Në Kanada, mbiemri i një personi është cilësuar fyes. Lorne Grabher mori lajmërimin se targa e personalizuar e makinës së tij në të cilin shkruhej mbiemri i familjes, nuk do të rinovohej pasi ofendonte njerëzit. Në fakt, nëse mbiemri i Lornes ndahet në dy pjesë, përkthimi është “mbërtheje atë” apo “kape atë” dhe është cilësuar nga disa si një nxitje për dhunë ndaj femrave.
Por Lorne thotë se këtë targë e ka pasur babai i tij për shumë vjet, ai vetë dhe gjithashtu i biri nuk kanë pasur asnjë problem, apo ankesë nga njerëzit. Madje Lorne me krenari e mban mbiemrin e tij me origjinë gjermane edhe mbi fasadën e shtëpisë. Sipas autoriteteve lokale në Nova Scotia, ata morën një ankesë të vetme për targën e cilësuar fyese dhe u detyruan të ndërhyjnë. Por Lorne Grabher ka vendosur të sfidojë autoritetet dhe vazhdon të mbajë targën e tij, duke thënë se nëse mbiemri i tij është fyes, atëherë mbase duhet ta heqin nga numëratori telefonik, ose ta urdhërojnë që ta ndërrojë.