Një tuiterxhi boshnjak këto ditë paska shkruar: Mirë keni kaluar me Maqedoninë Veriore, sepse keni mundur të jeni Serbi Jugore ose Shqiperi Lindore! Çudi se si prej anësh, njerëz neutralë ose të pa ngarkuar me “lojërat brenda oborrit” në Maqedoni, i shikojnë gjërat më realisht se sa ata që janë verbuar nga propaganda dhe vetëmashtrimi. As kushtetuta është e shenjtë, as identiteti i një populli varet nga emri i shtetit, por kjo manipuluesve nuk u pengon t’i bien tellallit…
Nga Daut DAUTI
Një tuiterxhi boshnjak këto ditë paska shkruar: Mirë keni kaluar me Maqedoninë Veriore, sepse keni mundur të jeni Serbi Jugore ose Shqipëri Lindore! Çudi se si prej anësh, njerëz neutralë ose të pa ngarkuar me “lojërat brenda oborrit” në Maqedoni, i shikojnë gjërat më realisht se sa ata që janë verbuar nga propaganda dhe vetëmashtrimi. Një tjetër, por tash me gjasë i ngarkuar me “çështjen maqedonase”, në një postim facebooku ku përshëndeta marrëveshjen për emrin, më kishte komentuar duke parapëlqyer emrin “Bullgaria Perëndimore”. E kuptuat, emri dhe mbiemri i tij tregonin se ishte bullgar, sikundër një tjetër, që kishte propozuar “Shqipëria Lindore”, që ishte shqiptar.
Por, përse kaq verbëri dhe shkurtpamësi te disa qarqe, të cilat e quajtën tradhti marrëveshjen Cipras-Zaev? Sepse nuk shohin se ekzistojnë edhe “opsionet terminologjike” (alternative?) të cilat janë plot panjohura, të cilat mund t’i joshin disa qarqe fqinjësore sa më shumë që të zgjaste kontesti dhe statuskuoja, ndonëse një akademik defetist i AMSHA-s, do të thoshte se më i madh është rreziku shqiptar. Pikërisht mbyllja e kontestit, është një derë e hekurt që i le jashtë pretendimet dhe kjo do të ishte në interes pikërisht të atyre që i stërmadhojnë rreziqet. Hyrja në NATO(para së gjithash), është garancia më e madhe për ekzistimin e Maqedonisë, sepse hyn nën ombrellën e mbrojtjes kolektive, plus që gjitha shtetet tjera, përveç Serbisë, janë e të njëjtës shoqëri. Mirëpo, duket sikur ideologët e vetëmashtrimit identitar, të cilët shpikën rrënjët antike të një populli me identitet të qartë gjuhësor e kulturor sllav, nuk kanë ndërmend të tërhiqen, ndonëse pikërisht ata e futën pykën më të madhe të ndarjes te populli i tyre, saqë nëse këmbëngulin në këtë marrëzi, nesër do të kemi dy popuj të vegjël, dukshëm më të vegjël se shqiptarët, maqedonas antikë dhe maqedonas sllavë.
Por, ky është njëri aspekt i obstruksionit që i bëjnë marrëveshjes. Ka dhe të tjera, të cilat flasin për paqëndrueshmërinë e argumenteve të tyre. Sepse duket se çdo argument që e nxjerrin, përveç ndoshta njërit(heqja dorë nga mbrojtja e pakicës maqedonase në Greqi), s’është tjetër, pos manipulim. Gjorge Ivanov, i cili ndau vetëm dy minuta për t’i pranuar Zaevin dhe ministrin e punëve të jashtme Dimitrov, kaherë ka shpikur një fluskulë, e cila u bë legjendë, por për gaz të botës, “kompromis i arsyeshëm”, i cili i pyetur para shumë vitesh çka nënkupton, pat thënë “kompromis i arsyeshëm është kompromis i arsyeshëm”, pa dhënë detaje çka ka menduar me këtë. Mirëpo, jashtë shterpësisë së këtij fjalori, megjithatë, është lënë të kuptohet nga tutori i tij Gruevski, se me emrin e ri duhet të sigurohet identiteti etnik, gjuha, kultura. Pra, nëse në këtë marrëveshje pikërisht këtu është poentomi më i madh i Zaevit, kundërshtimi i mëtutjeshëm mund të jetë vetëm për çështje inati. Edhe vetë Ciprasi, i cili poashtu është nën presion të opozitës dhe qarqeve nacionaliste greke dhe disa mediave(në njërën prej tyre e kishin “pushkatuar” për tradhti!), pikërisht aspektin identitar e kishte mbrojtur duke thënë se askujt nuk mund t’i ndalohet të ndjehet ose deklarohet si të dojë vetë. Të mos harrojmë se pikërisht kohëve të fundit ka pasur deklarata nga Greqia se nuk ekziston popull maqedonas dhe me këtë marrëveshje është një tërheqje serioze nga ky pozicion! Fundja, identiteti i një populli nuk definohet nga një marrëveshje, por ajo që ai përmban si kod gjenetik historik e kulturologjik. As nga emri i shtetit, sepse në botë ke dhjetëra shembuj kur shtetet kanë emër që fare s’e kanë rrënjën e popullit kryesor të tij.
