjerë të shkollave, funksionim të këshillave të shkollës, programe për angazhimin e nxënësve në aktivitete të shumta jashtëshkollore në bashkëpunim me shkollën dhe me bashkësitë lokale etj.

Shkollat dhe institucionet e tjera kanë nevojë të hartojnë një strukturë funksionale dhe të hartojnë rregulla të cilat duhen të ndiqen me masa ndryshme disiplinore që duhet të aplikohen si për prindërit, ashtu edhe për fëmijët dhe për shkollën.