Zejnulla VESELI
Shkup, 19 tetor – Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në Maqedoni, 17.8 për qind kanë marrëveshje formale për marrëdhënie pune dhe vazhdojnë të marrin pagat mujore në “zarf” nga punëdhënësit edhe përgjatë vitit 2017, shkruan gazeta KOHA. Ky është konstatimi i publikimit “Jetë cilësore në Maqedoni”, me temë “Paga në zarf”, realizuar nga Instituti për hulumtime politike dhe ekonomike “Finance Think”.
Qëllimi i këtij publikimi, sipas “Finance Think”, është që të nxirren në dritë të dhënat për cilësinë e jetesës së punëtorëve në Maqedoni. “Publikimi bazohet në anketën me punëtorët dhe të dhënat administrative. ‘Paga në zarf” është paga e paguar në kesh në mënyrë joformale dhe jo ligjore bazuar në marrëveshjen gojore midis punëdhënësit dhe punëtorit”, thuhet në publikimin e “Finance Think”. Kjo mënyrë e “Pagës në zarf” thuhet në publikim, ju mundëson punëdhënësve të kursejnë sa u përket pagesave të tatimeve apo kontributeve sociale që janë të detyruar t’i paguajnë ndaj shtetit.
“Kjo mënyrë e pagesës së pagës në zarf për punëtorët është e padrejtë që e ul shumën e vëllimit të mbrojtjes sociale, kontributeve për sigurim pensional dhe shëndetësor si dhe në mënyrë artificiale e zvogëlon aftësinë kreditore të punëtorëve”, thotë drejtoresha e Finance Think, Blagica Peterski. Sipas Petreski, ky fenomen i pagesës së pagave në zarf më së shumti aplikohet për të punësuarit që në llogarinë e tyre transaksionale pranojnë rrogë minimale prej 12 mijë denarësh. “Paga në zarf më së shumti është prezent te punëtorët, të cilët marrin rroga minimale. Pothuajse 62 për qind e të punësuarve që janë të siguruar në bazë të pagës minimale, pranojnë ‘Pagë në zarf’. Dhe kjo pagesë e rrogave në zarf, mesatarisht i bie që një i punësuar me rrogë minimale prej 12 mijë denarëve, pagën që e marrin kesh në zarf është po e njëjta sa është rroga minimale që e marrin në bankë apo mbi 90 për qind nga vlera e rrogës minimale”, thotë Petreski.
Kjo njëherësh, thotë Peterska, tregon se ekzistojnë sektorë dhe veprimtari te të cilat ekziston tendenca që punëtorët dhe punëdhënësit të nënshkruajnë marrëveshje për rrogë minimale prej 12 mijë denarë dhe njëkohësisht marrëveshje gojore se pjesën tjetër të rrogës që është shumë e përafërt me rrogën minimale do ta marrin kesh.
“Për rrogat formale që marrin rroga mbi minimalen e ul në mënyrë drastike përqindjen e marrësve të rrogave në kesh. Paga në zarf, më e pranueshme 23.2 për qind është për punëtorët e kualifikuar si përpunues të metaleve, makinistë, veprimtari tekstile dhe përpunuese si dhe për të punësuarit në sektorët shërbyese. Të gjithë këta, përveç rrogës minimale, në bankë marrin dhe pagën tjetër në zarf”, thotë Petreski.
Gjithashtu sipas Petreskit, kjo rrogë që merren në këto sektorë është një e treta e vlerës së rrogës formale që e marrin në bankë. “Pagë në zarf marrin edhe të punësuarit në sektorin e ndërtimtarisë dhe at 28 për qind e të punësuarve në këtë sektor. Mirëpo, paga në kesh te këta të punësuar e ka vlerën sa gjysma e rrogës minimale që marrin të punësuarit në ndërtimtari. Pastaj, paga në zarf marrin edhe të punësuarit në sektorët shërbyese. Rroga në zarf nuk është karakteristike se cilës gjini apo moshe i takojnë të punësuarit. Megjithatë, gratë janë ato që më shumë pranojnë të marrin rrogën në zarf”, thotë Bllagica Petreski, drejtoresha e “Finance Think”. Publikimi “Jetë cilësore në Maqedoni”, me temë “Paga në zarf” tregon se të punësuarit në rajonin e Shkupit kanë rroga më të larta që marrin në kesh apo “Paga në zarf” me rreth 57 për qind, 42 për qind e të punësuarve që marrin rroga në zarf i takojnë rajonit të Pellagonisë, ndërsa nga rajoni Juglindor 30 për qind e të punësuarve, përveç rrogës minimale që marrin në bankë marrin dhe rroga kesh. (koha.mk)