Detyrë e mentorëve që do t’i mbështesin shoqatat jo qeveritare, siç thuhet në projektin “Mbështetje juridike për sektorin civil” po ashtu do të realizohet edhe në drejtim të përgatitjes së rregulloreve të punës dhe respektimit të dispozitave ligjore që i takojnë këtyre organizatave
Omer XHAFERI
Shkup, 22 qershor – Pavarësisht faktit se në Maqedoni ekziston një numër i konsiderueshëm i shoqatave joqeveritare, megjithatë ato ende duhet të zhvillohen dhe të ndihmohen. Ky është qëndrimi Irena Ivanovës, përfaqësuese e zyrës së BE-së në Shkup, e cila gjatë prezantimit të projektit “Mbështetje juridike për sektorin civil” tha se në vendin tonë gjatë 27 viteve të kaluara është krijuar një masë kritike nga shoqatat joqeveritare, shkruan gazeta KOHA.
Projekti në fjalë, i cili brenda dy viteve të ardhshme do të realizohet nga Shoqata e juriste të rinj të Maqedonisë, synon rritjen e pjesëmarrjes së organizatave joqeveritare në proceset për miratimin e ligjeve, krijimin e politikave dhe miratimin e vendimeve në nivel lokal e qendror. Kërkesat e vazhdueshme se si të formohet një shoqatë , si të përgatitet statusi i saj apo në çfarë mënyrë të përpilohen projektet konkurrues, janë vetëm një pjesë e shërbimeve të cilat Shoqata e juristëve të rinj i ka dhënë gjatë viteve të kaluar.
Për këtë arsye, siç theksuan nga kjo shoqata, ka lindur edhe ideja për të realizuar një projekt i cili në masë të madhe do t’iu ndihmojë shoqatave të reja të cilat hasin në vështirësi dhe sfida në rrugëtimin e tyre drejtim afirmimit në shoqëri.
“Krahas mbështetjes juridike, projektit ka për qëllim që gjatë dy viteve të ardhshme shoqatave jo qeveritare t’ju ofroj mbështetje nga mentor profesional dhe ndihmë financiare. Zyra për ndihmë juridike shoqatave të interesuara të cilat nuk kanë mundësi financiare për të shfrytëzuar shërbime profesionale nga avokatët, do mundësoj t’i tejkalojnë sfidat dhe barrierat juridike që i pengojnë apo ngadalësojnë aktivitet e tyre”, thonë nga Shoqata e juristëve të rinj të Maqedonisë.
Detyrë e mentorëve që do t’i mbështesin shoqatat joqeveritare, siç thuhet në projektin “Mbështetje juridike për sektorin civil” po ashtu do të realizohet edhe në drejtim të përgatitjes së rregulloreve të punës dhe respektimit të dispozitave ligjore që i takojnë këtyre organizatave. Mes tjerash ky projekt ka për qëllim aftësimin e sektorit civil për përgatitjen e planeve për përfaqësim dhe ndihmë gjatë aktiviteteve individuale në nivel lokal apo qendror.
Njëkohësisht palët e interesuara përmes këtij projekti do të kenë mundësi të trajnohen për çështjen e administrimit dhe punës financiare të organizatave joqeveritare, gjegjësisht njoftimin me mekanizmat juridik për të ndikuar në krijimin e politikave e kështu me radhë. Shuma e ndarë për këtë projekt nga Bashkimi Evropian kapë vlerën e mbi 370 mijë eurove dhe gjatë dy viteve të ardhshme parasheh mbështetjen financiare të minimum dhjetë shoqatave lokale për realizimin e aktiviteteve të tyre.
Mungesa e një sektori civil profesional shqiptar në nivel republikan, por edhe shoqata që merren me probleme lokale të shqiptarëve paraqesin fotografin më të mirë se në çfarë gjendje është shoqëria jonë në Maqedoni. Revoltat dhe pakënaqësitë e ndryshme për ndryshimin apo jo të planeve detale urbanistike nga pushteti lokal, realizimi i projekteve në sferën e infrastrukturës dhe ndërtimi të rrugëve dhe problematika të ngjashme, fatkeqësisht shoqëria shqiptarë në Maqedoni i trajton vetëm përmes komenteve në rrjetet sociale.
Kaosi urban i cili mbizotëron nga Likova e deri në Strugë, në bazë të raporteve ditore kryesisht mbështet nga mediat dhe kronikat e kohëpaskohshme të cilat ato i realizojnë. Trajtimi i këtyre sfidave në mënyrë analitike dhe profesionale në vendbanimet me shumicë shqiptare, po thuajse nuk ekziston fare. (koha.mk)