Fisnik Pasholli
Shkup, 28 prill – Pushteti aktual shqyrton dhe ndërmerr aktivitet përgatitore për lëshimin e eurobondit të ri në tremujorin e katërt të këtij viti, gjegjësisht në periudhën tetor-dhjetor, me qëllim që të paguajë borxhet që arrijnë për pagesë në vitin 2018, shkruan gazeta KOHA. Sipas portalit informativ afarist “Intellinews”, që thirret në burimet e bankës austriake “Rajfajzen”, akoma nuk dihet shuma e borxhit të ri, ndërsa shtohet se nëse emitohet eurobondi ri, afati i pagesës së tij do të ishte deri më 1 dhjetor të vitit 2020. Nga Ministria e Financave për “ Intellinews” kanë deklaruar se vendimi kur dhe se a do të lëshohet eurobondi i ri do të varet vetëm prej kushteve aktuale në tregun e kapitalit. Prej aty shtojnë se Maqedonia është kompetitive në tregjet ndërkombëtare të kapitalit dhe se mban kontakte të vazhdueshme me investitorët. Megjthatë, sipas bankës austriake “Rajfajzen”, pushteti veçmë ka realizuar roud shou përgatitore ku i ka informuar investitortët për gjendjen politike dhe ekonomike në shtet. Nga banka austriake kanë theksuar se: “Kriza e vazhdueshme politike po kërcënon mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme. Gjithashtu, ne ndihemi pak të shqetësuar rreth planeve investuese qeveritare që mund të shtyjnë borxhin publik të Maqedonisë nga 48 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto sa është aktualisht, deri në 55 për qind të PBB-së në perspektivë afatmesme”, vlerësojnë nga banka “Rajfajzen”. Ndërkohë njohësit e sektorit financiar në vend vlerësojnë se Maqedonia patjetër në të ardhmen duhet të stabilizojë dhe konsolidojë financat publike, duke shtirë këmbët aq sa e ka jorganin, gjegjësisht duke harxhuar aq sa ka mundësi. Gjithashtu, ekonomistët vlerësojnë se rimëkëmbja apo shëndoshja e pjesërishme e financave publike në Maqedoni kërkon huazim të ri përmes eurobondit, që duhet të realizohet nga qeveria e ardhshme dhe jo nga qeveria aktuale teknike. “Aktualisht kemi probleme me mbushjen e arkës shtetërore, që pritet të vazhdojë edhe përgjatë tërë vitit. Mungojnë të holla për pagesën e subvencioneve, ndërsa mosmbajtja e zgjedhjeve lokale rrezikon pagesën e pagave, që nënkupton më pak konsum dhe ulje të TVSH-së në arkën e shtetit. Sivjet duhet të kthehen edhe 300 milion euro në emër të borxheve të vjetra, prej të cilave 103 milionë euro janë borxh i kamatave. Andaj, është më se e nevojshme për një stabilitet financiar të emitohet një eurobond i ri në vlerë prej 700- 900 milionë euro, në kushte të mungesës së mjeteve për realizimin e projeksionveve buxhetore si dhe deficitit buxhetor për vitin 2017. Por, një aranzhman i tillë nuk mund të realizohet nga kjo qeveri teknike, që mund të realizojë vetëm projektet që vijojnë dhe asgjë më tepër pas nuk ka mandat për diçka të tillë, por vetëm nga qeveria e ardhshme”, thotë profesori universitetar Sami Bislimi. Sipas tij, në kushte të krizës politike ulen edhe remitancat e mërgimtarëve, por kemi problemin e vjetër të obligimeve publike ndaj biznesi si dhe borxhet e fshehta dhe të pafakturuara. Është e pritshme edhe ulja e investimeve të huaja që ndikojnë në mënyrë direkte në bilancin financiar të vendit, që do të ballafaqohet me mungesë mjetesh në bilancin e pagesave, shton më tej Bislimi. Edhe ekonomistët tjerë vlerësojnë se Maqedonia patjetër në të ardhmen duhet të stabilizojë dhe konsolidojë financat publike. “ Maqedonia duhet t’i shtrijë këmbët aq sa e ka jorganin. Me fjalë të tjera, kjo nënkupton një nikoqirllëk më të madh të harxhimit të të hollave publike, ulje të harxhimeve të panevojshme, siç janë për shembull Rrota panoramike në qendër të Shkupit që pritet të kushtojë 18 milion euro, me të cilat të holla do të mund të ndërtoheshin një pjesë e ujësjellësve apo kanalizimeve të munguara në fshatrat e Shkupit. Nevojitet edhe realizimi 100 për qind i investimeve kapitale për ndërtimin e shkollave, spitaleve, rrugëve të reja, apo kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike, që do të sjellin edhe rritje më të madhe ekonomike. Nuk duhet që këto mjete të jenë të parat në gërshërët e rebalancit buxhetor për të mbuluar minusin në llogarinë buxhetore”, vlerëson për KOHA, profesori universitetar, Neritan Turkeshi.
