Mehmeti: Mësuesi i jetës, pësimi

Ndasitë ndër ne janë realitet. Madje janë realitet shumë i dhimbshëm. Jemi të tillë, sepse kemi një nëmë, dhe nuk arrijmë dot të kuptojmë e të dimë as ç'nëmë është ajo, as si t'i shpëtojmë asaj nëme që na bëhet gjëmë..!

74

Bisedoi Delvina KËRLUKU

Shazim Mehmeti u lind më 1958 në Gostivar. Ka të botuara përmbledhje me poezi dhe përmbledhje me tregime. Botimet e tij janë: “Drejtpeshimi i humbur”, poezi,1991; “Shkallmimi i shtëpisë”, poezi,1992, “Varre dhe lumë”, poezi, 1993; “Kam frikë nga lehjet”, poezi, 1994; “S’e besoj parajsën tënde”, poezi,1995; “Tullaci dhe netët me hënë”, tregime, 1995; “Baladë për sedrën”, poezi e prozë poetike, 1998; “Lumenj që fluturojnë”, poezi, 1999; “Zogj shpirti”, poezi, 2002; “Stinë e kafshës “, poezi, 2004; “Tregime”, tregime, 2006; “Lumenjtë e dritës”, poezi, 2009; “Pellgu i mësipërm i Lumit Vardar”, studim nga lëmi i hidrondërtimit, 2009; “Rrëfime nga Anëtejana”, poezi dhe prozë poetike, 2010; “Ngrehina kadareane e ankthit në shtetin totalitar”, studim, 2010; “Jeta autentike dhe kulti i ngrehinës në prozën e Kadaresë”, studim, 2011; “Nën pemën e natës”, poezi, 2011; “Trandafili i bardhë (prej reje)”, roman, 2012; “Dromcat e dritës”, poezi, 2013. Mehmeti ka hapur edhe disa ekspozita personale me piktura: “Loja e dhembjes”, 2003; “Fragmente”, 2005; “Ekspozitë personale: 2008; “Ekspozitë personale në kuadër të MNL “Ditët e Naimit”, 2008. Është nderuar me disa çmime:  “Shpërblimi “Oeneumi”, për stil të lartë letrar, MNL “Ditët e Naimit”, 2007; Shpërblimi i parë, ML “Ditët e Karadakut”, 2005; Shpërblimi i parë, “Mitingu i poezisë në Gjakovë” , Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, 2002; Shpërblimi i parë për tregim, Gazeta “Flaka”, 2003; Shpërblimi i parë për tregim, Komuna e Tetovës, 2014; Çmimi i tretë për roman, konkursi mbarëkombëtar i Sh.B. “Buzuku”, Prishtinë, 2016. I përfshirë në antologji me krijime nga fusha e letërsisë artistike: “Antologie de la poesie albanese, par alexandre zotos, edition comp’act , carre curial”, France. Poetë nga Maqedonia MI-AN, Shkup, 2002. Muza e mëmë dheut, Uegen Tiranë/Artini Prishtinë, 2012. “Pesnata megju dve leta”, MLN, mbrëmjet e poezisë, Strugë, 2008. Fshehtësia e lirisë, MNL Ditët e Naimit, 2002. A cage of wribnkles, Struga poetry evenings, 2007. Selection , translation macedonian literatre in english, 2011. Kafez od brçki, MLN, SVP, 2007. Poem between summers, strga poetry evenings, 2008. Kërkoj engjëllin e mbrojtjes, MNL Ditët e Naimit, 2007. Antologjia e poezisë së pastër shqipe, Kumanovë, 2002. Body and chord, open book and erotic lyriks, Struga poetry evenings, 2002. Tello i struna, SVP, 2002. Antologji e prozës bashkëkohore shqiptare, ARS, Tiranë, 2004. Tregimi shqip në Maqedoni, Vatra -Shkup, 1998. Frhlingsbuchlein leipzig 30 mazedonische gegebnwartsautaren, goten, 2011. Ka doktoruar për filologji më 2009, me titullin doktorant i shkencave teknike. Punon në UT.