Ndryshimi i kushtetutës është argumenti i radhës kundër! Si vijë e kuqe për disa qarqe është vënë mosndryshimi i kushtetutës. Domethënë, të ketë marrëveshje(e cila nënkupton edhe ndryshim emri, e të mos ketë ndryshime kushtetuese! Me fjalë tjera, të ketë dy gjendje të papërputhshme: një, të ketë emër shteti që nuk e ke në kushtetutë dhe dy, të kesh kushtetutë e cila rregullon shtetin juridik të një shteti që nuk ekziston me atë emër! Ky, do të ishte absurdi i një gjendjeje të re që do të prodhonte marrëveshja sipas këtyre kundërshtuesve. Por, të shohim sa është i qëndrueshëm argumenti i tyre? Në të vërtetë, çka është aq e shenjtë në kushtetutë(a është vetë kushtetuta libër i shenjtë) që të mos ndryshojë? Dhe çfarë hataje ndodh nëse ajo ndryshon? Përgjigja është në vetë kushtetutën, e cila në kohën e Republikës Socialiste të Maqedonisë është ndryshuar 3-4 herë(duke përfshirë dhe amendamente. A kanë qenë ndryshimet më të mira ose më të këqija, kjo nuk është aq me rëndësi, por vetë fakti se ndryshimet janë bërë. Pra, as kushtetuta nën regjimin komunist, nuk qe aq e shenjtë sa të ndryshonte. Edhe në pluralizëm ndryshoi disa herë: kur u fut ndryshimi i flamurit të Verginës, dhe kur duhej Marrëveshja e Ohrit të futet me amendamente në kushtetutë. A u bë më mirë ose më keq me këto ndryshime, mund të diskutojmë, por fakti është ai, kushtetuta ndryshoi, Maqedonia mbeti si shtet, nuk u cënua as karakteri unitar, as tërësia territoriale. Por, nuk është vetëm Maqedonia shteti që e ka ndryshuar kushtetutën sipas nevojës ose realiteteve të reja. Edhe në botë ke shumë raste të ngjashme, sikundër që ke raste që kushtetuta nuk ka ndryshuar me qindra vjet(SHBA), ose raste të shteteve që nuk kanë fare kushtetutë(Britania e Madhe). Kushtetuta nuk është libër i dërguar nga Perëndia që s’guxon ta prekë dorë e njeriut. Dhe kur dëgjon një qytetar të brengosur në anketë “gjithçka pranoj, vetëm ndryshim kushtetute jo”, dhe i ke parasysh gjitha ato përvoja shtetesh ku ka ndryshime kushtetuese(herën e fundit kemi shembullin e Turqisë ku rrënjësisht e ndryshon karakterin e shtetit, nga demokraci parlamentare në presidenciale), atëherë përgjigja e vetme është se kemi të bëjmë manipulim me frikë të pabazuar. Por, e keqja është se burimi i brengosjes së qytetarëve të thjeshtë vjen nga “argumente” nga gojë akademikësh ose ekspertësh, madje dhe të fushës juridike.
