Zejnulla VESELI
Shkup, 8 janar – Të ardhurat nga emigrantët, në 9 muajt e të vitit 2016, shënuan vlerën e 132 milionë eurove, ose 5 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor (BPV), shkruan gazeta KOHA. Kështu tregojnë të dhënat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM). Sipas BPM-së, në afatin e gjatë, remitencat kanë nisur një tendencë rënëse, fenomen ky i natyrshëm, që lidhet me shkëputjen graduale të lidhjeve mes emigrantëve që kanë ndërtuar jetën e tyre jashtë Maqedonisë. Analizat e BPM-së njëherit tregojnë se parat që vijnë si remitenca që u dërgojnë kurbetçarët familjeve të tyre në Maqedoni, e përbëjnë 5 përqindëshin e BPV-së, mirëpo shifrat për 9 muajt e vitit të kaluar, sipas Bankës Botërore, janë në vlerën prej 2.2 për qind nga BPV-ja dhe kjo e radhit Maqedoninë në vendin e fundit për pranimin e remitencave nga 6 shtetet e rajonit. Në Kosovë, sipas BB, transfertat e emigrantëve janë në nivelin prej 13 për qind nga BPV-ja, në Shqipëri 6 për qind dhe në Serbi po ashtu 6 për qind nga BPV-ja.
Për analistin ekonomik, Sinisha Pekevski, ulja e dërgesave të kurbetçarëve që punojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, është për dy arsye. “Sipas meje janë dy momente kyçe pse emigrantët dërgojnë më pak para familjeve të tyre në Maqedoni. E para, edhe në vendet e Evropës jeta është bërë shumë më e shtrenjtë, ndërsa të ardhurat janë shumë më të ulëta se vite më parë. Elementi i dytë, është se 5 vitet e fundit familje të tëra janë shpërngulur nga Maqedonia dhe kështu ata tani më nuk kanë nevojë t’u dërgojnë para familjeve të tyre në vendlindje. Arsye tjetër është edhe fakti se tani mërgimtarët vijnë më shpesh në vendlindje dhe i marrin parat me vete dhe ua lenë familjeve të tyre”, thotë Sinisha Pekevski, analist ekonomik.
Ndërsa profesori i ekonomisë, Nasir Selmi, thotë për gazetën KOHA se dyshon për saktësinë e të dhënave të cilat i bën publike BPM-ja. “Dyshoj se ka ndonjë gabim teknik ose eventualisht ndryshim të evidentimit. Në të vërtetë, për këtë tregues edhe më parë ka pasur dyshime. Kjo mendoj se nuk ka qenë e rastësishme. Nga ana tjetër, siç dimë, mërgata jonë një pjesë të madhe të remitencave e sjellin kesh me ardhjen e tyre në vendlindje. Po ashtu, duhet theksuar faktin se në të ardhmen diaspora jonë gjithnjë e më pak të ardhura do të sjellën në vendlindje, për shkak të ndryshimit të karakterit të mërgatës sonë. Ajo tani me vete ka pjesën më të madhe të anëtarëve të vet, ndërsa sa i përket investimeve në vendlindje, gjithnjë e më pak mendojnë të realizojnë. Pra, në të kaluarën nuk ditëm apo nuk deshëm që këto të ardhura t`i shfrytëzojmë racionalisht dhe në interes të të gjithëve”, thotë Nasir Selimi, ekspert ekonomik.
Gjithashtu dhe Ylli Marku, drejtor i “Western Union“, kompani për transfer të parave, shprehet se dërgesat e mërgimtarëve që vijnë përmes bankave dhe kompanive private për transfer parash, zyrtarisht kapin shifrat prej 500 milionë eurove në nivel vjetor, mirëpo sipas analizave të bëra nga kjo kompani, shuma e dërgesave është diçka më e madhe se 5 për qind nga BPV-ja. “Është më se evidente se të dhënat që publikohen nga Banka Popullore e Maqedonisë apo Ministria Financave se dërgesat janë 5 për qind nga BPV-ja, nuk e paraqesin vlerën e saktë të remitencave që vijnë nga mërgimtarët tanë brenda një viti. Të dhënat me të cilat disponojmë, dërgesat e mërgimtarëve për një vit kalendarik arrijnë shumën prej mbi 10 për qind nga BPV-ja. Në përgjithësi 80 për qind e dërgesave të mërgimtarëve janë të shqiptarëve dhe 20 për qind janë para që i dërgojnë maqedonasit ”, thotë për KOHA, Ylli Marku, drejtor i “Western Union” kompani për transfer parash.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.