 KOHA: Z. Shazim, gjatë kohë merreni me shkrime. Keni botuar disa përmbledhje me poezi, po ashtu me tregime, ese. Cila është bota e juaj në fushën e artit?

MEHMETI: Është vet bota e botëve dhe e pa botëve: favori dhe hendikepi; lodhja dhe kënaqësia; kënaqësia e lodhjes dhe lodhja nga kënaqësia. Është dhembja dhe gëzimi; gëzimi i dhembjes dhe dhembja e gëzimit; është fytyra dhe zverku i dritës; është edhe fytyra dhe zverku i territ; është misteri i bukur që më bën me kureshtje; është edhe kureshtja e bukur që më jep mister.  Është fusha ku luaj veç sipas rregullave të dëshirimit tim, ku pa pyetur kënd as pa menduar për askënd, mund të bëj poet prej Bernulit, fjala bie, por edhe prej Njutnit, pse jo edhe prej ndonjë gjyshi a stërgjyshi nga lashtësia e largët apo e afërt, që s’ka ditur shkrim e lexim, por që ka ditur të bëjë art prej punës së lërimit, dhe që ka ditur të mendojë, të flasë e rezonojë, me akademizëm mahnitës.  Është për futja dhe kalimi nëpër një tunel misteri, që fillon me terrin e dritës dhe përfundon me dritën e territ, me atë dritën e mistershme ku ndodh veç krahëzimi i jetës së ëndrrave dhe jetës së mendimit.

KOHA: Në vargjet tuaja ka thellësi mendimi gjithëpërfshirës, ku lexuesin e fut brenda kthesave të papritura dhe kupton që është thënë fjala e fundit, që autori ka dashur të thotë. Pse ky fund?

MEHMETI: Mbase po. Por, jo fundi, as fjala e fundit. Këtë gjendje, mbase e keni bartur si mendim, pas leximit të librit me titull “Nën pemën e natës”, që është njëri nga librat e mi të mëvonshëm, e që pasohet si stil edhe nga libri me titull “Dromcat e dritës”. Të dy titujt që përmenda, janë shkruar pothuajse në të njëjta kohë, dhe janë vargje që janë ujitur nga shira të njëjtë preokupimesh e mendimesh. Do thosha madje, se këto dy tituj janë produkt , (nëse më lejohet të them), i një pjekurie krijuese, përgjatë shkrimit edhe të një romani që si dorëshkrim fitoi një çmim në një konkurs mbarëkombëtar së Shtëpisë botuese “Buzuku” nga Prishtina, e që duhet të dalë nga shtypi përgjatë këtyre ditëve. Do thosha madje, se ky roman më ka dhuruar disa nga krijimet e mia më poetike që edhe i dua më fort.

KOHA: Jeni fitues i disa çmimeve letrare për poezi dhe tregime. Si e kuptoni ju çmimin?

