Kërçovë, 19 mars – Ka kohë që lukunitë e qenve janë duke sulmuar nëpër vetë qytetin edhe vendbanimet përreth Kërçovës, shkruan gazeta KOHA. Edhe përkundër paralajmërimeve të shpeshta, që janë bërë nga ana e qytetarëve, deri më tani për t’u përballur me këtë dukuri të shfaqjes së kopeve të qenve, të cilët të shpeshtën janë pa të zotin e tyre. Tanimë, nga sektori për punë të brendshme, apo më mirë të thuhet nga Stacioni policor i Kërçovës kanë dalë me të dhëna konkrete, ku kanë bërë të ditur numrin e rasteve të denoncuara pranë këtij Stacioni policor, ku viktimat në të shumtën e rasteve janë fëmijët dhe personat e pambrojtur. Kësisoj, sipas të dhënave që ka siguruar Stacioni i policisë në Kërçovë, deri më tani që nga fillimi i vitit janë paraqitur njëmbëdhjetë raste të personave që kanë qenë të sulmuar nga ana e qenve, prej të cilëve gjashtë raste në vetë qytetin e Kërçovës, katër në fshatin Baçisht dhe njëri në fshatin Sërbjan. Ndërkohë gjatë vitit 2016, janë denoncuar gjithsej 54 raste të sulmit nga qentë, nga të cilat 34 janë në vetë qytetin e Kërçovës dhe pesëmbëdhjetë në fshatrat përreth. Se rreziku nga qentë, qoftë edhe atyre, të cilët mbahen edhe nëpër shtëpia është tejet i madh, dhe se kujdesi për masa mbrojtëse ndaj tyre ka rënë në përmasa shqetësuese, e dëshmon edhe rasti i fundit në fshatin Baçisht, ku e pësoi një katërvjeçar, i cili u kafshua nga qentë dhe kësisoj mori plagë të rënda në pjesën e barkut, gjoksit dhe kokës, pasi ishte sulmuar nga kopeja e qenve. Për shkak të seriozitetit të plagëve, i mituri është dërguar në Qendrën për urgjencë në Shkup, dhe jeta e tij, sipas mjekëve, ndodhet ende në rrezik. Nga Komuna e Kërçovës, shprehen të pafuqishëm për t’i dalë në ballë këtij fenomeni, pasi ata arsyetohen në mungesën e mjeteve të nevojshme për ngritjen e një strehimoreje për qentë endacakë, të cilët të shpeshtën “vijnë mysafirë” nga qytetet fqinje të Prilepit, Manastirit,M. Brodit, por edhe nga Gostivari e Ohri. (A.Xh)