Laura PAPRANIKU
Shkup, 18 gusht – Vendimi për mbylljen e studimeve të disperzuara të Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup, ishte padyshim sinjali më i fuqishëm i mbylljes së një epoke, respektivisht i ndërprerjes së praktikave të shpërndarjes së universiteteve, që edhe ashtu ishin dëshmuar si politika të gabuara të frymave populiste në arsim. Universitetet, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë dakord me disperzimin e programeve të tyre studimore, nuk prononcohen zyrtarisht për këtë çështje, por fakti që nuk kundërshtojë vendimet e qeverisë për mos hapjen e studimeve të diesperzuara nëpër qytet të tjera, flet qartë se ato e mbështesin mbylljen e programeve të disperzuara. Menaxhimi i këtyre studimeve, thonë se ka qenë shumë i vështirë dhe thuajse i pamundur kontrolli mbi cilësinë e atyre studimeve. Prandaj, është shumë më mirë që këto studime të mbyllen dhe universitete të kenë programet e veta studimore aty ku edhe kanë selitë e tyre. Në entuziazmin e viteve 2006/2007 për disperzimin e disa fakulteteve të UKM-së në qytete si Velesi, Shtipi, Ohri apo më vonë edhe në qytete si Tetova, Radovishi, Kumanova e kështu me radhë, u përfshinë thuajse të gjitha universitete publike. Katër-pesë vite më vonë, nuk mbet cep i Maqedonisë në të cilin të mos hapej ndonjë program studimor i disperzuar nga Universitetet që selinë e kishin nëpër qytete të tjera. Pra, në vitin akademik 2009/2010 vala e disperzimeve përfshiu edhe Universitetin (Shtetëror) të Tetovës. UT, me programe të diperzuara në Shkup, Kumanovë, Strugë, Kërçove dhe Dibër. Madje, u shkua deri atje sa filluan të disperzohen nga Kumanova në Tetovë disa programe studimore të UT-së. Paraprakisht, UT-ja kishte themeluar Fakultetin e Administratës dhe Biznesit me seli në Kumanovë (FAB) dhe sikur të mos mjaftonte as kjo shpërndarje me kalimin e viteve FAB që mezi mbahej për veten tij nisi të shpërndajë programet e vete edhe në Tetovë, Shkup e gjetiu. Në vitin akademik 2007/2008, në kuadër të ofertës së saj akademike, UT kishte vendosura në Gostivar hapjen e dy fakulteteve, të Teknologjisë së Ushqimit dhe të Ushqyerit si dhe të Shkencave Aplikative, të cilat nuk funksionuar asnjëherë për arsye nga më të ndryshmet. Një vit pas kësaj u soll vendimi për themelimin e FAB-it në Kumanovë dhe sikur të mos mjaftonte kjo shpërndarje, prej vitit 2009/2010 nisi shpërndarja e fakulteteve tjera të UT, kryesisht në Shkup, Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër dhe Strugë. UT u shpërnda në çdo qytet të banuar më shumicë shqiptare. E parë me syrin politik, tingëllonte shumë bukur patetizmi i llojit “kemi hapur universitet çdo kund ku flitet shqip”. Mirëpo në aspektin funksional, universitet u përfshinë në situata kaotike. Në radhë ta parë ra cilësia e studentëve të regjistruar në këto programe, kushte në të cilat punonin studimet e disperzuara ishin jashtë çdo standardi, ndërsa nuk linte aspak për të dëshiruar stafi akademik i angazhuar nëpër qytete e tjera. Madje, me kalimin e viteve, nis të bie dukshëm edhe numri i studentëve të regjistruar. Grupe që në vitin e parë formoheshin me nga 40 studentë, përfundonin me nga 10 – 12 apo edhe 3 – 4 studentë në vit të katërt. Në vitin akademik 2012/2013 nga UT u disperzuan në Shkup 14 programe studimore: Informatika, Kimi-Fizikë, Biologji, Matematikë, Psikologji, Filologji orientale, Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Gjuhë dhe Letërsi Gjermane, Gjyqësia, E drejta Ndërkombëtare, Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Gazetaria, Shkencat Politike, Ekonomia dhe Biznes, si dhe Administratë Biznesi. Dy vite më vonë, pra në vitin akademik 2015/2016 numri i programeve të diperzuara u ul në nënë sosh, me ç’rast kishte 640 vende të lira regjistrim të studentëve të rinj.
Në mungesë të një universiteti në gjuhën shqipe në Shkup, jehona e studimeve të disperzuara të UT-së ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Madje kishte programe që në Shkup regjistronin shumë më tepër studentë se sa në programin amë në Tetovë, por mos sigurimi i kushteve elementare, bëri që shumë shpejtë të humbet interesimi edhe për ato drejtime. Boshllëkun në fjalë, pritet ta plotësojë Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, i cili nisi të punojë në vitin akademik 2016/2017. Por për shkak të fillimit me punë, pasi në universitete tjera ishin mbyllur të gjitha afatet e regjistrimit për atë vit, UNT nis punë me vetëm 250 studentë. Ky vit, duket se do të jetë shumë më ndryshe. Në dy ditët e para të dorëzimit të dokumenteve ishin paraqitur disa qindra kandidatë. Rezultat e para preliminare do të dihen të premten pasdite, njëlloj sikurse edhe për jehonën e regjistrimit të studentëve në UT. Ky është viti i parë, që dy universitetet publike në gjuhën shqipe, UNT dhe UT kanë hyrë në garë si të barabartë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.