MEHMETI: Së voni, sidomos së voni, nuk e kuptoj. Është e vërtetë që kam marrë çmime në raste konkurrimesh a manifestimesh letrare, në të shumtën e rasteve çmime të para. Por, nuk mendoj se vlerën e një krijuesi letrar e përcaktojnë çmimet e fituara, ashtu siç nuk mendoj se shkrimtarët më të mirë janë ata shkrimtarë që realizojnë më shumë shitje të librave. Për fat të keq, në hapësirat ku jetojmë e krijojmë, nuk ka akoma kritikë letrare të mirëfilltë e kompetente, që paguhet institucionalisht.  Të paktë janë edhe lexuesit, sidomos lexuesit e kultivuar, që s’di pse, unë i mendoj si kompetentë. Sa për vete, unë do t’isha shumë i lumtur sikur ta dija, se kam diku, së paku, një lexues të vetëm të kultivuar, që arrin të bëhet i përmbushur nga letërsia që bëj unë. Por, nëse kthehem te çmimet, do më duhet patjetër të them se jo gjithë herë çmimet i fitojnë më të mirët. Shpesh ndodh të fitojnë çmime edhe autorë me vlera nën mesatare, dhe e gjithë kjo si rezultat i hatër mbajtjes së organizatorëve të manifestimeve letrare, për njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, edhe disa nga mediumet e shkruara dhe ato vizive, nuk po bëjnë mjaftueshëm për afirmimin e vlerave. Madje, nganjëherë, ndodh të proklamohen si vlera pakovlerat, snobët e artit, ndërkohë që lihen në harresë të pakuptimtë personalitete të letrave e të artit, që kanë dhënë e japin kontribute të jashtëzakonshme. Shkurt fjala, ajo që po ndodh me segmente të tjera të shoqërisë, po ndodh edhe më pamëshirshëm edhe në fushën e letrave e të arteve. Dhe, nëse do vazhdojë edhe më tej ky “trend”, ne do arrijmë deri më atë hall, sa, mbi kokat tona, në vend se cicërima bilbilash, do dëgjojmë përditshëm pëllitje gomarësh.

KOHA: Përveç që merreni me llojin e artit që e pasqyron jetën nëpërmjet figurave artistike të krijuara me anën e fjalës, ju i jeni qasur edhe artit të paraqitjes së sendeve, të natyrës, të njerëzve dhe të veprave të tyre etj., me anë të vijave e të ngjyrave mbi sipërfaqe zakonisht të sheshta, pra pikturën. Çfarë flasin piktura tuaja?

MEHMETI: A sikur ta dija! Por, mbase është më mirë që nuk e di. Përndryshe, e humb kuptimin misteri i krijimit. Kur je i gjetur përpara një pëlhure të papikturuar, sado e vogël qoftë, ajo të bëhet det i pafund i pakalueshëm, dhe ty, i gjetur përballë saj, vetja të duket si një varkë e vogël e ngrënë përanësh, me ca dërrasa që janë boshatisur e lëshojnë ujë në përbrendësinë tënde. Aherë, pikërisht aherë, ti e ndien erën e goditjes si fillon e fryen me pamëshirë mbi varkë e mbi det, e ndien edhe rrezikun e përmbytjes, dhe që aty fillon e ndodh shtërzimi, ajo shtrydhja e përbrendshme e gjithë asaj ndjesie paraprake që të ka vënë përpara pëlhurës.  Ky është çasti pa të cilin nuk jetojnë dot artistët. E kërkojnë artistët këtë çast, me shumë dëshirim. E kërkojnë me ngulm, sepse është vet magjia e joshjes për plotësimin e boshësisë së përbrendshme, ajo magjia që ta jep mundësinë, ta bësh prej balte jo vetëm zogun dhe fluturimin, por edhe gjithë lirinë tënde.

KOHA: Arti është dhunti në jetën tuaj. Ku takohet profesioni juaj me letërsinë dhe artin figurativ?

MEHMETI: Takohen te përmasa e konstruktives, te ajo struktura që është më se e nevojshme për ta mbajtur në gjendje mosrënije një ngrehinë të caktuar. Letërsia, ashtu si edhe godinat, kërkon një përmasim të atillë strukturor, që të mund të vetëmbahet mbi këmbët e veta. Aty është shpirti, aty është skeleti, ajo strukturë eshtrash që e mëkëmb gjithë masën trupore, atë veshje mishtore, atë formë të dukshme, që e bën joshëse për sytë tanë. Një krijim i pastrukturuar për qëndrim vertikal, është si një trup njerëzor i vdekur i pashpirt, i shtrirë përtokë, i ftohtë, i ftohtë dhe aspak joshës.

KOHA: Si nisi dëshira për pikturën dhe shkrimin?

