Nga Janis EMMANOUILIDIS
Evropa është fokusuar tek Gjermania, se kush do të drejtojë. Kryeministrja me mandatin më të gjatë në Evropë, Angela Merkel, apo politikani me përvojë i BE-së Martin Schulz? Kush mund t’i japë më mirë tonin drejtimit në Evropë në të ardhmen? Ajo apo ai?
Kriza e refugjatëve herë-herë e ka izoluar kancelaren në nivelin evropian – asaj i duhej të gëlltiste akuza të ashpra – se ajo ka qeverisur pa u koordinuar me të tjerët duke i hapur kufijtë. Edhe sot e kësaj dite është e diskutueshme çështja se kush do t’i pranojë emigrantët në Evropë. A mund të fitojë më shumë pikë këtu sfidanti i saj Martin Schulz? Ai bën thirrje për sanksione kundër vendeve të BE-së, që në të ardhmen refuzojnë të pranojnë refugjatë. Por politologu Janis Emmanouilidis nga think tank-u “Qendra Evropiane e Politikës” në Bruksel është skeptik. Ai mendon, se masa të tilla mund të jenë kundërproduktive: “Besoj që veprime të tilla mund të çojnë në një kundër-reagim. Në ato vende anëtare, ku në pushtet janë zotërinjtë Orban, Kuczynski, pra në Hungari e Poloni, ata do ta shfrytëzojnë këtë si argument për të thënë, pa shihni po na ushtrojnë presion nga jashtë, gjë që ne nuk e duam e as populli ynë nuk e do. Kjo bën që të mos gjenden kompromise në nivel evropian”.
KOMPROMISE NË NIVEL EUROPIAN
Merkel përgjatë krizës financiare e ka drejtuar Evropën, edhe sot kancelarja është për kursime në vend të investimeve, ndërkohë që tani presidenti i ri i Francës kërkon reforma të rrënjësore: një ministër Financash të BE-së, një buxhet për Eurozonën – a do të ishte i mundur ky ristrukturim me Merkelin gjatë një mandati të ri? Eksperti Janis Emmanouilidis thekson: “Unë mendoj, që kancelari Schulz, nëse ai do të bëhet kancelar, do të ishte më shumë i gatshëm për kompromise me Parisin e mbi bazën e këtyre kompromiseve edhe mund të gjejë konsensus, se si të ecet më tej me ekonominë dhe unionin monetar. Pra ai do të ishte më i predispozuar për kompromise”.
GJOKSIN PËRPARA E KOKËN LART
Në nivel ndërkombëtar Merkel gëzon reputacion të lartë, madje për të thuhet, se ajo ia del edhe me Putinin – por sa i përket politikës evropiane ajo përballet me Schulzin – politikan ky evropian me përvojë e që zotëron shumë gjuhë – në të njëjtin nivel. Për Evropën motoja tani duhet të jetë gjoksin përpara e kokën lart – vetëm një paraqitje e guximshme në skenën ndërkombëtare i bind edhe ata që ngurrojnë brenda vet BE-së: se kush mund t’ia dalë më mirë. Ajo apo ai – sido që të jetë ky do të jetë edhe një vendim për drejtimin që mund të marrë Evropa. (DW)