Janë të mirëkuptuara ato ngjarje që organizohen në pjesën e vjetër të Shkupit, aty ku arkitektura dhe urbanistika gërshetohen me mesazhet universale që japin veprat e ndryshme të artit. Por, çfarë kuptimi ka një lexim letrar, i cili në vend se të mbahet në ndonjë ambient shkollor në Çair, para nxënësve e arsimtarëve, ai organizohet në qendrën urbane të Shkupit, aty ku përveç autorëve që lexojnë, merr pjesë edhe ndonjë pensionist që mërzinë e vetmisë mundohet ta vret duke dëgjuar vargje lirike
Nga Emin AZEMI
Njëfarë stihie organizative është prezente gati në çdo manifestim kulturor që mbahet këtu te ne. Ata që merren me këto ngjarje, si duke e kanë harru një segment mjaft të qenësishëm – menaxhimin, si faktor thelbësor që e bën një manifestim të mbahet mend, të paktën deri në vitin pasues. Zakonisht me këto punë merret një person dhe ai person vetëm pak ditë para se të mbahet akcili manifestim aktivizohet, i shpërndan në shpejtësi disa ftesa në Facebook dhe këtu mbaron parapërgatitja. Mungojnë kontaktet me mediat, konferencat e shtypit, fletëpalosjet, kompletimi i të dhënave për pjesëmarrësit, dhe ajo çka është më skandaloze për dy,tri ngjarje ndodhë të fletë personi i njëjtë. Rrethi i atyre që ftohen për të folur për një libër, ekspozitë apo për ndonjë vepër tjetër arti është tepër i ngushtë dhe janë njerëz të njëjtë që barten nga galeria në sallë leximi, nga koncerti në dërrasa teatri. Pastaj ndodhë që brenda një dite të mbahen dy ngjarje kulturore dhe e keqja do të ishte më e vogël sikur ato të mos mbahen në të njëjtin termin. Kalendari kulturor nuk i nënshtrohet kurrfarë shqyrtimi paraprak në mënyrë që të mos ketë përplasje terminësh.
Krejt kjo është pasojë e një rrëmuje që është instaluar në jetën tonë kulturore publike. Pasojat e kësaj rrëmuje mund të jenë të natyrave të ndryshme, por ajo që bie në sy është mungesa e publikut, mungesa e të rinjve, e atyre që nesër mund të jetë një publik i formuar dhe konsoliduar, jo vetëm për premiera ku biletat jepen gratis, por edhe për reprizën e 30-të me radhë. Nëse nuk punohet në avancimin e shijes së publikut, i cili duhet të shumëfishohet, atëherë shtrohet pyetja se cili është funksioni i manifestimeve kulturore. Tradita nuk është diçka e shkëputur, pa vazhdimësi dhe pa kohezion të brendshëm përmbajtjesor. Te ne ka ndodhur që shumë manifestime kanë filluar me idenë që të jenë tradicionale, por kanë përfunduar në ngjarje pa efekt që kanë përmbushur kapriçot e individëve. Në këto raste më tepër ka luajtur rol protagonizmi i provincialistëve të caktuar, të cilat kanë patur shumë nevojë të dalin nga anonimiteti, se sa ndonjë synim utilitar për të sjellë më shumë dritë në përditshmërinë tonë të kapluar nga tendencat akulturore.
Organizimi ynë kulturor vuan edhe nga një prirje pak a shumë snobiste që gjithçka të rrotullohet në qendrën e Shkupi. Janë të mirëkuptuara ato ngjarje që organizohen në pjesën e vjetër të Shkupit, aty ku arkitektura dhe urbanistika gërshetohen me mesazhet universale që japin veprat e ndryshme të artit. Por, çfarë kuptimi ka një lexim letrar, i cili në vend se të mbahet në ndonjë ambient shkollor në Çair, para nxënësve e arsimtarëve, ai organizohet në qendrën urbane të Shkupit, aty ku përveç autorëve që lexojnë, merr pjesë edhe ndonjë pensionist që mërzinë e vetmisë mundohet ta vret duke dëgjuar vargje lirike.
Kjo mërzi vetmie që nuk është vetëm e pensionistëve, sikur është bërë pjesë e jetës sonë kulturore. Në Francë, Itali, Spanjë, Britani, Çeki, Poloni e gjetiu ka shkolla të posaçme ku njerëzit mësojnë dhe trajnohen për programe të posaçme menaxhimi në kulturë. Atje asgjë s’i lihet stihisë, kurse ngjarjet që kanë karakter të ndryshëm, kanë menaxherë të ndryshëm dhe nuk ndodhë që një menaxher teatri të merret edhe me organizimin e ndonjë ekspozite, ose një menaxher muzike të hidhet në letërsi.
Te ne po shton shtat një supermen që menaxhon gjithçka dhe në fund njeriu nuk e ka të qartë nëse ka qenë në ndonjë takim badihavxhinjësh, apo në një ngjarje të mirëfilltë kulturore. (koha.mk)