Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 mars – Propozim-konkursi për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme komunale të kryeqytetit, i miratuar prej disa ditësh në Këshillin e Qytetit të Shkupit, i është dërguar tanimë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për procesuim të mëtejmë, shkruan gazeta KOHA. Deri në fund të këtij muaji, MASH duhet të ketë publikuar variantin final të Konkursit me të cilin rregullohen politikat e regjistrimit të nxënësve në nivel shteti, duke marrë parasysh propozimet paraprake të komunave gjegjëse. Sa i takon Qytetit të Shkupit, me Propozim-Konkursin e tyre janë planifikuar që në shtator të formohen 327 paralele, në të cilat do të ketë 11.058 vende në përgjithësi. Të ndarë sipas gjuhëve në të cilat do të zhvillohet mësimi, për paralelet me mësim në gjuhën shqipe për vitin e ardhshëm shkollor 2017/2018 janë propozuar 103 paralele, për paralelet maqedonase 218 dhe për paralelet me mësim në gjuhën turke 6 paralele. Krahasuar me numrin e paraleleve dhe vendeve që ishin planifikuar një vit më parë, sivjet ka rritje te paralelet shqipe dhe maqedonase. Nga 86 paralele shqipe që ishin propozuar për vitin shkollor 2016/2017 (pa gjashtë paralelet e shkollës së mesme në Saraj) për vitin shkollor 2017/2018 Qyteti i Shkupit ka rritur në 103 numrin e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Për paralelet me mësim në gjuhën maqedonase vjet ishin propozuar 190 paralele, kurse këtë vit – 218 paralele. Në fakt, në të dyja këto grupe gjuhësore, nga njëri vit në tjetrin është shënuar shtim i dukshëm edhe i numrit të gjysmë-maturantëve, respektivisht kandidatëve potencial për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme. Rritje më e madhe vërehet tek paralelet me mësim në gjuhën maqedonase, ku këtë vit, numri i gjysmë-maturantëve ka shkuar në 4492 nxënës nga 3180 vitin e kaluar. Te paralelet me mësim në gjuhën shqipe, numri i gjysmë-maturantëve këtë vit është 2350 nga 2112 vitin e shkuar. Te paralelet e klasave të nënta me mësim në gjuhën turke, serbe dhe boshnjake, numri i gjysmë-maturantëve të këtij viti është thuajse i njëjtë me numrin e vitit të kaluar. Pra, sivjet kemi 109 gjysmë-maturantë turq nga 107 vitin e kaluar, 8 gjysmë-maturantë serbë nga 3 vitin e shkuar si dhe 11 gjysmë-maturantë boshnjakë nga 14 vitin e shkuar. Si përfundim, nga bankat e shkollave fillore të Qytetit të Shkupit në qershor pritet të dalin 6970 gjysmë-maturantë, për dalim prej para një viti kur ky numër ishte 5416 gjysmë-maturantë. Dallimi kaq i thellë në numrin e nxënëseve që nga viti 2016 në vitin 2017 shënon rritje shpjegohet me faktin se vjet, gjysmë-maturantë ishin gjenerata e fëmijëve të lindur një vit pas konfliktit të 2001-shit, kur si në çdo luftë – planifikimi familjar është më i reduktuar. Në numrin e vendeve për regjistrim në shkollat e mesme dhe planifikimit të paraleleve të propozuara nga Qytetit i Shkupit nuk përfshihen shkollat e mesme shtetërore, respektivisht shkollat e arteleve dhe sportit. Për këto shkolla, përgjegjëse e drejtpërdrejtë është MASH-i, e cila ka gjithashtu në dorë të zvogëlojë ose të rrit numrin e paraleleve të propozuara. Një gjë të tillë bëri MASH vitin e kaluar në dëm të paraleleve shqipe. Megjithë propozimin e Qytetit të Shkupit që në shkollën e mesme “Koco Racin” të formohen paralele shqipe të drejtimit gjimnaz, MASH nuk e lejoi këtë me Konkursin që u shpall nga ana e saj. MASH nuk mori në konsideratë as propozimet për zvogëlimin e paraleleve maqedonase në shkollën e mesme “Cvetan Dimov”, si dhe në shkollën e mesme ekonomike “Arseni Jovkov”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.