Ish-presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, sot ka marrë dhuratë një “kartolinë virtuale” nga mesfushori Nijas Lena. Ky i fundit, gjatë qëndrimit në Turqi ku po kryen përgatitjet e dimrit me Kukësin, ka shkrepur një foto me sulmuesin holandez të Fenerbahçes, Robin Van Persi.
Ish-futbollisti i kuqezinjve ia ka dërguar Gjikës fotografinë me përshkrimin “Lena dhe Van Persi”, foto të cilën ky i fundit e ka postuar në profilin e vet në “Facebook”. “Një dhurate nga një nga miqtë e mi më të mirë, dhe një nga futbollistët që ka lënë emër të madh te Flamurtari – Nijas Lena! Midis Van Persit dhe Lenës, edhe pse jam tifoz holandez, nuk do nguroja të rizgjidhja Lenën!”, shkruan ish-kryebashkiaku i Vlorës në komentin që shoqëron foton.