As kushtetuta është e shenjtë, as identiteti i një populli varet nga emri i shtetit, por kjo manipuluesve nuk u pengon t’i bien tellallit…
Po argumenti i “erga omes”-i? S’është as ai argument larg frikës së mbjellë nga ndryshimet kushtetuese. Dorën në zemër, po të pajtohej Greqia do të ishte më mirë një marrëveshje ku do të kishte një emër të përbërë për përdorim në raportet bilaterale me Greqinë, kurse në përdorim ndërkombëtar dhe në vetë Maqedoninë, të ekzistonte emri i tashëm kushtetues. Por, ja që rezistenca e fortë nga Greqia bëri që ky kontest të zgjasë më shumë se dy dekada e gjysmë, madje duke qenë shpesh kundër çfarëdo emri që do të përmbante Maqedoninë(që nuk është aspak shembullore), e ka bërë të pamundur një emër që do të shërbente vetëm për komunikim bilateral. Tash realiteti është ky që është. Mirëpo, në këtë erga omes (për përdorim të përgjithshëm), praktikisht qeverisë greke të Ciprasit, i mundësohet ta kënaqë opinionin e vet publik, pa të cilin nuk do të kishte hapësirë për kompromis ndërsa në këmbim të kësaj, populli maqedonas ruan identitetin etnik të deklaruar dhe gjuhën e cila është e verifikuar në OKB. Kur për përdorim erga omes është një emër si Maqedonia Veriore, edhe nuk është ndonjë largim i madh identitar, sepse përcaktuesi gjeografik i shtetit nënkupton shtrirjen në një pjesë të Maqedonisë të cilën e pretendojnë të dy fqinjët, prej nga rrjedhimisht del se një pjesë është në Greqi dhe pjesa tjetër i përket fqinjit të saj. Përderisa populli është maqedonas dhe gjuha është maqedonase, atëherë çka rrezikon “veriorja”? Asgjë, vetëm konkretizon situatën. Maqedonia në të kaluarën antike nuk është shtrirë gjer në pjesët veriperëndimore të Maqedonisë së sotme, ndërkaq edhe si term administrativ shpesh ka qenë larg emrit Maqedoni, prandaj, gjersa nuk qenka zhdukur atëherë identiteti, si do të rrezikohesha me “Verioren”?
Argumenti i cili, siç ceka në fillim, ndoshta është i vetmi që mban deri diku është ai për heqjen dorë nga kujdesi për pakicën maqedonase në Greqi. Them deri diku, sepse është relative sa kujdesi shtetëror u ka ndihmuar dhe sa do t’u “çndihmojë” tash. Duke qenë një shtet i Bashkimit Evropian, Greqia është e detyruar apriori të sigurojë liritë dhe të drejtat e njeriut dhe ato kulturore për etnitë e ndryshme. Ajo tashmë ka humbur një kontest të ngritur nga organizata maqedonase “Vinozhito” dhe mund të humbë edhe nga ndonjë organizatë shqiptare po të ngriste iniciativë për shkelje, pavarësisht se a vjen nga shteti amë apo nga brenda Greqisë. Pra, kujdesi për pakicat duhet të jetë imperativ i vetë shtetit grek.
Duke i lënë anësh argumentet e pabaza të kundërshtuesve të Marrëveshjes, rreziku për dështimin, megjithatë vjen nga loja me sentimentin kombëtar në të dy vendet dhe nga mungesa e shumicës relevante parlamentare për ta ratifikuar marrëveshjen në parlament. Ciprasit i mungojnë votat edhe të partnerëve të vet koalicionistë, ndërkaq Zaevi e ka vështirë të gjejë jashtë koalicionit qeveritar vota plotësuese për t’i arritur dy të tretat. Ndërkaq prolongimi është i pafavorshëm që mund të çojë edhe në zgjedhje të parakohshme ku mund të ndryshohen garniturat në pushtet dhe gjithçka të bie në ujë. Vetëm këmbëngulja e SHBA-ve dhe BE-së mund të jetë ai faktor i cili bën që të shikojmë epilogun me më shumë optimizëm. Ky optimizëm u shpreh të dielën(17 qershor) edhe në aktin e nënshkrimit të marrëveshjes në anën greke të Prespës, në fjalët e Zaevit dhe Ciprasit, të cilët nuk mbetën pa u dhënë mesazh edhe kundërshtarëve të marrëveshjes, me një porosi se me këtë të dy vendet shikojnë të ardhmen e jo të kaluarën.
P.S. Nuk do të ishte teprim nëse krahas Donald Trampit, në kontekst të kontributit për paqe, për guximin dhe vizionin e tyre për tejkalimin e këtij kontesti, të futen si kandidatë për Nobël edhe Zaev dhe Cipras, ndoshta kështu më lehtë do t’i amortizonin pakënaqësitë e kundërshtarëve të marrëveshjes në të dy vendet.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)