Për këtë histori po flet mbarë bota. Një vajzë, e cila u vodh kur ishte bebe nga një spital në Florida, SHBA, u gjet e gjallë në Karolinën e Jugut pas më shumë se 18 vitesh. Kamiyah Mobley, që u rrëmbye në korrik të vitit 1998, u gjet pas një informacioni të dhënë.
Autoritetet kanë arrestuar dhe kanë ngritur padi ndaj Gloria Williams, 51 vjeç. Mobley jetonte me një emër tjetër dhe besonte se zonja Williams ishte mamaja e saj. 18-vjeçarja ka mbrojtur rrëmbyesen e saj, duke thënë se ajo nuk është kriminele. “Mamaja ime më rriti me gjithçka kisha nevojë dhe shumicën e gjërave që doja. Mamaja ime nuk është kriminele”, shkroi ajo në FB.
Misteri i rrëmbimit të Kamiyah Mobley pushtoi vëmendjen e opinionit publik në SHBA në vitin 1998. Ajo u rrëmbye nga krahët e mamasë së saj, Shanara Mobley nga Williams, e cila ishte veshur si infermiere. Williams kishte abortuar një fëmijë një javë përpara.
Ajo kishte udhëtuar tre orë nga Karolina e Jugut për në Florida për të kryer rrëmbimin. Vajza e rrëmbyer u lidh online me prindërit e saj biologjikë, të cilët shpërthyen në lot kur mësuan për lajmin. Williams, që ka edhe dy fëmijë të tjerë biologjikë përveç vajzës së rrëmbyer, rrezikon burgim të përjetshëm. Fqinjët e saj thonë se e dinin se Kamiyah ishte vajza e Williams. “Ajo nuk ka abuzuar kurrë me të. Por ajo u rrit me një gënjeshtër për 18 vite”, tha një fqinj.