Qeveritë e Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës (BeH), nënshkruan sot në Shkup marrëveshje për njohje reciproke të patent shoferëve. Marrëveshja u nënshkrua ndërmjet ministrit të BeH-së për Komunikacion dhe Transport, Ismir Jusko dhe ministrit për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski. Ministri i BeH-së, Jusko mbajti edhe një takim me nikoqirin e tij, ministrin e Maqedonisë për Transport dhe Lidhje, Goran Sugarevski.
Në prononcimin e tij për mediat pas takimit, Sugareski në cilësi të nikoqirit tha se me mysafirin nga BeH kanë biseduar një sërë çështjesh, përfshirë edhe anëtarësimin e BeH-së në Bashkësinë e Transporit, të cilën nga 12 korriku e kryeson Maqedonia, sepse siç tha, kjo Bashkësi mundëson një ndërlidhje të mirë të vendeve të Ballkanit me BE-në.
“Në pjesën e reformave të sektorëve, biseduam për liberalizimin e tregjeve të disa llojeve të transporitt në periudhë afatgjate. Biseduam edhe për bashkëpunimin në trafikun rrugor në përputhje me marrëveshjen për trafik ndërkombëtar të nënshkruar më parë nga dy shtetet tona”, tha Sugarevski për të shtuar se në takim është prekur edhe tema e trafikut hekurudhor. Ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Oliver Spasovski, i pranishëm në takim, tha se nënshkrimi i njohjes reciproke të patent shoferëve, është një e mirë nga e cila përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.
“Autoritetet kompetente të të dyja vendeve njohin reciprokisht patent shoferët e personave të cilët si turistë ose shoferë tregtarë, drejtojnë automjetin në territorin e njërit ose të vendit tjetër. Në të njëjtën kohë, qytetarët që kanë një qëndrim të rregullt në përputhje me legjislacionin kombëtar të të dyja vendeve, pa nevojë të marrin një provim teorik dhe praktik mund të zëvendësojnë patentën e tyre në shtetin tjetër”, tha Spasovski sipas të cilit aktualisht punohet në njohje të patent shoferëve me Kosovën, Turqinë, Britaninë e Madhe etj. Ministri i BeH-së për Komunikacion dhe Transport, Ismir Jusko, tha se qëndrimin në Shkup e përjeton si një vizitë miqësore në Maqedoninë mike.
“Duke nënshkruar marrëveshjen e sotme, ne avancojmë marrëdhëniet tona. Ne kemi për qëllim, siç është njoftuar tashmë, sa më shpejt të jetë e mundur të lançojmë linjën ajrore Sarajevë-Shkup. Do të doja t’iu informoj se për një kohë të gjatë, BeH dhe Maqedonia nuk kanë nevojë për leje për këmbim të mallrave, kështu që në vitin 2016, shkëmbimi i mallrave midis BeH dhe Maqedonisë është rreth 75 milionë euro dhe ne besojmë se në vitin 2017 do të ketë një rritje”, tha ministri Jusko. Sipas tij, është dakorduar që Maqedonia dhe BeH në Bashkësinë e Transportit në disa projekte të caktuara të marrin pjesë si një shtet i vetëm.