MEHMETI: Nisi më parë për shkrimin, dhe shumë shumë më vonë për pikturën. Gjithnjë gjendet dikush, që na bëhet shkak, për ta vënë ne veten, në një gjendje dashurie me një zanat të caktuar. Kam pasur fatin e mirë të kem mësues pasionantë pas letërsisë, që kanë ditur ta zgjojnë edhe pasionin tim për leximin. Më pastaj, gjithçka ka rrjedhur vetvetishëm. Me pikturim kam filluar së voni, por artin e pikturës kam filluar ta shijoj herët, aty diku, në vitet e shtatëdhjeta në Prishtinë. Atje u takova njëmendësisht me botën e magjishme të teatrit, librave, galerive ekspozuese, etj…

KOHA: Cili është rrëfimi i fëmijërisë tuaj?

MEHMETI: Gjithë rrëfimi i fëmijërisë sime mund të përfshihet në katër fjalë: diell, dhẻ, lumë, mall. Dielli, dheu, por edhe lumi, ishin gjithë përditshmëria e fëmijërisë sonë, jo vetëm times. Edhe diellit, edhe dheut, edhe lumit, ne ua pinim palcën, duke i shijuar, nga zgjimet e mëngjesit deri në perëndimet e magjishme. Ahere, edhe palca jonë fëmijërore pihej prej diellit, pihej edhe prej dheut, edhe prej lumit, teksa derdhnim shumë djersë, o duke luajtur, o duke punuar tokën, o duke u larë në lumë, përditshëm. Por, i pafund, i pakapërcyeshëm ishte malli që kishim për etërit tanë,  që më të shumtën e jetës e kalonin në kurbet, duke punuar si skllevër nëpër vise të largëta të ish Jugosllavisë, për bukën tonë, për mirëqenien tonë e për ardhmërinë tonë. Mendoj se, nuk mund të arrijmë deri te asfarë shpagimi, sado që të mundohemi të jemi të mirësjellshëm e të kujdesshëm ndaj prindërve tanë. Jeta e tyre ka qenë e tëra vuajtje, djersë e gjak, dhe mundim i hatashëm, për të na rritur e mbajtur gjallë, për të na shkolluar e për të na vënë në rrugë të njëmendta përgjatë jetëve tona. Padyshim se, edhe pse të pashkolluar, ajo gjeneratë është nga më heroiket e këtyre viseve.

KOHA: Shkollimi është e ardhmja e njeriut. Na e përshkruani shkollën, oborrin e shkollës, rrugën drejt dijes?

MEHMETI: Oborrin e shkollës? Vështirë se do mund ta përshkruaj si e kam ndier atëherë. Ajo ekzotikë nuk përshkruhet lehtë. Paramendoni një lamë të shpërfaqur mbi shpinën e një kodërze dhekuqe, me një përbërje argjilore, e përzier disi edhe me rërë, me një pemë – mollë të egër në skaj t’oborrit të shkollës, që e bënim të derdhë lot ditë për ditë, teksa ia shkulnim fletët pamëshirshëm. Paramendoni edhe një shërbëtor shkolle me një këmborë në dorë, si këmborë dashi, që na e prishte ekzotikën e dalldisë, kur e përdorte këmborën e na bënte të ditur se fillon ora e mësimit. Paramendojeni edhe autoritetin e pamohueshëm të mësuesve të asaj kohe dhe godinat shkollore pa asfarë kushtesh.

 KOHA: Cili është mësuesi juaj i jetës, prindi, mësuesi apo libri?

MEHMETI: Janë të gjithë nga pak, por më shumë se të gjithë është lartmadhëria e tij, Pësimi.

 KOHA: Në shtëpitë tona shqiptare, dikur mund të gjendeshin gjëra antike, të vjetra, për më tepër gjera të panevojshme, por që i mbanin pa ndonjë qëllim. Kishte gjithçka, por jo edhe libra. Në fakt, ndoshta kishte ndonjë libër shkollorë apo ndonjë roman të lehtë. Si do ta kishit përshkruar pamjen e asaj kohe të shtëpisë, bibliotekës…?