Ai shton më tej se duhet të dëgjohen edhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare financiare, si Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar, që sugjerojnë ulje të deficitit buxhetor në nivel që do të stabilizojë borxhin publik , gjegjësisht që nuk do të rrisë borxhin publik. Sipas tij, problem tjetër me hyrjen në borxh të Maqedonisë në emër të borxheve në tregun vendor apo të jashtëm, është se ajo nuk e ka luksin që të të ketë afatin e pagesës së borxhit edhe prej 30 vjet, siç e ka për shembull Italia, Spanja apo Franca . Këto shtete mund të hyjnë në borxh edhe me afate kaq të gjata të kthimit të borxhit, për shkak se janë shtete të pasura , me rezerva të larta revizore, ku rezervat e floririt garantojnë borxhin e tyre, shpjegon Turkeshi.
Ekonomistët thonë se Borxhi publik në Maqedoni varet nga rritja ekonomike, deficiti primar dhe cilësia e shpenzimeve publike apo mënyra e harxhimit të të hollave. Viteve të fundit struktura e shpenzimeve që identifikojnë rritjen , tregojnë se struktura e shpenzimeve ka qenë për qëllime më shumë joproduktive sesa produktive, thonë vlerësimet e Qendrës për analiza ekonomike. Themelorja është se gjatë ritjes së borxhit publik a është ritur në të njejtën kohë edhe Prodhimi i Brendshëm Brruto, por kohët e fundit në Maqedoni PBB-ja shënon stagnim , ndërsa kemi ritje të borxhit publik.
NË BORXH VETËM PËR PROJEKTE KAPITALE
Njohësit e financave vlerësojnë se nuk është problem edhe nëse Maqedonia futet në borxh publik, por vetëm me një dinamikë të kujdesshme dhe me investime kapitale në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, zvogëlim të varfërisë dhe të ngjashme, me çka borxhi mund të jetë edhe produktiv pasi tani këto të holla shkojnë në harxhim të pastër dhe nuk ndihmojnë ritjen e aktiviteve ekonomike. Në vitet e fundit Maqedonia me vonesë të madhe filloi të ndërtojë akset e autostradave nga Milladinovci deri në Shtip dhe nga Kërçova deri në Ohër, për të cilat hyri në borxh në një shumë prej afër 500 milionë euro. Megjithatë, në ndërkohë të gjithë fqinjët ndërtuan autostradat e tyre, kështuqë që edhe efektet nga ndërtimi i rrugëve të reja pritet të jetë nën pritjet e zakonshme. Gjithashtu, akoma nuk është përfundur në tërësi autostrada Kumanovë deri në Gjevgjeli, nuk është ndërtuar asnjë kapacitet serioz për prodhimin e energjisë elektrike, kurse lëvizin shumë ngadalë projektet për ndërtimin e hekurudhës në drejtim të Shqipërisë dhe Bullgarisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara