E mrekullueshme video e Shkëndijës së Tetovës që postoi sot në faqen e saj zyrtare në Facebook, një video dedikuar Milanit, kundërshtarit në fazën “play-off” të Europa League, ku bënte një krahasim me humor mes dy skuadrave dhe dy qyteteve. Gjetja gjeniale e tetovarëve për të ndezur atmosferën para ndeshjes së parë në “San Siro” bëri xhiron e internetit dhe u prit shumë mirë nga gjithë opinioni sportdashës.
Disa orë pas postimit të videos nga Shkëndija, erdhi dhe reagimi i faqes zyrtare të Milanit në Facebook. Kjo e fundit komentoi në postimin e Shkëndijës duke përshëndetur shpirtin e garës së treguar nga kuqezinjtë shqiptarë: “Përshëndetje KF Shkëndija. Treguat shpirt të madh të rivalitetit të shëndetshëm. Do të jetë një kënaqësi t’ju presin të enjten në San Siro. Shihemi miq”, – shkruan komenti i Milanit.