MEHMETI: Është pikërisht kështu si e thoni ju. Por asokohe, së paku i lexonim ato pak libra që mund të na gjendeshin më pranë. Madje bënin edhe shtërzime për lexim, duke kërkuar libra edhe ku nuk kishte. Por, shumëkush e di se ç’ndodh tashmë. Tashmë, njerëzia, më të rinjtë sidomos,  gjithnjë e më pak lexojnë, gjithnjë e më shumë zhyten në botën e disi-dyshimtë të virtualitetit, ku dorën në zemër, mund edhe të gjesh diç të vlefshme për të lexuar, por me një herrje paraprake të patjetërsueshme. Sidoqoftë, më duhet të pohoj se kam shumë nostalgji për shtëpinë time të fëmijërisë, që kishte një organizim të atillë kthinor ku brenda një shtëpie të vetme gjendej vend, edhe për dhomat për njerëzit e shtëpisë, edhe për ahurin e gjësë së gjallë, edhe për hambarët e drithit që sistemoheshin në katin e dytë, në një çardak të gjerë, që edhe verën më të vapëshme ta bënte pranverë, e që na mundësonte po ashtu, edhe një pamje mrekulluese në drejtim të maleve të jugut.

 KOHA: Letërsia shqipe në Maqedoni, ndër vite, ka njohur një zhvillim pak a shumë normal. Çfarë mund të bëhet më tepër për avancimin e letërsisë shqiptare, në vendin tonë?

MEHMETI: Po. Pak a shumë. Por, një gjë e sigurt: krijimtaria letrare është punë që bëhet në mënyrë krejtësisht individuale. Në njëfarë mënyre, ky është edhe fati i krijuesve. E kam fjalën për ata letrarë që shkruajnë e bëjnë, pa e çarë kokën për rezultate të atypëratyshme, as për pranim të atypëratyshëm.  Zaten, në historinë e kësaj bote, nuk janë të pakta rastet ku shkrimtarë gjenialë mbarojnë e shkojnë në përtej-jetë, pa e shijuar kënaqësinë e pranimit, as kënaqësinë e botimit, për së gjalli. Ku dimë ne? Mbase edhe mes nesh, mund të jetë duke krijuar e bërë, ndonjë mendje e ndritur, pa e bërë publike punën e bërë. Kujtoj se, më e pakta gjë që mund të bëhet për letërsinë shqiptare në Maqedoni, është çlirimi i saj nga padrejtësimi buxhetor i sistemit. Dhe e dyta, duhet të ndodhë me patjetër, çlirimi i shkrimtarëve nga përfaqësimet jo-dinjitoze, sadoqoftë individual akti i krijimit.  Më duhet të them këtu edhe një gjë të tretë: aktualisht, letërsia e mirëfilltë shqiptare nuk krijohet as vetëm në Tiranë, as vetëm në Prishtinë, as vetëm në Shkup. Ajo krijohet gjithandej kah janë të gjetur krijuesit me dhunti të lindur, por që punojnë me ngulm e dashuri, për të bërë letërsi të mirëfilltë.

KOHA: Pse shqiptarët janë kaq të shpërndarë, qoftë në parti politike, qoftë si artistë, ku janë formuar asociacione private dhe zhvillohen aktivitete brenda vetes?

MEHMETI: Ndasitë ndër ne janë realitet. Madje janë realitet shumë i dhimbshëm. Por, nëse nuk ju mbetet hatri, do preferoja që kësaj pyetjeje t’i përgjigjem shkurt: Jemi të tillë, sepse kemi një nëmë, dhe nuk arrijmë dot të kuptojmë e të dimë as ç’nëmë është ajo, as si t’i shpëtojmë asaj nëme që na bëhet gjëmë..!

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

Të Ngjajshme