“Derisa partitë nuk pajtohen dhe nuk japin dritë jeshile, nuk mund të thirr seancë të Komisionit për zgjedhje dhe emërime. Në të kundërt, nëse e fillojmë procedurën pa pëlqimin e dhënë nga partitë, procesi nuk do të ketë sukses dhe do të duhet tërë procedura të niset nga fillimi, me shpallje të re, afat i ri për kandidime që do të humbej kohë shtesë…”, ka thënë Ilija Dimovski
Evis HALILI
Shkup, 10 korrik – VMRO-DPMNE me strategji të re kundër Referendumit të Qeverisë për ndryshimin e emrit. Komisioni Shtetëror Zgjedhor, institucion ky që duhet të impelementojë procesin e referendumit, mundet që edhe këtë javë të mbetet i bllokuar. Së paku kështu po vepron partia e Hristijan Mickovskit, deputetët e së cilës kanë “ndërruar” fjalët për të mbështetur përzgjedhjen e anëtarëve të KSHZ-së, e cila disa muaj më radhë, ka mbetur me vetëm pa anëtarë. Ndryshe nga optimizmi i kryeministrit Zoran Zaev, se shumë shpejtë do të votohen shtatë anëtarët e KSHZ-së, Ilija Dimovski thotë se nuk e ka ndërmend të thirr mbledhje të Komisionit për zgjedhje dhe emërime për të shqyrtuar kandidaturat e përbërjes së re të KSHZ-së.
“Derisa partitë nuk pajtohen dhe nuk japin dritë jeshile, nuk mund të thirr seancë të Komisionit për zgjedhje dhe emërime. Në të kundërt, nëse e fillojmë procedurën pa pëlqimin e dhënë nga partitë, procesi nuk do të ketë sukses dhe do të duhet tërë procedura të niset nga fillimi, me shpallje të re, afat i ri për kandidime që do të humbej kohë shtesë…”, ka thënë të hënën Dimovski. Madje, Dimovski ka përmendur “marrëveshjen” me LSDM-në në kohën kur VMRO u kthye në Parlament dhe dha mbështetje për ligjet reformuese. Ai ka thënë se fillimisht duhet miratuar Ligji për financimin e partive dhe Ligji për Qeverinë, që më pas të votohen anëtarët e rinj të KSHZ-së.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i LSDM-së. Partia e Zaevit ka akuzuar VMRO-në se qëllimshëm po bllokon procesin dhe po shtyn përzgjedhjen e KSHZ-së. “VMRO-DPMNE çdo ditë e jep nga një kusht të ri për mbështetjen e negociatave. Me këtë, VMRO-DPMNE qëllimshëm po bllokon procesin dhe po shtyn përzgjedhjen e KSHZ-së”. Afati për formimin e Komisionit të ri Shtetëror Zgjedhor skadoi më 29 qershor. Përbërja e re do të ketë mandat gjashtëmujor dhe do të jetë e angazhuar për referendumin, të cilin kryeministri Zaev e paralajmëroi për në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit të këtij vitit.
Shumica parlamentare tashmë ka vendosur për anëtarët që u takojnë atyre, ndërsa ka mbetur vetëm VMRO të delegojë emrat në Komision. Kryetari i KSHZ-së, ashtu siç janë marrë vesh dy partitë më të mëdha në vend, do t’i takojë VMRO-së, ndërsa shumica partive në pushtet. Edhe kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, shpreson se opozita nuk do ta bllokojë zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, prej çka varet edhe mbajtja e referendumit.
“Për herë të parë ndodhë që Komisionin për zgjedhje dhe emërime ta udhëheq opozita. Pas përfundimit të vitit 2016, me kompromis u morëm vesh dhe zgjatëm dorë si shumicë, të tregojmë se kemi besim tek opozita. Me gjithë premtimet e opozitës se nuk do shfrytëzohet për obstruksione ai Komision, shohim se në praktikë nuk është ashtu”, tha ditë më parë Xhaferi në 1TV. Zgjedhja e KSHZ-së nuk mund të kalojë pa pëlqimin dhe votimin e opozitës, duke e pasur parasysh se nevojitet shumicë prej dy të tretave në Parlament. Shpallja për përbërjen e re të KSHZ-së përfundoi para dy javëve, ndërsa janë paraqitur 41 kandidatë. Afati deri kur duhet Parlamenti ta zgjedh përbërjen e re të KSHZ-së është 17 korriku. (koha.mk)