Filtrat e stafeve vendore nuk do të duhej të konsiderohen si qëndrime përfundimtare të ambasadave e agjencive të huaja. Por kur ndodhë që ato qëndrime të mos mbështeten gjithmonë në gjendjen faktike në terren, atëherë duhet punuar më shumë me stafet vendore, që të edukohen më tepër në frymën e diversiteteve kulturore e etnike në këtë shoqëri, me kusht që “mizat” që i kanë ata në krye të mos i bartin edhe në vendet e punës ku punojnë
Nga Emin AZEMI
Shpesh ndodhë që përfaqësuesit e huaj diplomatikë të na mbajnë leksione për disa punë tona të brendshme, të cilat ne i njohim shumë më mire se ata. Është bërë tash më rutinë që vokabulari i këtyre përfaqësuesve të dominohet nga përshkrime sipërfaqësore të gjendjes, ku zënë vend edhe disa formulime që fare nuk korrespondojnë me realitetin. Dhe kjo zakonisht ndodhë kur diplomatët e huaj përdorin dy standarde në qasjet e tyre. Se pse ndodhë kështu, shkaqet mund të jenë të natyrave të ndryshme, por ajo që bie në sy është fakti se nëpër ambasada dhe fondacione të huaja në Shkup dominon një staf vendor që të gjitha zhvillimet në terren i shikon nga prizmi maqedonas. Për rrjedhojë, shumë projekte, iniciativa e ide “hekurosen” nga ky staf, i cili pastaj i prezanton ato në formë mendimesh e sugjerimesh deri te shefat e tyre. Këta të fundit, të painformuar me gjendjen konkrete në terren, nënshkruajnë dokumente finale në stilin “zdravo za gotovo” që si dedikim kanë nevojat e kërkesat e një komuniteti me dominancë maqedonase.
Një koleg po më tregonte një ditë se si një diplomat i rëndësishëm në Shkup, para disa viteve, në jë takim me përfaqësues të shoqërisë civile, i shoqëruar edhe nga disa kolegë të tjerë ambasadorë, po e kritikonte ashpër regjimin e Gruevskit për praktikat diskriminuese ndaj qytetarëve të etnive të ndryshme. Me mendime të ngjashme në atë takim ishin paraqitur edhe folësit tjerë, duke sjellë si argument se Gruevski ishte ai që po e frentonte shoqërinë të jetë e lirë dhe e barabartë.
Mirëpo në atë takim ishte shfaqur edhe një mendim ndryshe, pikërisht nga kolegu që po ma rrëfente këtë ngjarje. Si argument që e bënte situatën të shihet nga një këndvështrim tjetër, ai, para se të shprehte pajtueshmëri të plotë sa i përket konstatimeve për Gruevskin, kishte ofruar edhe disa shembuj konkret që tregonin se pikërisht ambasadorët e huaj (disa prej tyre) ishin ata që me asgjë nuk ndryshonin nga qasja e Gruevskit për sa i përket shumë projekteve me të cilat konkurronin pjesëtarë të ndryshëm të shoqërisë shqiptare, kryesisht nga fusha e mediave dhe e demokracisë. Ai kishte prezantuar disa raste kur subjekte të ndryshme të shqiptarëve kishin aplikuar me projekte konkrete në agjenci e ambasada të caktuara, me dokumentacion të kompletuar dhe me të gjithë përbërësit e nevojshëm që një projekt e bëjnë të jetë gjithpërfshirës.
Mund të ketë edhe arsye reale për të refuzuar ndonjë projekt që vjen nga shqiptarët, sepse e kemi të njohur mendjelehtësinë e disave që pretendojnë se mjafton një letër kinse projekt për tu konsideruar si shans financimi. Por, ama është e njohur, në anën tjetër, edhe praktika e refuzimit të projekteve, jo pse ato janë shqyrtuar nga shefat e agjencive e ambasadave, por pse janë filtruar paraprakisht nga pjesëtarë të ndryshëm të stafit vendor, tek të cilët dominojnë preferencat e tifozerisë etnike, që në rastin konkret i bie që mund të mos jesh fans i tyre vetëm pse flet një gjuhë tjetër.
Filtrat e stafeve vendore nuk do të duhej të konsiderohen si qëndrime përfundimtare të ambasadave e agjencive të huaja. Por kur ndodhë që ato qëndrime të mos mbështeten gjithmonë në gjendjen faktike në terren, atëherë duhet punuar më shumë me stafet vendore, që të edukohen më tepër në frymën e diversiteteve kulturore e etnike në këtë shoqëri, me kusht që “mizat” që i kanë ata në krye të mos i bartin edhe në vendet e punës ku punojnë. (koha.mk)