Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 shkurt – Lëvizjet e të rinjve nga njëri shtet në tjetrin për qëllime studimi, në kuadër të mobilitetit të mundësuar me Kartën e Bolonjës, jo çdo herë janë në kuotat e baraspeshave, shkruan gazeta KOHA. Shtetet me sistem të paqëndrueshëm arsimor si Maqedonia, janë rëndomë vendete që shënojnë bilance negative në këtë drejtim. Kështu, sikurse konfirmohet dhe zyrtarisht numri i atyre që studiojnë jashtë vendit është shumë më i madh se sa i të huajve që vijnë për të studiuar tek ne. Në një raport të UNCEF-it për profilin migrues të Maqedonisë, bëhet e ditur se në vitin 2013, Maqedonia kishte thuajse dyfish më shumë studentë jashtë vendit, krahasuar me numrin e studentëve të huaj, edhe atë me dallime shumë të thella në raporte bilaterale. Konkretisht, nëse para tre viteve në Bullgari kishte 1197 studentë, nga atje në universitete e Maqedonisë ishin vetëm 30 studentë.
Në pesë shtetet më të popullarizuara ku shkojnë për studime shtetasit nga Maqedonia, krahas Bullgarisë (1197) janë edhe Italia (507), Gjermania (425), Austria (412) dhe Turqia (361). Ndërkaq, shtete prej ky më së shumti vijnë për studime në Maqedoni janë Serbia (1146), Shqipëria (230), Turqia (211), Bullgaria (30) dhe Kroacia. Ajo, që bie në dy nga të dhënat e top pesëshes së shteteve nga shkojnë e vijnë studentët në Maqedoni, është se lista e parë dominohet nga shtete të Bashkimit Evropian dhe me zhvillim të lartë ekonomik si Gjermania, Italia apo Austria, ndërsa në listën e dytë janë shtete të rajonit të ngushtë si Serbia, Shqipëria, Bullgaria, Turqia dhe Kroacia. Nga këto pesë shtete e fundit në vitin 2013 në universitetet e Maqedonisë kishte 1641 studentë, ndërsa në pesë shtete ky më së shumti kanë shkuar për studime shtetas të Maqedonisë ishin 2902 studentë, gati se dyfishi i të parëve.
Mirëpo, nëse krahasohen të dhënat e UNCEF-it për numrin e studentëve të huaj në Maqedoni (1641 vetëm nga pesë shtete në vitin 2013), me të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave për numrin e studentëve të huaj që kanë diplomuar në Maqedoni, del se jo të gjithë ata që vijnë të studiojnë këtu e synojnë një diplomë universitare. Në vitin 2015, ESHS raportonte për 334 studentë shtetas të huaj të cilët morën diploma universitare në Maqedoni, vetëm 74 ishin nga Serbia, 25 ishin nga Shqipëria dhe 44 nga Turqia, ndërkohë që numri i përgjithshëm i studentëve të këtyre shteteve është shumë më i madh, edhe atë 1146, 230 respektivisht 211 studentë. Numri i studentëve të diplomuar nga këto shtete që tradicionalisht njihe si vende me prurje më të madhe studentësh, përbënte 42.8 për qind të kategorisë së studentëve nga shtetet tradicionalisht me numër të madh në Maqedoni, pra nga Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Turqia. Pjesë e mbetur raportohej si numër i studentëve nga vende “të tjera”. Disproporcioni i numrit në total të studentëve (viti 2013) dhe atyre që kanë diplomuar (viti 2015), shpjegohet me tendencën e studentëve të huaj për t’u kthyer në vendet e origjinës. Konkretisht, një pjesë e madhe e tyre regjistrohen në Maqedoni, meqë nuk u del e drejta e studimit në vendet e veta. Dhe pasi marrin këtu statusin e studentit, duke përfituar edhe nga marrëveshjet bilaterale për arsim që ka Maqedonia me ato shtete, studentët e huaj shfrytëzojnë mundësinë e transferimit. Në vitin 2015 në Maqedoni u pajisën me diploma universitare gjithsej 8 458 studentë, prej të cilëve 3 627 meshkuj dhe 4 831 vajza. Në këtë nivel shkollimi vite me radhë dominon gjinia femërore, e cila ka fituar epërsi dekadën e fundit edhe në shkalën e dytë të studimeve të magjistraturës, por jo edhe në shkallën e tertë të doktoraturës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.